Tani kur Kosova po i ofrohet kohës së zgjedhjeve politike, populli i Kosovës edhe njëherë po ia kthen vetes të drejtën sovrane për t’i zgjedhur përfaqësuesit e vet dhe krijuar institucionet e vendit.

Partitë politike prapë do jenë të varura nga vota e juaj dhe e ardhmja e tyre do varet vetëm nga ju.Jo rrallë herë biem preh e intrigave dhe premtimeve boshe të fushatave elektorale dhe krejt çfarë fitojmë ne janë prapë ankesat dhe vuajtjet deri në zgjedhjet e ardhshme.

Dita e votimit secilin qytetar të Kosovës e bën njëjtë të vlefshëm, ngase secili ka votën e njëjtë. Andaj, të gjithë ne duhet që nga tash të analizojmë se cili program politik ofron një ardhmëri më të lumtur për ne dhe fëmijët tanë.

Ne kurrë nuk do arrimë të kemi një përfaqësim të denjë për ardhmërinë e vendit, përderisa akti final i votimeve varet vetëm nga militantët partiakë.

Ne kurrë nuk do kemi një përfaqësim të denjë nëse secili nga ne, me ose pa orientim partiak, nuk e shfrytëzon të drejtën e votës.

Ne kurrë nuk do kemi një përfaqësim të denjë e meritor nëse votojmë pa e ditur se për kë po votojmë.

Ne, së shpejti, do vendosim për përfaqësuesit e interesave tona kombëtare e shtetërore, andaj analizoni me kujdes se cilët do jenë të përzgjedhurit tuaj. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË