Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ishte sot e ftuar në emisionin “1 Kafe prej shpisë”.

Deliu-Kodra, këtë herë foli më shumë për rikthimin e saj në aktrim si dhe detaje të pathëna më parë nga jeta private.

Deputetja tregoi që e ndjente nevojën të kthehej në aktrim dhe se pranoi ftesën për të luajtur në shfaqjen “Bryma e vdekjs”, për shkak të historisë që trajton kjo dramë nga autori, Milazim Krasniqi.

Madje, ajo tha se kishte shumë emocione për shkak se kishte vite që nuk kishte ushtruar profesionin e saj, por që këto emocione i tejkaloi me ndihmën e kolegëve të shfaqjes si dhe dashurinë që publiku ua ka përçuar atyre gjatë shfaqjes.

“Kam pas shumë emocione në premierë, emocione për shkak se ishte rikthim pas disa viteve në profesion, edhe unë e kam pas Teutën krahë të djathtë dhe më ka motivuar shumë… para se me dal kanë qenë emocione të jashtëzakonshme, por në momentin që ka filluar shfaqja e kemi ndje frymëmarrjen e publikut, po them se aktori komunikon me publikun, edhe ti e sheh kur ai nuk ka aspak interesim për me dëgju, kur ai thjesht frymon me ty, vuan me ty edhe e ka dashninë që ti e përçon të njëjtën me ata që e bëjnë aktorët.”, tha ajo.

Deliu-Kodra, rolin e saj në këtë shfaqje e konsideroi të vështirë, pasi që i është dashur të portretizojë një nënë që humb fëmijën. “…Roli ishte shumë i vështirë, ishte një nanë që i vdesë vajza në Bllacë edhe duke qenë vetë nanë e dy fëmijëve është vështirë me i sjell në skenë përjetimet e dikujt që e humb gjënë e saj më të shtrenjtë, pas atyre vuajtjeve.”, tha ajo.

Në rolet kryesore në këtë dramë luajnë: Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Afrim Muçaj, Albulena Kryeziu, Blerta Deliu-Kodra, Ismet Azemi, Xhejlane Godanci etj./21Media

 

MUND TË JU PËLQEJNË