Përshëndetje zonja magjistare, jam 50-vjeçare, e dëshpëruar nga jeta.

Po u shkruaj për një problem të jetës sime. Kam hall psikik dhe fizik, por edhe probleme familjare. Këto probleme i kam pasur vite me radhë, por falë Zotit dhe ndihmës tënde i pata kaluar.

Po të shkruaj me shpresë se do më ndihmosh sërish, meqë jeta ishte e padrejtë ndaj meje. Unë kam bërë shumë që rrethi im dhe familja të kenë fat, por veten e kam lënë shumë anash.

Kam qenë e drejtë në jetë, e sinqertë. Nuk jam e martuar, as nuk kam qenë kurrë e fejuar. Madje, as që kam pasur lidhje me ndokënd!

Jam e punësuar dhe kam një profesion mjaft human. Jam e përkryer në jetë, por kam rënë në depresion dhe në probleme shëndetësore, për çka mezi po ia dal ta mbaj punën.

Të lutem, më ndihmoni të eci tutje apo çka të bëj tutje…
“Flutura e zemëruar”

Përgjigje:
Virtytet tua njerëzore janë fenomenale. T’i kesh këto vjet që i ke, duke pritur që krenarinë dhe këto virtyte t’ia dorëzosh vetëm mbretit tënd, është madhështore.

Megjithatë, në jetë ruhet ajo që funksionon. “Punën që sjellë bereqet duhet ruajtur!”, thotë populli.

E, te ti kjo nuk ka funksionuar, prandaj me kohë ia ka vlejtur të ndryshoni diçka apo shumëçka. Tash jemi në shekullin e ndryshimeve të mëdha teknologjike dhe njerëzore, në të cilin shumëçka që ishte për krenari më nuk ka vlerë, sepse nuk prodhon të mira.

Shikoni sa ndryshime sociale janë bërë paslufte? Gjërat më me vlerë njerëzore janë bastarduar aq shumë sa më nuk ka kuptim të flitet për to, apo nëse dikush flet për to, kjo do të jetë në funksion të nostalgjisë dhe asgjë më shumë.

Ti je e ndershme, por çka ke fituar?
Ti je e moralshme, por çka tutje?
Ti je me karakter, por sa ia ka vlejtur?

Të gjitha këto që i ke ruajtur deri tash, të kanë dhënë depresion dhe dëshpërim, probleme shëndetësore dhe probleme të tjera.

Kjo nuk do të thotë ta kishe jetuar jetën e devijuar nga këto pikëpamje, por dua të them se sot duhet t’i përshtatesh kohës.

Pra, kohës t’i përgjigjesh duke i ruajtur vetitë personale për aq sa mundesh. Nuk ka pse të devijojë një femër e cila kërkon fatin…

Shembull: Një vajzë e ndershme njihet me një mashkull, duke i besuar fatit dhe atij. Ndërkohë, ai e lë dhe ajo detyrohet ta kërkoj fatin tjetër.

E gjen edhe tjetrin dhe shpreson të martohet me të, por edhe ky e lë dhe ajo detyrohet ta gjejë të tretin. Pastaj, të katërtin e tutje…

Sidoqoftë, një femër e tillë nuk mund të quhet se ka devijuar, sepse në rrugën e fatit, fati ia ka kthyer shpinën. Mirëpo, ti nuk e ke provuar fare këtë fat dhe ky është gabimi yt.

Megjithatë, treni ende nuk të ka ikur. Je në moshën më të mirë, e që akoma mund ta gjesh fatin.

Mos u dëshpëro, sepse dëshpërimi lexohet në fytyrë dhe, kur bëhet i lexueshëm, humbin gjasat për shumëçka…

Beso dhe do të jesh koherente. Besimi dhe namazi janë si dy binjakë, por njëri ka lindur i pari. Andaj, ashtu sikur lindin binjakët, këtë privilegj i pari e kishte besimi, prandaj beso në të mirën. Allahun xh. h. të mirën e shpërblen gjithmonë në kohë të duhur.

MUND TË JU PËLQEJNË