KQZ-ja ka krijuar huti zgjedhore, duke mos certifikuar rezultatin e votimit të 6 tetorit, madje as pas një muaj e gjysmë, shkruan “Kosovarja”.

Shqyrtime, numërime, rinumërime, pranime me rrugë private të votave nga Serbia, që anashkaluan rrugën e rregullt postare, ankesa të panumërta, e çka nuk po ndodhë në KQZ me votat e tetorit!

Pse duhet të ndodhin të gjitha këto deformitete të pabesisë votuese, përderisa rezultatet dolën nga numërimi, në prani të të gjithë të dërguarve partiakë, pra të komisionarëve të partive politike?

Mund të thuhet për komisionarët e bllokut politik të serbëve të Kosovës, që u shitën te “Lista Serbe”, duke ua dhuruar votat e serbëve të kërcënuar, por kjo dukuri nuk ka ndodhur edhe te partitë shqiptare.

Sidoqoftë, aq shumë është dhunuar sistemi i konfirmimit dhe certifikimit të rezultateve, sa KQZ-ja e ka sjellë punën deri aty që “Lista Serbe” të deklarojë se ata e mbrojtën Kushtetutën e Kosovës nga partitë shqiptare!

Nënkryetari i “Listës Serbe”, Igor Simiç, në RTV “Dukagjini”, ka thënë se shpeshherë është detyruar ta mbrojë Kushtetutën e Kosovës nga partitë shqiptare!

Thënë shkurt, ajo që mund të thuhet për zgjedhjet e fundit është se populli e ka kryer shkëlqyeshëm punën e vet kushtetuese të votimit.

Por, KQZ-ja nuk e ka bërë punën e vet si duhet, duke i ngatërruar gjërat dhe duke e shndërruar në problem dhe polemikë votën e popullit!

Tani gjërat janë të qarta: Nga vonesa e tepruar e certifikimit do të vonojë edhe formimi i qeverisë së re!

Nevoja për dialog me Serbinë, ka bërë që diplomacia Uashington-Bruksel, ta përcjellë me vëmendje gjithë procesin zgjedhor, e që do ta legjitimojë një qeveri të dalë nga vota elektorale.

Sidoqoftë, populli e ka kryer misionin e tij dhe me përgjegjësi të plotë, ndërkaq KQZ-ja nuk po ngutet, madje, si duket, as që po i intereson se duhet të formohet qeveria e re! Safet Krivaça /Kosovarja/.

MUND TË JU PËLQEJNË