“Vetëvendosja”, e që doli fituese e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, duhet ta ketë përkrahjen ta bëjë qeverinë e re, shkruan “Kosovarja”.

Edhe pse ende nuk ka përfunduar në tërësi numërimi i votave, LDK-ja është partia e dytë fituese, e cila ka shansin që të kërkojë më shumë favor nga Albin Kurti, sesa vetë ai.

Do varet nga LDK-ja se çka do të kërkojë ajo për ta bërë qeverinë me Albinin, duke shtruar ndoshta edhe kërkesën që Vjosa Osmani të merr përsipër qeverinë e re, meqë është më e votuara nga kandidatët.

Do të varet nga LDK-ja nëse do ta bëjë Kurti qeverinë e re të Republikës së Kosovës, sepse VV nuk ka aleatë të tjerë, me të cilët mund ta zgjidhë problemin.

Dy subjekte politike tashmë janë jashtë garës. Dhe, ky varfërim i skenës politike nuk i jep shumë tolerancë Albin Kurtit të sillet kundër LDK-së.

Në rast se LDK-ja me “Vetëvendosjen” nuk do të shkojë në qeveri, atëherë pas skadimit të afatit optimal për bërje të qeverisë, partia e dytë ka mundësi të kërkojë mandatin për qeveri të re.

Në këtë rast, LDK-ja do ta merrte të drejtën për ta formuar qeverinë. LDK-ja do të duhej të shkonte në koalicion me PDK-në dhe AAK-në, e në rast nevoje edhe me “Listën Serbe” dhe minoritetet, sikur kishte bërë PDK-ja me partitë joshqiptare.

Matematikat janë në tavolinë, por Albin Kurti e ka të drejtën ta bëjë qeverinë e re. Nuk ka qenë e rastit pse LDK-ja dhe VV nuk arritën koalicion parazgjedhor pas rreth dhjetë takimeve.

Beogradi do të ketë një rol në “lejen” për Albin Kurtin, sepse nëse e ngritë zërin kundër në BE, Albin Kurti nuk do ta ketë të lehtë ta formojë qeverinë e re.

Por, tash është paraqitur edhe një problem tjetër: 40 mijë vota të pavlefshme!

Shtrohet pyetja: Pse 5% të votave janë të pavlefshme? Popullata është analfabete apo pas kësaj fshihet diçka tjetër? Shkurt e shqip: vjedhja e votave!

Kjo është temë e cila duhet të brengosë votuesin e Kosovës dhe partitë politike. Pastaj, ku janë ato fletëvotime të pavlefshme? A janë nëpër bastione të caktuara, apo dikush manipulon me to?

Me këtë problem, pa dyshim, duhet të merret KQZ-ja dhe organet adekuate për ankesa. Sepse, mbi 40 mijë vota të shpallura jovalide, do e ndryshonin gjendjen ekzistuese.

Andaj, është plotësisht e arsyeshme nëse partitë politike kërkojnë rinumërimin e votave, e sidomos të atyre të pavlefshme. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË