Unë që po u shkruaj jam një vajzë nga Shqipëria, kam mbaruar fakultetin e matematikës dhe jam dashuruar marrëzisht me një njeri 12 vjet më i vjetër se unë, edhe pse nuk tregojmë fare diferencë, shkruan “Kosovarja”.

Gjithçka filloi kur unë hyra në punë, në maj të vitit 2018, në një biznes privat si agjente shitjesh. Në kafenenë ku pija kafenë e mëngjesit ai ishte aty çdo ditë.

Edhe pse nuk kishim shkëmbyer asgjë përveç një “Mirëmëngjesi”, zemra më rrihte fort jo vetëm sa herë e shikoja, por mjaftonte që ta dëgjoja emrin e tij nga dikush tjetër dhe më mbërthenin emocionet.

S’kam besuar në dashurinë në shikim të parë, por…
Si vajzë e shkencës kurrë s’kam besuar në dashurinë me shikim të parë, por unë sapo e kam parë, është bërë pjesë imja përgjithmonë.

Ne filluam të flisnim pas gati 4 muajsh, duke shkëmbyer sms me njëri-tjetrin çdo ditë. Filloi si një njohje normale mes dy personave, një njohje që hedhë themelet e saj për t’u ngritur një lidhje e bukur, por themelet e njohjes sonë ngritën një kështjellë të pamposhtur.

Çdokush mund të mendojë se s’ka asgjë ndryshe nga dashuritë e tjera, por sakrifica që mbart në supe kjo dashuri dhe ajo çka ndjej unë, e bëjnë atë të jashtëzakonshme.

…por është i martuar
Ai e ka një familje dhe unë e dija që në fillim. Kjo dhimbje na shoqëron të dyve, por besoj mua më shumë, aq më tepër mbrëmjeve kur krevati im është bosh.

Ndonjëherë dua të bërtas, por ulërima e shpirtit tim nuk shkon përtej mureve të zemrës…

Kjo dashuri – sa e pamundur aq dhe e pandashme, sa e shëmtuar në gjykimin e të tjerëve aq dhe e bukur në zemrat tona.

As kjo arsye nuk na pengoi të dashurohemi. Zemrat nuk pyetën. Fundja, ky është sekreti i jetës: Në mes 7 miliardë njerëzve të këtij planeti të gjesh gjysmën tënde, atë që të plotëson pa lënë asnjë boshllëk.

Sikur mos mjaftonte kjo, ai para 3 muajsh ra në burg. Janë 3 muaj torturë për të dy ne, edhe pse shkëmbejmë letra për të na ushqyer disi shpirtin, malli po na tret përditë.

Por, falë dashurisë shumë të fortë që kemi, ne nuk dorëzohemi. Kjo nuk është vetëm një përjetim, por një dedikim. Më 26 shtator i bëjmë 1 vit bashkë dhe dua që në pamundësi për të qenë bashkë në këtë ditë të dhuroj sadopak lumturi.

“Gjysma ime, gëzuar 26 shtatorin! Kjo datë është skalitur thellë në zemrat tona. Edhe pse larg je, çdo sekondë të ditës në mendjen time je dhe natën në ëndrrat e mija, edhe pse netët me gjumë janë të rralla.

Jo më kot përmenda më sipër që kam studiuar matematikën. Në mes shumë gjërave kam mësuar se ndërmjet 1 dhe 1 ka një infinit numrash, kuptohet në mes 1 dhe 2 ka një infinit më të madh. Pra, ekziston një infinit më i madh se një tjetër.

Unë jam shumë e lumtur për infinitin tonë të vogël, që me kalimin e viteve do rritet gjithmonë e më shumë.

Unë do të të pres gjithmonë dhe çfarëdo stuhie të na sjellë jeta do e kalojmë bashkë. Unë kam besim te ti që s’do ma lëshosh dorën kurrë.

Do jetoj në zemrën tënde gjithmonë, se aty e kam shtëpinë. E jotja përgjithmonë B. K. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË