A mbajnë shtet dallaveraxhinjtë? Kjo është një pyetje që duhet shtruar sot çdo shqiptar, i cili do të mendonte si ta ndryshojë shtetin, shkruan “Kosovarja”.

Para lufte ish-pjesëtarët e MUP-it të Serbisë e kishin ftuar në bisedë informative një punonjës teknik të ndërmarrjes “Rilindja”. E kishin pyetur se ku i ka të bijtë që kishin ikur nga shtëpia për të mos shkuar në ushtrinë serbe.

Me kaq ishte mbyllur biseda informative për njeriun e stafit të kësaj ndërmarrjeje.

Dhe, me t’u kthyer në zyrë, ai e kishte angazhuar një gazetar, shok të vetin, që t’ia bënte një lajm sa më sensacional për maltretimin e tij nga policia serbe, që i kërkonte djemtë për ushtri.

E, gazetari kishte shkruar atë që kishte kërkuar ai… Të nesërmen, po ashtu, e thërrasin në polici, sepse e kishin parë lajmin e tij në gazetën e ditës, e që nuk përkonte me realitetin. Inspektori nga Novi Sadi e kishte pyetur:

“Edhe dje ke qenë këtu, te unë, apo jo?”.
“Po”, i përgjigjet ai.
“A t’kam rrah, a t’kam maltretu?”.
“Jo”, ishte përgjigja e tij.

Dhe, pas atyre pyetjeve inspektori nxjerr nga sirtari gazetën e ditës, “Shkëndijën”. Në të ishte mu lajmi i shkruar për të…

“Po kjo që shkruan këtu, ç’është?!”, i thotë ai.
“Gazetari ka shkruar. Unë nuk di…”, ia kthen ai.
“Po, a?!”, i thotë i qetë.

Dhe, pa një e pa dy i hynë pendrek derisa ia mavijosë trupin…
“E tash, shko e shkruaj se, vërtet, të kam rrahur e maltretuar!”, i thotë ai teksa e urdhëron të del nga zyra e tij…

Kthehet i maltretuari në zyrë dhe kur e shohin shokët e punës në ç’gjendje ishte, secili ndien keqardhje.
“A do të shkruaj prapë se, vërtet, të paska rrahur keq?”, e pyet gazetari.

“Jo, burrë, hiqu asaj pune se ia kam pa sherrin atij lajmi!”, thotë ai, teksa e këshillojnë që të shkojë në shtëpi e të mos e shohin të tjerët në atë gjendje…
Andaj, rrena nuk qon peshë në kandar…

Pse disa parti për gjithçka i drejtohen Gjykatës Kushtetuese?
Dhe, kjo, pa dashje, e ka një krahasim me disa parti politike e pushtetarë që sot i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çdo gjë, kur atyre nuk u ecë kungulli mbi ujë!

E, për të mos e ngatërruar këtë tregim me shpjegim juridik, po e marr një shembull që ta kuptojë populli se nuk duhet të mësyhet ajo derë për pushtetarët që duan ta zgjasin pushtetin me çdo kusht, madje edhe kur humbasin…

Vonesa e bërjes së shtetit me dy organet më vitale, parlamentin dhe qeverinë, dihet se do të ketë kosto të lartë. Edhe KQZ-ja e Gjykata Kushtetuese, meqë herë dilnin me një qëndrim e herë me një tjetër, e kishin një anim politik!

NISMA dhe “Vetëvendosja” u ankuan në gjykatë për gjithçka… E, kjo të jep të kuptosh sikur të kontestohet një vegsh, i cili dihet se po zien fasule mbi shporet.

E dimë që aty po zihet fasule dhe po e kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese se çka po zihet brenda vegshit!

E, përgjigja e Gjykatës është se do të presim për të parë gjellën që e kemi vendosur vetë në vegsh. Mbi të gjitha, duhet të vjen kuzhinierja dhe të tregojë pse e ka mbushur vegshin me fasule e jo, bie fjala, me patate!

Për këso gjërash populli e ka një fjalë të qëlluar: “Shteti nuk mbahet me rrena”!

Rrenat s’kanë të ndalur…
Kishte shkuar një njeri i pasur në një fshat për të gjetur nuse për djalin e vet dhe si bazë të vlerësimit e kishte marrë një parim: ajo vajzë që kishte më së paku bërllok në shtëpi do të bëhej nuse e djalit të tij.

Hyn në një shtëpi dhe e pyet një vajzë:
“Po kërkoj bërllok me mbledh!”.
E, ajo i kishte thënë se kishte sa të donte…
“Kah të kthehem e marrë!”, ia kthen ai.

Hyn në derën e dytë dhe njëjtë. E, kur hyn në derën e tretë, një vajzë i thotë se në shtëpinë e saj nuk ka bërllok, sepse ajo vetë e pastron shtëpinë tri herë në ditë.

Andaj, mu ajo vajzë edhe bëhet nuse e të birit të tij.
Ky tregim i përgjigjet më së miri situatës së shtetit tonë, Republikës së Kosovës. Politikanë tanë abuzojnë me tenderë, vjedhin me të madhe. E, gjyqësia bëhet kinse nuk di gjë…

Edhe partitë që financohen nga shteti luftojnë për të hipur në pushtet. Dhe, derisa e marrin pushtetin e gënjejnë popullin për çdo gjë, kurse më pas popullin nuk e shohin katër vite me radhë!

Pra, në Republikën e Kosovës nuk gjen sende të mira e të mbara, si ajo vajza me pak bërllok, por me bollëk gjen të këqija, sa të duash…

Nëse merr shembull arsimin, s’ke si të mos marrësh shembull dallaveret që bëhen me rastin e pranimit të studentëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë.

Nëse i pyeteni studentët absolventë se si janë regjistruar dikur, të tregojnë haptazi se janë regjistruar me para. Çmimi, sipas tyre, ishte edhe deri në pesë mijë euro!

Për Gjykatën Kushtetuese folëm më lartë, e edhe për vegshin e fasules, po ashtu… E, për korrupsionin në gjykatat tona s’ka çka të thuhet, sepse gati çdo ditë lexojmë se çka po ndodhë në to…

Dhe, ata që flasin e debatojnë çdo ditë për funksionimin e shtetit, mu ata më së shumti edhe abuzojnë me shtetin dhe mosfunksionimin e tij!
Prandaj, Kosova është vend i çudirave, a?!

Pata shikuar filmin “Shekulli madhështor”. Para qindra vitesh, ai, sulltani i madhërishëm, Sulejmani, ua hiqte kokat stafit perandorak nëse kapeshin në hajni apo në ndonjë lloj krimi ekonomik. Pra, e zbatonte ligjin edhe para 600 vitesh!

E, tash, në shekullin XXI, ende politikanët tanë nuk marrin asnjë lloj përgjegjësie për asnjë shkelje ligjore!

E prenë degën ku rri vetë!
Kishte hipur një njeri mbi degë lisi dhe po e prenë degën ku qëndronte ai vetë. Kalon aty pari Nastradin Hoxha dhe, posa e pa se po e prenë degën ku ai qëndronte vetë, i tha:

“O njeri, do rrëzohesh se po e prenë degën ku ti rri vetë!”.

Druprerësi i tha:
“Shiko ti punën tënde! A nuk ke me çka tjetër të merresh, por me mua, a?!”.

Nastradini vazhdoi rrugën, kurse ai bie nga lisi posa e prenë degën… Kur ra në tokë tha se kalimtari paska pas qenë profet dhe i sulet pas. Kur e arriti, i tha:

“Ti qenke profet! Më trego kur do të vdes?”.
“Nuk di kur do të vdesësh ti!”.

Ai nuk e lëshonte Nastradinin të ecte tutje pa i treguar.

Dhe, kur Nastradini pa se ai nuk do e lëshojë dot, i tha:
“Ti do të vdesësh kur të rrëzohet tërë lisi!”.
“E, si po e di?!”, e pyeti.
“Sepse, ai të shtypë dot!”.

Andaj, edhe pushtetarët tanë janë të tillë. Nuk dinë se po rrëzohen edhe kur e humbin pushtetin. Të tillët mendojnë se ende mund të del ndonjë gjë, helbete… Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË