Të mërkurën pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve, derisa po këtë ditë pritet të fillojë edhe procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi i ka thënë Gazetës Express se deri në orën 16:00 janë rinumëruar 352 vendvotime. Deklaron se rinumërimi i të gjitha vendvotimeve do të përfundojë të mërkurën.

Elezi ka thënë se pas rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të planifikuara do të fillohet me rinumërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

“Deri më tani (e hënë, 16:00) janë rinumëruar 352 vendvotime apo 66.54% nga 530 sa janë planifikuar. Pas rinumërimit do të fillojmë me numerimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Elezi.

Ndryshe, zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Bazuar në rezultatin e deritashëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Pas VV’së, me numër më të madh të votave renditen Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.

Presidenti i Kosovës, pas shpërbërjes së Kuvendit në gusht, shpalli zgjedhjet për datën 6 tetor.

MUND TË JU PËLQEJNË