Kur një zyrtar i lartë shtetëror publikisht thotë diç që e dinë të gjithë se është në kundërshtim me të vërtetën, zakonisht, nga audienca përflitet për të keq. Por, e mira është se zyrtarët nuk merren me ata që bëjnë përflitje, madje as që brengosen se kush çka thotë, shkruan “Kosovarja”.

Kur zyrtarët përgjigjen në pyetjet e gazetarëve, e të cilët e dinë se po marrin përgjigje të rreme, ata i përngjajnë Nastradinit, që dilte fitues në çdo lloj përgjigje.

Nastradini dhe zyrtarët tanë shtetërorë kanë shumë të përbashkëta, por mashtrimin për të të bindur e kanë të njëjtë si rasti i Nastradinit.

Kur e pyetën Nastradinin ku është mesi i botës, ai tha:
“Te kunxhi i gomarit tim dhe po qe se nuk besoni mateni!”.

E, në pyetjen sa yje ka qielli, ai thotë:
“Qielli ka aq yje sa ka qime edhe gomari im, e po qe se nuk besoni numërojani qimet gomarit tim!”.

Nastradin, a di ku është e vërteta? – e pyetën njerëzit.
“Gjejeni ku është ajo e unë u tregoj më pas!”, ua kthen ai.

Pse bota habitet me politikanët tanë?
Politikanët botërorë sa herë që vijnë Kosovë po habiten me luksin e politikanëve tanë, sepse 12.5 milionë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit, nga njerëzit e pushtetit, gjatë vitit 2018.

Krahasuar me vitin 2017, ka pasur rritje prej 24.7 për qind të këtyre shpenzimeve, apo gati 2.5 milionë euro më shumë!

Edhe për darka zyrtare brenda dhe jashtë vendit, institucionet kanë shpenzuar miliona euro!

Ndërkaq, qytetarët e rëndomtë të Prishtinës ballafaqohen me pengesa trafiku, e që ndodh çdo ditë, madje edhe kur ndonjë zyrtar yni del nga shtëpia, por edhe kur kthehet në shtëpi!

E, kur kësaj i shtohen edhe “kunxhat” e Shpend Ahmetit, bëhet kaos!

Për ta sqaruar më mirë këtë gjë, po e marrim shembull një polic që drejton trafikun. Ai, në vend që ta drejtojë trafikun mirë e ta racionalizojë kohën, i jep rëndësi më shumë komandës në trafik sesa tejkalimit të tollovisë.

Ja, kështu ndodh edhe kur kanë ndonjë ceremoni Thaçi a Haradinaj. Këta të dy, por edhe të tjerët rreth tyre, nuk merren me gjëra më sublime dhe më të rëndësishme, por rëndësinë e postit e shohin në promovime dhe me tollovi në qytet, ku në çdo 20 a 30 metra është nga një polic, i cili tregon se kah duhet lëvizur qytetari.

Dhe, në ç’stil se? Në stilin e batutës kur forcat serbe me tanke kishin hyrë nga Merdare…

Në Podujevë, një qytetar u kishte thënë: “Drenica drejt!”.

Po ashtu, edhe një batutë tjetër që tregon diçka për ata që nuk merren me lepurin, por me fërkemin:

Nastradini kishte hipur në barkë dhe shkonte mysafir. Gjatë udhëtimit barka përfshihet nga valët e mëdha dhe stafi i barkës shpejt i lëshon velat.

Disa hipin në litarët e velave e disa punojnë punë të tjera. Me këtë rast, Nastradini i drejtohet një burri që kishte hipur në litarin lart, duke i thënë: “O zotni, barka përmbyset poshtë e jo atje ku ke hipur ti!”.

Kështu po e imitojnë Nastradinin edhe qeveritarët tanë. Nuk po shohin se ku kanë shkuar gjërat për të keq, por bëjnë ceremoni thuajse këtu çdo gjë është në rregull.

Pak frikë për zyrtarët
Nuk është e mundur të flasësh për këtë qeveri e pari presidenciale pa treguar batuta, nëpërmjet të cilave qytetarit i mbushet mendjen se gjërat s’kanë ku të shkojnë më keq.

Po e tregoj një ndodhi për një ish – funksionar me emrin Stane Dollanc, ish-ministër i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë.

Ai shkon te berberi t’i qethë flokët. Flokët i kishte të rralla dhe berberi nuk kishte si t’ia shkurtonte se gërshërët nuk kishin çka të prenë.

Në atë kohë në Kosovë kishin ndodhur demonstratat e viti 1981 dhe berberi, për t’u liruar prej tij, e gjen mënyrën. E pyet Dollancin si është gjendja në Kosovë…

Me t’ia përmendur demonstratat në Kosovë, Dollancit i ngrihen flokët përpjetë dhe berberi shpejt ia prenë ato pak flokë që i kishte…

Edhe te ne, diç e ngjashme po ndodhë me zyrtarët e lartë. Jo me të gjithë, por me disa që kanë poste. Ata po frikohen nga Gjykata Speciale. Si ma merr mendja, nuk e bëjnë gjumin rehat…

Sidoqoftë, me Gjykatën Speciale shpresohet se dikujt do i ndalet llogaria e hajnisë shtetërore.

Zoti ua dha mendjen shqiptarëve, por ua mori!
Vjen një i huaj mysafir në Kosovë. Del në qytet të pijë kafe. Sheh se kafenetë janë të mbushura me njerëz.

“Pse kafenetë janë të mbushura me njerëz? A nuk punojnë askund, a?”, pyet kamerierin.

“Punojnë, por ne jemi shumë. Disa punojnë e disa rrinë se Prishtina i ka mbi 1 milion banorë”, i thotë kamerieri, duke u munduar të lavdërohet.

“E, 30 komunat e tjera, a vetëm 700 mijë banorë i kanë, a?!”, ia kthen ai.

Kamerieri mundohet ta gënjejë mysafirin vetëm e vetëm që të mos e hedhë poshtë popullin se i vinte turp që pakkush punonte…

Mysafiri i tregon kamerierit se në Gjermani, në kohë pune, rrallë hasësh në njeri që rri në kafene. Nuk ka badihavxhij, por ka punë. Nuk ka njerëz që përgojojnë, por ka njerëz që dinë të tregojnë vetëm për punë.

Pra, sipas tij, vendi ynë qenka vend i badihavxhijve… Se, te ne, shumica rrinë zgjuar natën, kurse flenë ditën…

Që t’ia bëjë bajat, ai i thotë:
“A pak të dukemi se jemi të aftë, o mysafir, a? A e di ti se shqiptarët janë zgjedhur populli më inteligjent në botë?”.

Ai ia kthen:
“Lëre aman, inteligjencën, kur të gjithë rrinë e nuk punojnë!”.

E, si t’i përgjigjej, hë? Ishte vështirë, paksa… Sepse, një ditë, në kafene, një koleg imi, tha se Zoti na e dha mendjen neve, shqiptarëve, por na e mori, pasi që nuk po na duhet gjë!

Kur shtetit i ngatërrohen punët
Krejt jemi mirë, por punët pak i kemi të ngatërruara. Demek, kur themi pak, e kuptojmë se i kemi punët krejt llugë.

Kur themi mirë, e kuptojmë se jemi para vdekjes. Kur nuk kemi para, nuk themi nuk kemi, sepse fjala s’kam ndjell skamje, thonë besëtytët.

Por, përsëri, për ta dëshmuar sa shumë jemi të ngatërruar, duhet të flasim përmes shembujve. Një burrë e kishte ngarkuar gomarin me shalqinj. Bërtiste të madhe nëpër katund: “Hajde bostan, hajde bostan!”.

Bërtiti sa bërtiti dhe gomari ia krisi me të veten. Palljet e gomarit nuk ndaleshin. Kur pa se gomari nuk po ndalej, i tha: “More i mallkuar, a po shet ti bostan a unë!”.

Kështu, na janë ngatërruar punët edhe neve. Nuk dihet kush është pronari e kush gomari! Kush shet e kush blen!

Duan të na bëjnë shtet me zor! Na kanë marrë në qafë, ore! Jemi mësuar pa ligje, si në “Perëndimin e egër”, në versionin kaubojçe!

Shoh alamet zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra që nga veshja janë “zibidi”. Merreni me mend si dukej njëri prej tyre: pantallona xhins, këmishë të gjatë, mbi këmishë jakne të shkurtër deri nën brinjë!

E, a kjo qenka kulturë për zyrtarë të lartë, a?! Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË