Te kali i Skënderbeut sillen zonjat që janë dikush e nuk duan të ekspozohen. Ato janë hallexhike dhe i ka shkelur koha. Ndërsa, në pjesën te Trekëndëshi, te komuna, takohen një shtresë tjetër, konkretisht të moshuarit e të moshuarat. Dhe, në të dyja rastet shteti është fajtor, sepse ka shkaktuar bllokadë pune.

Një zonjë po qëndronte afër shkallëve të ish-Gërmisë, pranë përmendores së madhe të Skënderbeut. Flokët e lëshuara mbi supe dhe e grimuar me shije të veçantë. Nuk di si ka mundur ta mënjanojë koha e ajo të mos jetë në punë apo…
Dhe, teksa kaloj pranë saj, ime grua, e që është me mua, ma bën me dije se kjo është një filania, që ka qenë në zë dikur dhe që ende nuk i ka rënë firma…

“E, çka po qëndron këtu pra?”, e pyes gruan.

“Me siguri, e pret dikë”, ma kthen ajo.

Megjithatë, ditë më parë pata dëgjuar se te Skënderbeu femrat dalin për të gjetur të dashur. Di se ka në çdo vend këso gjërash, por ku e gjetën bash te përmendorja e Skënderbeut, heroit më të madh shqiptar? Madje, kur mendon njeriu historinë e tij, turp është edhe prej kalit të tij!

I them gruas se kështu po flitet për këtë shesh dhe se femrat po shiten mu në këtë vend. Gruaja nuk e pranon këtë assesi dhe më qorton pse po merrem me thashetheme, sipas saj.

Dhe, pas një jave rektorati i Universitetit “Hasan Prishtina” do të organizonte një drekë për pjesëtarët e vet dhe ime grua, meqë edhe ajo do të ishte në atë aheng, e kishte lënë të takohej me një kolege të punës mu te përmendorja e Skënderbeut, që së bashku të shkonin në drekën e organizuar. Dhe, teksa e kishte pritur kolegen, i ishte ofruar një burrë dhe nis t’i vardiset.

“Çka do, ec, baju?!”, i kishte thënë vardisësit.

Por, ai ia kishte shprehë kërkesën. Dhe, në ato çaste gruas sime i kishte rënë në mend biseda që kishim pasur dhe vazhdon tutje rrugën në drejtim të Grandit, duke mos e pritur më kolegen e saj.

“Heu, paskësh qenë e vërtetë ajo që ma tha atë ditë im burrë teksa kalonim pranë përmendores së Skënderbeut se aty, në atë vend të vardisen meshkujt”, e kishte sjellë në mendje.

Ndodhia me kolegun tim…

Një ditë tjetër, një koleg imi, teksa e pret pranë përmendores së Skënderbeut padronin e vet, një fqinj i tij, i cili kalon aty pari, kur e sheh duke pritur, i thotë:

“A edhe ti këtu, a?!”.
Ai, duke mos ditur qëllimin e tij, ia kthen:

“Po valla, edhe unë këtu…”.

“Keq për ty he burrë, je njeri i moshuar! Marre me bë këso gjërash! Nuk t’ka hije!”.
Kolegu im, i befasuar me fjalët e fqinjit, i thotë:

“Prit pak he burrë se s’po kuptoj asgjë! A i pate ato fjalë me mua a me dikë tjetër?”.

“Po, bash me ty!”, ia kthen ai.

“Çka po t’bëj unë ty, he burrë, që po pres këtu?!”.

“A e di ti kush pret këtu?”.

“Jo, he burrë, unë di që jam kah e pres padronin tim se kemi me shku në terren bashkë e nuk di për çka po flet ti”.

Ai, pastaj, i tregon se nuk është mirë me prit në atë vend, sepse, edhe sipas tij, ai është vend ku meshkujt presin që të vijë ndonjë zonjë e të dalin bashkë…

Medemek, sipas tij, aty dalin femrat shkaku i gjendjes së keqe ekonomike, e jo se e kanë zanat atë punë…
Andaj, të merremi pak edhe me shtetin, për të elaboruar gjenezën e kësaj të keqeje. Se shteti ka dështuar të ofrojë punë dhe të hapë vende të reja pune, kjo dihet.

E tha edhe një faktor ndërkombëtar në një tubim në Prishtinë se kushti numër një për liberalizim të vizave për Kosovën është hapja e vendeve të reja të punës, arsye kjo që të rinjtë të mos bëhen barrë për Evropën.

E, po të kisha qenë unë në atë takim, do i bëja pyetje ndërkombëtarit: Cili shtet? Ku është ai shtet? Këtë shtet e kanë kapur politikanët tanë për kërpeshi dhe po e mbajnë të bllokuar! E, populli ka mbetur në mëshirën e kohës… Madje, as që çanë kush kokën për popull se a ka bukë me hëngër a jo, me rëndësi t’i kemi rrugët e asfaltuara, sepse aty edhe luan përfitimi, dallaverja…
Pra, nuk ka shpërblim për popull, por ka dënim të popullit. Sepse, shteti i Kosovës tashmë jeton vetëm nga taksat që i mbledh në popull, nga gjobat që i bëhen popullit…

Shteti i gjobave

Shkova ta regjistroj veturën që sapo e bleva. E përgatita dokumentacionin e nevojshëm. Auto-salloni ku e bleva veturën në dokumentacionin që ma lëshoi e kishte shkruar gabimisht adresën time të banimit. Dhe, shkaku i atij gabimi nuk do të mund ta regjistroja veturën, andaj kërkonin të paguaja edhe një herë në adresën në të cilën edhe jetoj. U mundova ta kuptoja logjikën pse duhej paguar dy herë për të njëjtin qëllim kur kishte mundësi që adresa e shkruar gabimisht të korrigjohej.

Shkoj në sportelet e komunës së Prishtinës dhe askush nuk ma shpjegon pse duhet të ndodhë një gjë e tillë. Të gjithë të japin vetëm letra për të paguar. Vetëm për të paguar nuk të bëjnë problem. Shkoj në qendrën e regjistrimit dhe më thonë të shkoj përsëri në komunë. Në komunë njerëz të moshuar e as që dinë çka u them e as çka më duhet. Megjithatë, pas një dite vrap poshtë e lart arrita ta kompletoja dokumentacionin për regjistrimin e veturës.

Dhe, pasi e marr librezën e regjistrimit të veturës, vetë me vete them: Ja ky është shteti i krimit administrativ, i cili të detyron të paguash dy herë shkaku i një gabimi në adresën e banimit!

Kur i mora targat e regjistrimit të veturës dhe i futa nën sqetull, e falënderova Zotin që ma dha durimin dhe nuk bëra ndonjë marri me personelin e atjeshëm, ani pse sjellja e keqe nuk është veti imja, nuk është e karakterit tim. Mbeta i kulturuar me zor…

Ligjet nuk i përfillë as shteti e as qytetari!

Njerëzit urbanë sot jetojnë mbi bazën e kontratës qoftë kolektive apo personale dhe këtë kontratë e mbron ligji. Te ne bëjnë shumë ligje, madje në paketa miratojnë ligje, të cilët nuk i përfillë së pari shteti e pastaj as qytetari. Për të qenë pak më argëtues, po e ilustroj me një shembull: Një amerikan i ishte lutur Zotit të shkonte në Mars.

Zoti i kishte thënë se brenda 15 vitesh do i realizohet dëshira. Edhe një gjerman kishte kërkuar nga Zoti t’i ndihmonte të arrinte qëllimin për të pasur Evropën nën komandë, nën kontroll.

Zoti i thotë se do ta ketë mundësinë ta ketë nën kontroll Evropën brenda 10 vjetësh. E, një shqiptar kishte kërkuar nga Zoti të shpallte gjenialitin e tij. Me këtë rast Zoti nis të qajë. Shqiptari, si nostalgjik që ishte, i drejtohet Zotit: Pse po qanë? Dhe, nga Zoti merr përgjigjen: Shoh se ende nuk keni ardhur në këtë botë!

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË