Nuk ka më mirë se të nisësh një shkrim me Milaim Zekën! Se kam pasur kurrë dost, as farefis, por na lidhi Ramushi! Po mendoj dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Milaim Zeka tha diçka reale dhe të sinqertë, edhe pse si dihet fort cilës i përket më shumë e vërteta që e tha ai.

Tha se 95% e njerëzve në Kosovë janë gëzuar, ani pse dalin dhe thonë se u dhimbset Ramushi! Demek, qajnë fals!

Unë e pash një njeri, të cilit i rrinte mirë dhimbja në fytyrë, kur Ramush Haradinaj shpalli parevokueshëm dorëheqjen. Ai ishte Halil Matoshi. Te Halili pash buzë e hundë bashkë dhe kjo nuk kishte si të mos reflektonte mërzinë e tij.

E patëm të zymtë atë ditë, por jeta vazhdon. “Zendagi Migzara” e kishin pasur traditë ta thoshin afganët kur i kishte okupuar Bashkimi Sovjetik, më 1975.

Dhe, nëse ata kanë parë nën Bashkimin Sovjetik se jeta vazhdon, edhe ne nuk kemi si të mos qeshemi me të ardhmen e Kosovës, madje edhe nëse jemi duke i fshirë lotët për Ramushin që shkon në Hagë.

E shihni se kanë marrë ftesa mbi 60 ish-pjesëtarë të UÇK-së! Një kolektivitet i tërë UÇK-istësh, një temë për të cilën na thoshin se nuk degradon UÇK-ja kur të shkojnë në Hagë disa persona që kanë luftuar me këtë uniformë…

Madje, kush thoshin – ndërkombëtarët dhe Hashim Thaçi! Ndërkaq, 82 deputetë e votuan specialen, kurse tri parti ishin kundër: Vetëvendosja, AAK-ja dhe NISMA. Pra, një votim me disa fytyra…

Hashim Thaçi është ai që ka luftuar më së shumti për themelimin e kësaj gjykate. E tash, kur sheh njeriu se si shkon në Hagë Ramushi i AAK-së, që nuk është pajtuar me formimin e kësaj gjykate të themeluar nga Hashimi me PDK-në dhe me disa të tjerë afër tij, nuk ke si të mos aludosh në dhimbjen fals që tha Milaimi.

Dik Marti ka qenë njeriu që i ka dhënë shtytje formimit të Gjykatës Speciale, por akuza e tij e ka pasur një emër të shquar, e ai ishte hiq më pak se Hashim Thaçi!

Andaj, mbi 60 vetë të luftës kanë marrë ftesa nga specialja dhe nuk dihet edhe sa tjerë do të marrin…

Duhet ta kujtojmë ish-diplomatin amerikan, Xhejms Rubinin, kur para nja 5-6 vitesh u tha në Prishtinë atyre që kishin tru se është koha që krahu i luftës të pushojë nga të bërit politikë.

Kjo i bie që vetëm Jakup Krasniqi kishte tru, e të tjerët kishin vetëm vesh! Ai iku nga politika, kurse të tjerët vazhduan, e skenari i përfolur i Rubinit do të jetësohet.

Dallimi është vetëm nga mënyra e realizimit. Ata që e kanë kapur shtetin duhet të ikin nga politika!

Por, këtë nuk po ia atribuojmë Ramushit. Fjala është për njerëzit e konceptit të Nolit në stilin “natën të vrasin, ditën të vajtojnë.

Sidoqoftë, shteti i Kosovës është kapur dhe për më keq është mbushur me politikanë të pasinqertë! Në një koncept filozofik, shteti është shtëpia. A do të mbushej shtëpia pafytyrllëk nëse udhëhiqet nga njerëzit e pasinqertë? Përgjigja është po.

Serbia ka bërë krime në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kroaci, e nuk ka ngulur këmbë kurrë të themelojë gjykatën që i dënon serbët.

E Kosova, përmes do burrave të politikës, u bë copë derisa e themeluan gjykatën.! Ata që e themeluan, me gjasë, kanë dëshirë t’u këndohen këngë të bukura nga ndërkombëtarët dhe duke menduar se nën këmbët e bukura do ta mbajnë bajrakun e lidershipit, tash janë pishman, por vonë.

Dhe, për ta treguar krejt këtë mesele, është një ngjarje e jetuar apo e sajuar, por i përngjanë këtij varianti:

Kur kish vdekur dikush, e kishin pas vajtuar vajtoret. Një burrë, kur pa se si e madhëronin të vdekurin vajtoret, me të ardhur në shtëpi, i tha gruas:

Nuk ishte keq me vdekur! Sa kënga për atë burrë e sa vaji u bë, qysh mos me desh vdekjen!”.

Gruaja i tha:

“A bash të erdhi mirë, a?!”.

“Po”, i tha burri.

“Nëse do me të këndua, bjer këtu dhe po të këndoj edhe unë”, i tha gruaja.

Burri ra si i vdekur, gruaja e mbuloi me qefin dhe nisi e po e këndon burrin:

“O burrë, eh bre, njeriu që ke qenë! Çka bën tash shtëpia pa ty, çka bën katundi e çka bën populli?!”.

Në vajtim e sipër burrit nisin t’i shkojnë lotët. Kur e pa gruaja që po qanë, i tha:

“Qohu se nuk i ke pas krejt këto të mira! Por, adeti ishte me të këndu”. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË