Vesa qe dashuruar aq shumë në Ardin, sa nuk dinte të mendonte për asgjë tjetër, madje as për kontracepsionin. Por, kjo i kushtoi shumë, meqë në moshën 17 vjeçe mbet shtatzënë dhe nuk dinte si të vepronte, shkruan “Kosovarja”.

“Kur isha në vitin e parë në shkollën e mesme të mjekësisë, jeta ime më dukej si një përrallë dashurie. Ardi dhe unë qemë dashuruar në shikim të parë.

Ai ishte djali më i bukur dhe më i mirë që kam takuar ndonjëherë. S’kisha dëshirë më të madhe sesa të jetonim bashkë përgjithmonë.

Dhe, po kështu mendonte edhe ai…

Mendoja se nuk është edhe aq lehtë që të mbetëm shtatzënë
Edhe pse nuk bisedonim për seks dhe as që e kërkonte ai një gjë të tillë nga unë, na ndodhi kjo gjë spontanisht, pa menduar shumë.

As që mendova se mos është tepër herët kjo punë. Madje, as që e pash të udhës të konsultohesha me gjinekologun.

E di: isha e marrë! Disi mendoja se nuk është edhe aq lehtë të mbetesh shtatzënë nga një marrëdhënie e vetme seksuale.

Kur pash se nuk më vinin menstruacionet, nuk pata brengë më të madhe. Të vjellat që i pata mendova se ishin pasojë e ndonjë ngacmimi në lukth.

Parashikimet e zeza
Meqë menstruacionet nuk më erdhën dy muaj, më kapluan parashikimet e zeza.

Dhe, një ditë, bashkë me Ardin, vajtëm te mjeku, i cili, pasi bëri testin, duke tundur kokën në shenjë keqardhjeje, e tha atë, nga e cila edhe e kishim frikën: isha shtatzënë!

Dhe, s’bënin punë as lotët e as asgjë tjetër. Ardi dhe unë do të kemi fëmijë. Për abortim as që bëmë fjalë, sepse ai fëmijë, pa marrë parasysh që nuk e kishim planifikuar, ishte fryt i dashurisë sonë.

E dija se për mua ishte brengë e madhe, por më shërbente si ngushëllim i madh Ardi im, sidomos tani kur edhe u kishim treguar prindërve se na kishte ndodhur…

Nëna ime u lëshua në vaj, kurse babai u zverdh. Më tha se më nuk do e kemi aq lehtë si përpara…

Pos të vjellave të herëpashershme, shtatzënia ime nuk qe shumë e vështirë. Në shkollë vajta deri në kohën kur nuk më dallohej edhe aq shumë barku i fryrë.

Linda dhe…
Në kohën kur po e lindja foshnjën, nëna ime më qëndroi te koka. Dhe, kështu, e pa botën me sy foshnja ime, Jeta.

Tash jetoj me Jetën dhe prindërit e mi, meqë një muaj para lindjes, Ardi im “i dashur” iku në Shqipëri, pastaj në Itali, ku thuhet se jeton edhe tash”, thotë Vesa.

Dhe, kur të vijnë mendtë humbin dhentë, thuhet në popull. Andaj, pa marrë parasysh fuqinë e emocioneve, kurrë mos lejoni të keni marrëdhënie seksuale në mënyrë të pamenduar!

Sepse, gjë romantike është të biesh në dashuri, por pasojat e dashurisë nuk janë përherë romantike! D. H. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË