U bë bajat më me politikë. Politika është bërë pjesë e ëndrrave tona: në gjumë, në punë, në rrugë. Është bërë politika më zi se “Vetëvendosja”. Kush ia ka pa hajrin rrugës, o njerëz? Nejse, nuk ka rëndësi, dua t’u relaksojë pak me një tradhti tjetër, e që nuk ka të bëjë me politikën, por me dashurinë, shkruan “Kosovarja”.

E keni dëgjuar këngën e Rrushe Rexhës, që i kishte ruajtur delet dhe ishte martuar?

Ajo kur kishte qenë e re, çobaneshë, e kishte pasur një dashnor që e quanin Fana. Ishin dashur shumë, por fati nuk ishte në anën e tyre dhe nuk mund të martoheshin. Rrushen babai e kishte martuar për dikë tjetër, larg vendlindjes.

Burri i Rrushes e kishte dashur shumë gruan e vet bareshë, por gjithnjë e mundonte se jeta e saj para martese kishte pasur edhe probleme…

Nëpër malin ku i ruante Rrushja delet…
Burri, teksa shkonte një ditë me Rrushen për në familjen e saj, i kishte thënë:

“Ç’dëshirë ke që ta plotësoj menjëherë?”.

“Asgjë më shumë se të kalojmë nëpër malin ku i kam ruajtur delet”, i ishte përgjigjur ajo.

Dhe, kur kishin hyrë në malin ku i kishte ruajtur delet, ajo ia kishte marrë këngës, meqë e dinte se aty pari me dele ndodhej Fana dhe do ia njihte zërin…

E, Fana, me të dëgjuar këngën, kuptoi se Rrushja ishte aty pari.

Burri e kuptoi mashtrimin e saj dhe kur hasën në Fanën, ai i doli para rivalit dhe i tha:

“A e di ti kujt ia ke marrë gruan?!”.

Në ato çaste Fana iu hodhë sipëri burrit të Rrushes. E, ai i thotë gruas:

“Bjeri, çka po pret! Ky po më vret e ti po e shikon pa bërë gjë për mua, a?! A më ke mua burrë apo e ke këtë?!”.

Kështu, ata u kacafytën dhe Fana e fitoi betejën. Gruaja e tradhtoi burrin shkaku i dashurisë së dikurshme të jetës baritore.

Prandaj, tradhtia ndodh ku ka pasur dashuri, ndërsa ajo politike ku ka interes.

Grua, a i ke ruajtur edhe ti delet?
Mendova t’ia tregoj gruas këtë ngjarje, por më ra në mend se mund të dyshojë se edhe unë kam pasur në jetë diç të tillë.

Më mirë të heshtë. Më mirë po rri urtë sa nuk kam pësuar. Ndoshta jeta e sjellë momentin për një bisedë të tillë…

“Çka po mendohesh?”, më pyeti gruaja, teksa rrinim të nesërmen në oborr.

“Po mendohem se a i ke ruajtur ndonjëherë delet…”, iu përgjigja unë.

“Pse po më pyet?”, ma ktheu ajo.

“E marr me mend se bariu ka shumë energji, e sikur të kishim dele do i kullosnim bashkë. E, ato femra, që kanë ruajtur tufë delesh, mund ta vrasin burrin, si Fana burrin e Rrushe Rexhës”, ia ktheva.

Dhe, desha t’i them se “qeni kur do të ngordhë, urinon edhe në derën e xhamisë!”, kështu më tha një ditë një shok imi, teksa pinim kafe. Një thënie të tillë kurrë nuk e kisha dëgjuar, andaj shpejt e shkrova në notesin tim prej gazetari. Por, u përmbajta e nuk ia thashë sime grua, sepse edhe mund ta keqkuptonte.

Sidoqoftë, andej kah i ka ruajtur delet gruaja si vajzë, mos i bjerë kurrë! Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË