Ka kohë që kam dashur të të shkruaj, zonja magjistare. I lexoj me vite përgjigjet tua dhe di se shumë u ndihmon njerëzve dhe atyre që kanë halle të jetës.

Unë jam një burrë, kam familje. I kam tre fëmijë. E kam gruan, së cilës nuk dua t’i hy në hak për asgjë, sepse i ka gjithë të mirat që i ka një grua fisnike, por unë nuk po mund të pajtohem me vite e vite.

E kam dashur një vajzë në anën tonë qysh në rini. E kam dashur pa hile. Ajo ma kishte dhuruar një mindil për dashurinë që kishim, por familjet tona nuk na lanë të bashkohemi, sepse kishte fanatizëm të madh.

Andaj, po plakem e nuk po arrij të dal nga ajo dashuri. Kur e kuptuan familja e saj se ajo më donte mua, e martuan për një burrë mjaft të moshuar, që kishte grua, por nuk kishte fëmijë.

Unë kam pritur shumë vite dhe nuk jam martuar, sepse ia pata dhënë besën se nuk martohem me tjetër. Edhe ajo ma pat dhënë besën, por nuk e pyetën familja…

Andaj, jam pajtuar që ajo e ka jetën e vet, por e kam një problem tjetër: nuk po mund ta dua gruan dhe po jetoj si në ëndërr! Po vazhdoj ta dua akoma atë femër si në rini…

E ruaj akoma mindilin që ma pat dhënë dhe, me sa di unë, atë e kishte qëndisur nëna e saj. Unë i kam treguar gruas sime qysh natën e parë të martesës se e kam dashur dikend dhe prej atëherë kemi folur shumë e shumë herë dhe gruaja po ndihet e penduar pse jemi martuar. Ndoshta nuk ka faj, sepse nuk e kam gëzuar kurrë si burrë.

A do ta harroj atë fëmër, zonja magjistare, apo do ta takoj ndonjëherë në jetë, gjë që e kam pikë në zëmër?

“Kujtimi i paharruar”

Përgjigje:
Para së gjithash, ti ke një kujtim material, i cili ta kujton kohën e rinisë. Sa herë që e nxjerrë atë faculetë, ty ta rikthehen ngjarjet e së kaluarës.

Por, gjërat kanë ndryshuar. Jeta ka ecur përtej gjërave të dikurshme dhe më nuk mund të kthehen në vendin e vet.

Tani, edhe po ta takoshn atë femër, nuk do besosh se është ajo që ti e do akoma. Nuk është më ajo vajza e livadheve të rinisë, e as vajza që fshehej pas kaçubeve, duke ta falur një puthje në ikje e sipër.

Por, ti nuk je liruar nga dashuria baritore, sepse këtë dashuri ta forcon edhe vendi ku je rritur dhe ku e ke kaluar fëmijërinë dhe jetën e hershme. Por, te ti krejt ajo është kthyer në një mundim shpirtëror.

Edhe kur i kthehesh vendlindjes, je i vuajtur për shkak të asaj lidhjeje që ke pasur me atë vajzë.

Sugjerimi im është që ta hedhësh mindilin dhe do të fillosh ta kthjellosh mendjen se ti je baba i fëmijëve dhe burrë i një gruaje të mirë, që nuk e meriton të mos ia afrosh krejt çka i nevojitet asaj.

MUND TË JU PËLQEJNË