Në këtë tokë të mallkuar të Kosovës legjendat dhe mitet janë si shejtanët: nuk të lënë t’i çelësh sytë për së gjalli. Kur njeriu kap mjetin e punës me dorën e djathtë, mendon se bën mirë.

Mirëpo, në të majtën hip shejtani dhe e urdhëron: Lëre se kjo nuk bën punë! Tamam e prek njeriu anën e djathtë të mendjes, në shenjë falënderimi se i erdhi një ide për të bërë një progres për shtetin, në anën e majtë të mendjes zbret shejtani dhe ia prish projektin e të mirës.
Pra, këto ndodhin te ne, në tokën e mallkuar, mbushur me shejtanë. E, ata janë disa politikanë tanë që po e vjelin Kosovën…

Kam pasur fatin të rritem në odë. Vinin burra nga të gjitha anët dhe bënin muhabet për tema të së kaluarës, të politikës aktuale, nga jeta e përditshme me halle e deri te vdekjet…

Këngët e ciklit të kreshnikëve ishin këngët që dëgjoheshin më me ëndje se gjithçka tjetër. Madje, kishte burra që qanin kur këndoheshin këngët e Mujit e Halilit. Përloteshin burrat kur këndoheshin këngë nga luftërat me serbë dhe binte heshtja për ta kuptuar sa më mirë rapsodin.

Pra, Kosova ishte dhe është një vend për të cilin qahet shumë, vend për të cilin bien kambanat tërë jetën, vend i cili e ka të zgjuar kambanën vetëm për histori.

Sidoqoftë, ka shumë legjenda, të cilat japin shembuj se si dheu i Kosovës është një mallkim në vete. Është një mallkim që rrjedh nga rënkimet dhe gjëmat, tokë e larë në gjak ndër shekuj…

Një legjendë, duke treguar një ngjarje, paraqet një histori nga toka, dheu i Kosovës: Paskëshin shkuar të punonin larg tre vëllezër. Kishin bërë 30 ditë rrugë. Ishin ndalur në pronat e një beu. Beu ishte njeri me nam në atë vilajet.

Të tre vëllezërit punojnë aty rrafsh 18 vjet. Dhe, si ishte adeti i kohës, mateshin brengat me ëndrrat e natës. Një mëngjesi vëllezërit iu drejtuan beut, duke kërkuar prej tij të ktheheshin në shtëpi, se njëri prej tyre kishte parë ëndërr se nënës i kishte ardhur dita e vdekjes, por nuk do të vdiste pa i parë të bijtë.

Beu u jep leje dhe vëllezërit kthehen në vendlindje. Dhe, pasi bëjnë një muaj pushim, njëri thotë: “Kur të kthehemi në punë, ta marrim pak dhe Kosove me vete, që të çmallemi kur të na merr malli për Kosovën”.

Kur ata kthehen, beu i pret mirë, u jep edhe pak ditë pushim… Por, nuk kaloi as një javë dhe filluan grindjet ndërmjet vëllezërve… Një ditë beu vajti te fallxhiu për të kuptuar pse po grindeshin punëtorët e tij. Fallxhiu i thotë beut se vëllezërit kanë sjell një grusht dhe nga vendlindja e tyre dhe se ai është dhe i mallkuar. Andaj, po qe se nuk e largojnë nga shtëpia ku edhe e mbajnë, do të grinden rregullisht…

Beu ua kërkoi dheun, ua largoi nga dhoma dhe pas një kohe vëllezërit u qetësuan…

Heu, tha beu, ç’dhe na qenka ai që i bëri vëllezërit të grinden ndërmjet veti?!

Qentë lehin, karvani ecë tutje!

Në kohën e fëmijërisë sime, ndër të tjerash muhabete, e që bëheshin në odë, ishte edhe puna e Kosovës. Një dijetar i anës sonë thoshte vazhdimisht se pa luftë nuk zgjidhet çështja e Kosovës…

“Ka me ardh ni zaman, që për Kosovën ka me u ba luftë e madhe. Ka me u nda bota në dysh. Ka me u prish bota për neve, se jemi urë e botës. Edhe armiqtë kanë me u bë miq tanë…”.

Tash, në këtë moshë që jam, i mendoj shpesh ato fjalë dhe gjej prej asaj fjalie sa të rëndësishëm jemi dhe sa e rëndësishme është Kosova…

Nganjëherë më shkon mendja se jemi krejt legjenda. Ky shtet është krijuar nga legjendat dhe nga përrallat, nga mallkimet dhe rënkimet, nga gjaku dhe nga trishtimi, nga shpërnguljet dhe eksodet. Të gjithë armiqtë që i kemi pasur kanë bërë plane e projekte për të na zhdukur si popull, por kurrë nuk kanë arritur.

Na kanë dëmtuar shumë, por nuk kanë arritur të na zhdukin. Kurrë nuk kemi qenë më shumë se dy milionë në Kosovë, por as më pak. Na kanë vrarë e prerë e ne sërish me numër njëjtë. Na kanë përzënë e na kanë djegur e ne sërish me numër njëjtë.

Populli ynë tash ka pse të krenohet: e ka fuqinë më të madhe në botë – e ka Amerikën me vete… Andaj, ky vend i mallkuar, kjo tokë e mallkuar, tash është sferë interesi strategjik i një projekti global, ku i ndeshin brirët më të fortit e botës.

Prandaj, edhe ne tash flemë zbathur, se boll kemi fjetur me rroba veshur gjatë luftës së vitit 1999. Kot thonë pak eurodeputetë se ka qenë gabim njohja e Kosovës… E, populli ynë, po nga vendi i mallkuar, u qon fjalë eurodeputetëve të tillë se ne e kemi një fjalë të popullit që thotë: “Qentë lehin, karvani ecë tutje!”.

Theret e gardhiqet…

Tregimi më i mirë është kur nisi të flasë në telefon ime grua… Kështu, edhe unë po e nis këtë storie për theret e gardhiqet…

Një natë, teksa fliste ime grua në telefon me motrën e vet në Amerikë, dëgjoj teksa i tregon edhe për theret e gardhishtet, për thanat e lisat…

Motra e saj ka vite që nuk ka ardhur në Kosovë, në tokën e mallkuar…

“Si është lulja që qel para thanës?”, e pyeti ajo.

“Është mirë. Por, është vjetruar, bash si gardhi ynë dikur”, ia ktheu kjo.

“E, afër gardhit, a është ende ajo lulja që e mbështillte kajsinë?”.

“Është ende, por gardhi është ngushtuar se komuna e ka ndërtuar rrugën e re dhe është dashtë ta prishë një pjesë të gardhishtes”.

“Pse e keni lejuar ta prishin gardhin? Këtu, te ne, po të ishte ai gardh e lënë për muze…”.
Dhe, një bisedë e gjatë, maratonike veç për theret e gardhishtet…
E, tek pastaj për njerëzit…

“Po, motër, ai… axha… ka vdekur, i thotë gruaja”.
E ajo, në vend se të ndiente keqardhje për vdekjen e tij, i thoshte se boll ka jetuar, i ka hëngër vjetët…

Pra, për njerëzit e vdekur nuk u brengosë, e për thera e gardhishte po…

Çudi, a?

Jetojnë në Turqi si milionerë, duan të varrosen në Kosovë!

Shikoj televizorin, një emision me shqiptarët e shpërngulur në Turqi në vitet 50 – 60. Aso kohe rreth gjysmë milioni shqiptarë kanë ikur për në Turqi nga dhuna serbe. Atje, pas shumë përpjekjesh e vuajtjesh, disa prej tyre kanë arritur të bëhen edhe milioner.

I shikoj teksa qajnë e sa të përmallur janë. I kujtojnë njerëzit, fqinjët, por më shumë i kujtojnë tokat, theret e fushat. Njëri thotë: “Kam mall edhe për therrat e mymleqetit” (fjala është për Kosovën).

Sidoqoftë, të gjithë ata që kanë edhe pasuri e jetë të mirë, e kanë një amanet: Të varrosen në dheun e Kosovës!
Pra, dëshirojnë të varrosen në tokën e mallkuar, siç e përmendëm më lart, në fillim të këtij shkrimi…

Pra, nga kjo shihet se Kosova është tokë e mallkuar, por tokë e bukur, me thera të ëmbla, e ku të gjithë duan të vdesin e të varrosen këtu…

Megjithatë, dallojmë shumë me Perëndimin edhe me faktin se toka e Kosovës nuk e duron shumë urbanizimin, sepse ia neutralizon legjendat dhe mitet. A ka kund më shumë përmendore e flamuj se te ne, në tokën e mallkuar?

Kaloj rrugës transit, që lidhë rrugën e Llapit me atë të Mitrovicës, dhe hasi në disa varreza. Disa varre kanë nga një flamur kombëtar, që valon sipëri. A nuk mund të shënjohen këto varre me një flamur të vetëm në hyrje të varrezave?

Nuk u mjafton ta kenë një flamur kombëtar, por duhet secili varr ta ketë nga një flamur? Edhe nëse janë dëshmorë, edhe nëse janë viktima të luftës, respekt për ta… Ata nuk janë fajtorë që të gjallët nuk janë organizuar për t’i nderuar me një flamur të vetëm…

Herën e fundit kam qenë në Gjermani në ditën kur ishte edhe 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe pash se e tërë Gjermania nuk ka flamuj sa ka Kosova…

Te ne, për çudi, pothuajse edhe çdo pullaz shtëpie ka flamur! Pra, Flamuri Kombëtar vendoset kudo dhe pa asnjë kriter…

Kjo ma kujtoi edhe një ndodhi në odën e tim ati, teksa vinin mysafirë të ndryshëm. Burrat që vinin në odën e babait e përdornin thënien: “Filan burri është bërë si cungu në derë të kovaçit!”.

Kur jam rritur kam mësuar se cungu i kovaçit rri te dera dhe kushdo që hyn e afron apo e largon sipas nevojës që të ulet…

E, ai që nuk do të ulet në të edhe mund ta shtyjë anash…

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË