Që nga atëherë kanë kaluar 4 vjet, e kujtimi i asaj nate, si një hije e zezë, më ndjek kudo dhe më bën të dridhem nga turpi, shkruan “Kosovarja”.

“Pas shkollës së mesme, një mik i babait më punësoi në firmën e tij private si sekretaresh. Në fakultet s’u regjistrova, meqë nuk i doja edhe aq librat. Gjithnjë kam ëndërruar të jem e pavarur, të shëtis dhe të vishem bukur”, tregon Anisa, 23 vjeçe, nga Gjakova.

“Kisha kaluar fazën e çapkënllëqeve të rinisë, kisha pasur tri lidhje të shkurtra dashurore dhe tani prisja që në jetën time të shfaqej një mashkull serioz, i vendosur, me të cilin do të martohesha dhe të krijoja familje.

Si u dashurova në zërin e tij?
Puna ime më së shumti kishte të bënte me telefon, prej nga klientët, nga vise të ndryshme të Kosovës, porosisnin mallin.

Dhe, përmes bisedave telefonike, në veshin tim vinin zëra të llojllojshëm. E, nga e gjithë ajo mori zërash, i vetmi që më pëlqente dhe më dukej si një melodi e bukur ishte ai i një klienti nga Prishtina. Përveç porosisë ai interesohej edhe për mua…

Pas punës së lodhshme zëri i tij vinte si këndellje, si çlodhje… Herë-herë ishte edhe bisedë e lirshme, me shumë shaka, që ma shtonte disponimin.

Një ditë më tha se quhej Leon dhe se në firmën e tij punon ekonomist dhe i pamartuar.

Kalonin ditët e zëri i tij mu bë i nevojshëm. Kur kalonte një ditë pa telefonuar nuk më zinte vendi-vend. Katër muaj të tërë i shprehëm ndjenjat tona përmes telefonit.

Pas kësaj kohe u bëra kureshtare ta njihja edhe nga afër. Pastaj, kureshtja u kthye në padurim…

Ëndrra ime po realizohej
Pas katër muajsh, ai i pari e shfaqi dëshirën që të njiheshim dhe vikendin e ardhshëm ta kalonim së bashku në Prishtinë. E, unë këtë e kisha pritur prej kohësh…

Prita nja gjysmë ore dhe, kur i humba shpresat se do vinte, nga prapa dëgjova një zë.
“Ti je Anisa”, ishte zëri i tij, po ai i telefonit.

Kur ktheva kokën, mbeta e mahnitur: një djalë i pashëm, shtathedhur, rreth të tridhjetave qëndronte prapa meje…

Kujdesi i tij, sjellja prej xhentëlmeni, pijet, darka dhe çdo gjë tjetër atë natë ishte e përsosur. Isha e dehur nga lumturia…

Andaj, edhe nuk pata shans ta kundërshtoja kur më tha që të shkonim në banesën e tij…

I keqpërdori ndjenjat e mia të sinqerta!
Koha që e kaluam në atë banesë ishte me shumë fjalë të ëmbla, me shumë premtime, puthje të zjarrta…
Pas mesnate më ftoi të dilnim jashtë.

“Kjo natë duhet të përfundojë me kaq”, më tha. “E kam gruan dhe dy fëmijë si drita dhe nuk dua t’i tradhtoj!”.

Mu duk se i gjithë qyteti më ra mbi kokë. Fjalët nuk më dilnin dot nga goja. Ai iku e unë mbeta e vetmuar, e fyer, e poshtëruar…

Ndjenjat e mia të sinqerta ai i keqpërdori. Më kishte marrë për vajzë të përdalë…

As vetë se di se si shkova deri në stacionin e autobusëve.. Aty qëndrova deri në mëngjes, duke u rënë në sy udhëtarëve të rastit.

Me autobusin e parë u nisa. Doja të ikja sa më parë nga Prishtina, e që brenda një nate të vetme e ndërroi gjithë rrjedhën e jetës sime.

Hija e zezë më përcjellë kudo…
Dhe, që atëherë kaluan katër vjet, por kujtimi i asaj nate, si një hije e zezë, më ndjek kudo dhe më dridhet trupi sa herë që e kujtoj…

Shpesh i bëj pyetje vetes: A thua, tërë jetën do më ndjek gabimi i atij rasti? F. B. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË