Për një moment, nën petkun e të vdekurit, i shkrova ca rreshta lidhur me njerëzit që e udhëheqin qe njëzet vjet këtë vend, duke i dhënë shpresë popullit se do të jetojnë mirë dhe në shtet të fortë. Po të mos e kisha këtë petk, nuk do guxoja t’u thosha këtyre të politikës pse na e vodhët shpresën e jetës, shkruan “Kosovarja”.

Ndërkohë, i kisha ndezur polemikat e përditshme me gruan se këta duhet votuar, patjetër, sa herë që kërkohet nevoja, për të qenë në krye të shtetit.

E, sot u them se më kanë borxh! Mua nuk do ma paguajnë, por është dikush tjetër te të cilët do e lajnë borxhin…

Po rrinim me gruan para televizorit dhe shoh se partitë politike, edhe pse nuk ka asgjë konkrete për zgjedhjet e reja, kanë filluar fushatën e tyre zgjedhore!

Gruaja, e që po mësohet me djallëzitë e “Vetëvendosjes”, sepse është përkrahëse e tyre, ka nisur t’i kuptojë “do tema” dhe nuk po më lë vend kund…

Grua, bëhu modele dhe hy në parlamentin e Kosovës!
Shihni çfarë parlamenti kemi sot! Kush nuk është bërë deputet, ore?! Ka të atillë që s’kanë haber me këtë punë, por me rëndësi me qenë aty…

Bile, i thashë gruas, ç’ka të keqe të jesh modele a këngëtare sot… Mund të bëhesh edhe deputete!

“Jo, nuk ka të keqe asgjë, se i tillë është parlamenti ynë! Ku ke pa ti, o burrë, njerëzit e një partie nuk kanë mendim të njëjtë për asnjë temë?! Janë prej një partie, kurse njëri është për votim të një ligji e tjetri jo!”, më thotë gruaja.

“E, ku ke pa ti të jenë të gjithë me një fjalë, oj grua?!”, i them unë.

“Po ti, më i dijshmi, vetëm mos thuaj se është mirë që Behgjet Pacolli me 2 për qind të votave është bërë zëvendëskryeministër! Plus ministër i punëve të jashtme! A ke pa ti ndokund kështu, a?!”, më thotë gruaja.

Dhe, në vend të përgjigjes, në vete them: Parlament se jo mahi! Është mbushur me këngëtarë e njerëz të kriminalizuar, madje edhe të atillë që po thuhet se do të akuzohen për krime lufte!

E, më e keqja është se postet kryesore i bartin ata që nuk kanë më shumë se 10 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare! Dhe, me një strukturë të tillë qeveritare në Parlament dhe në qeverisjen e vendit, çka të presim më mirë?! Të na rrojë “Kosova e lirë”, me “do tema” që do të jenë gjithnjë në skenë si aktuale!

Në fakt, janë “do tema” që ende nuk i kemi hapur deri më tani…

Mirë do të ishte kur gjyqësori i shtetit nuk ka punë, e kjo do të thotë se qeveria punon mirë… Por, te ne, në këtë drejtim, ka aq shumë punë sa nuk shihet fundi askund…

Mirë do të ishte të mos ketë punë as policia, sepse kur policia nuk ka punë do të thotë se qetësia në shtet është e mirë…

Mirë do të ishte kur edhe në shëndetësi të mos ketë probleme, por secili e di se te ne, në shëndetësi, punët janë llugë…

Mirë do të ishte të ketë sa më pak të papunë, por te ne për një vend punë në QKUK, bie fjala, kemi qindra, të mos them mijëra aplikacione! Me master e me fakultet, me lloj-lloj titulli, kurse pranohet personi me shkollë të mesme!

Shteti më ka borxh…
Mua, personalisht, më ka borxh shteti. Madje, më ka shumë borxh… Për gati njëzet vjet qeverisje të “krahut të luftës”, vetëm sa kam pasur zënka me gruan!

Mjaftojnë zënkat… Të tjerat nuk po i llogaris. Sa e sa dhëmbin e kam thyer, duke folur për udhëheqësit…

Kur flisja për ta, në shtëpi armikun numër një e kam pasur gruan. Ajo ishte dhe është për do djem të rinj që nuk kanë haber me realitetin në Kosovë, e unë për do burra që kanë qenë e kanë dal nga lufta.

Ua kam mbajtur krahun hapur dhe për tërë këtë betejë njëzetvjeçare, një herë në një tubim më ka falënderuar Jakup Krasniqi dhe me aq kishte mbaruar borxhi i tyre ndaj meje…

“Të kam thënë se je rrokur për rrënjë të kalbura, o njeri?! A të kam thënë se kjo do të ndodhë?!”, më tha gruaja kur pa se punët në politikë po shkojnë llugë.

Por, ç’të bëj, i kam votuar burrat e kauzës së luftës… Unë për vete kam menduar ashtu, si jam i sinqertë vetë, se ata, pasi veç kanë shkuar në luftë që ta japin jetën, edhe shtetin do e qojnë përpara, por nuk kishte qenë ashtu! Ata u pasuruan! U bën milionerë…

Tash e kam kuptuar, por vonë… “Kur erdhën mendtë, humbën dhentë!”, thotë populli.

Prandaj, me të drejtë edhe them: Më ka borxh shteti!
Sidoqoftë, kam votuar për ata që politikisht po vdesin…

Letër nga bota tjetër
Para se të mendoj se çfarë do u them, do u tregoj një ngjarje:

Një burrë dukej si më i mençuri… Populli i atij vendi shkuan t’i thoshin se ishte i përzgjedhuri i tyre për t’i përfaqësuar ata. Ai e mohoi kategorikisht rolin e të parit. Kundërshtoi, por populli sërish këmbënguli.

Njeriu i mençur e pranoi detyrën me një kusht: Ai që do të vdiste i pari, do të shkonte t’i thoshte diç në vesh të vdekurit…

Dhe, kur vdiq një burrë, ai iu ofrua dhe i pëshpëriti diçka në vesh…

Populli kureshtarë e luti t’u tregonte se çka i kishte thënë…

Ai u përgjigj: “Tregoju atyre në varre, nëse të pyesin për të gjallët… se udhëheqës jam bërë unë! Dhe, s’ka më shumë nevojë t’u thuhet asgjë, meqë do e kuptojnë si i kemi punët!”. S. M. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË