Fatoni, ish-dashnori im i parë, kur mori vesh se jam martuar, filloi t’më sillte probleme, aq sa isha në hall të madh: t’i tregoja burrit apo të heshtja dhe le të del ku të del, shkruan “Kosovarja”.

Me Fatonin isha në lidhje dy vjet. I thashë të fejohemi ose të ndahemi, por ai sikur luante me mua – nuk i bëhej vonë për asgjë…

Andaj, me pëlqimin e tij i dhamë fund lidhjes sonë që zgjati mbi dy vjet.

Mirëpo, Fatoni, kur mori vesh se jam martuar, filloi t’më sillte probleme, madje më kishte quar fjalë se do i tregonte edhe tim burri për ish-lidhjen tonë…

Ai sikur nuk mund të besonte se mua më kishte humbur përgjithmonë dhe kishte menduar se do të rrija këmbëkryq e ta prisja.

I ra pika kur më pa me burrë për dore!
Pas një kohe, teksa shëtisja me tim burrë dorë për dore shëtitores së Prishtinës, u takuam ballë për ballë me Fatonin.

“Ti je imja. Nuk ke qare pa u martuar me mua!”, më shkroi sms posa u largua.

Në ato çaste u përmbajta, por një shqetësim, megjithatë, ma përshkoi trupin, gjë që e hetoi im burrë sado pak.

Tri ditë më vonë im burrë u shtrua në spital, nga një rrahje që ia kishin bërë në orët e vona të natës disa të panjohur. E dita menjëherë se ajo rrahje ishte e porositur nga Fatoni.

Dhe, një javë më vonë vjehrri im i dha fund martesës sonë, meqë kishte mësuar se djalin e tij e kishin rrahur njerëz të porositur nga ish-i dashuri im, gjë që e kishin pranuar në polici të prangosurit dhe, kështu, mbeta me gishta në gojë.

Fatkeqësia ime nuk kishte të ndalur…
Kështu, në kohën kur prisja që tashmë Fatoni do vinte në familjen time dhe do më kërkonte për grua, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kah t’ia mbaja tash? A duhej të provoja t’i kthehesha ish-burrit apo të gjeja burrë tjetër?

Doja t’i shkulja flokët me rrënjë, sepse edhe familja ime nga dita në ditë po hiqte dorë prej meje, aq më tepër kur shumë vendime i kisha marrë krye më vete dhe pa pëlqimin e tyre.

Më mbyste inati që Fatoni nuk lajmërohej, por kishte pasur qëllim vetëm të më ndante nga burri dhe hiq gjë më shumë…

Takimi me nënën e ish-të dashurit tim
Një ditë rastësisht takova në treg nënën e ish-të dashurit tim, Fatonit.

“Ti më nuk mund të bëhesh nuse jona, meqë e ke tradhtuar djalin tonë!”, më tha dhe ma ktheu shpinën.

Ishin çaste që nuk munda të përmbahem dhe nuk di as vetë si arrita të kthehem në shtëpi.

Dhe, tash e sa kohë po ia shtroj vetes njëqind pyetje dhe nuk po di se çka po ndodhë me mua…
Megjithatë, po e vërej se një dilemë është e pazgjidhshme: Si të jetoj kështu, meqë nuk shoh dritë në tunelin tim?!

Kam nevojë të gjej një të dashur tjetër, sepse e vetme nuk jetohet dot, por kam frikë se do më bëjë probleme përsëri Fatoni, të cilin tash e imagjinoj si një përbindësh…

Për mua ai tash nuk është asgjë tjetër veçse një i sëmurë psikik dhe burim rreziku në çdo kohë.

Andaj, tash për tash, shpëtimin e shoh vetëm me gjetjen e një burri i cili jeton jashtë Kosovës, atje ku Fatoni nuk mund ta zgjat dorën skizofrene… S. L. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË