Ka lajme pa ndalur për koronavirusin. Mbrëmë, kah ora 23, dola për t’u bindur me gjendjen momentale në rrugën “Muharrem Fejza”, në lagjen “Mati 1”, të Prishtinës, shkruan “Kosovarja”.

Rendi i njerëzve në barnatoren e parë afër banesës ku jetoj, ka vërshuar për maska dhe barëra që forcojnë imunitetin!

Farmacistja u preferon vitaminë C. Unë kërkoj alkool medicinal për pastrimin e duarve, ashtu qysh e kam blerë, zakonisht, me vite të tëra.

Çmimi ka qenë 50 centë. Maska, për kuriozitet, i bleva tri sosh dhe tre alkool medicinal, që gjithsej bënë 7.50 euro.

Kjo i binte se alkooli medicinal është ngritur nga 50 centë në 1.50 euro! Tri maska nga një euro, barazi 3 euro, plus alkooli medicinal 4.50 euro, gjithsej 7.50 euro!

Dhe, me t’u gdhirë, mendoja se do të jetë një ditë ndryshe nga ditët e tjera. Shumë më pak njerëz në rrugët e kryeqytetit.

Ditëve të tjera, tollovia në trafikun e rrugës “Muharrem Fejza”, në mëngjes, është e tmerrshme në drejtim të qendrës.

Sot, tërësisht e lirë për kalim. Bëra veç një minutë rrugë nga Shkolla “Pavarësia” e deri te rrethi me emrin “Rruga B”.

Njerëzit nxitojnë, si në frymën e ditëve të luftës! Blejnë gjëra dhe ikën duke nxituar! Nuk përshëndetet askush me askënd…

Ecin si pa kokë dhe kjo ma kujton zymtësinë e luftës në vitin 1999, derisa njerëzit bridhnin rrugëve, duke thënë se vetëm hijen e kemi këtu e trupin diku tjetër, në korridorin e premtuar nga presidenti maqedonas Kiro Gligorov!

E, para pak ditësh u fol edhe për një korridor të ri nga një ministër i qeverisë Kurti!

Por, për dallim nga ne, që e ndjejmë atë frymë të vitit 1999, të rinjtë, që janë lindur pas këtij viti, e shohin se çka do të thotë zbrazja e rrugëve dhe shkollave.

U duket pak i pazakontë ky ndryshim në jetën e tyre. Drini im, që i ka 17 vjet, pyet nëse kështu ka qenë ndonjëherë atmosfera e të jetuarit nën frikë dhe panik…

I tregoj se kjo atmosferë ma kujton luftën, para se t’i braktisnim shtëpitë tona përballë një makinerie vrastare, që na vinte pas, për të na depërtuar deri në kufi dhe ta konsiderosh, madje, falënderuese nëse nuk të rrihnin a të vrisnin!

Edhe sot, lajmet që po jepen, janë të tmerrshme: Në Shqipëri 33 të infektuar me koronavirus, e në Kosovë sot dhjetë raste po testohen…

Hoxha, ndërkohë, thirr ezanin në orën 12, por xhematin nuk e ka të sigurt këtë të premte. Më sevap është të mos prekesh nga virusi, sesa ta falësh një vakt xhumaje, i dëgjova teksa flisnin ndërmjet veti disa të rinj…

Por, edhe një gjë ma kujton luftën me koronavirusin: Kur luftohej në Drenicë, në vitin 1998, shumë drenicas vinin në Prishtinë dhe prishtinasit i quanin refugjatë.

Kafenetë punon 24 orë në kryeqytet. E, aso kohe mendonim se Drenica ishte larg, e një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe në Prishtinë!

Edhe tash, para një a dy muajsh, i shikonim stroriet televizive kineze, ku mjekët luftonin me koronavirusin për të shpëtuar jetë njerëzish të infektuar.

Shihnim se si vdisnin edhe mjekët teksa luftonin për pacientët! Por, kush ka besuar se një gjë e tillë do vjen një ditë edhe te ne…

Dhe, atmosfera kineze e para dy muajve, ka nisur të bartet te ne, në Kosovë, edhe pse deri më sot, shyqyr Zotit, nuk është konfirmuar asnjë rast i infektuar.

Ndoshta me kohë qeveria ka marrë një varg masash parandaluese: Shkollat dhe fakultetet janë mbyllur, rrugët janë duke u zbrazur, qytetarët po e krijojnë logjikën e vetizolimit…

Por, më mbanë shpresa se e kemi fituar luftën e vitit 1999 kundër virusit me emrin Serbi dhe do e fitojmë edhe luftën kundër koronavirusit kinez, me emër të Zotit! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË