Gjendja e rezultatit votues të datës 6 tetor duhet të përfundojë me certifikimin e rezultatit votues, të dalë nga dita e zgjedhjeve dhe t’i jepet drita jeshile konstituimit të qeverisë së re të Albin Kurtit me koalicionin e LDK-së, shkruan “Kosovarja”.

Rezultati votues nga zgjedhjet e fundit nacionale, veç ka qenë i njohur që në mbrëmjen e zgjedhjeve, prandaj vonesa prej gati një muaji është e paarsyeshme!

SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Sepse, Kosovën e presin, që në start të qeverisë së re, dy sfida të rënda: Heqja e taksës dhe fillimi i dialogut me Serbinë, dy probleme pas të cilave do të pasojnë edhe procese të tjera…

Sfidë e madhe pritet të jetë heqja e taksës së Ramush Haradinajt dhe vendosja e një mase të re reciprociteti ndaj mallrave të Serbisë, por që mund të përfshijë gjithë transportin rrugor tregtar dhe atë transitor Kosovë-Serbi, gjë që mund të jetë edhe më e ashpër sesa taksa.

Serbia ka deklaruar se nuk do t’u nënshtrohet regjimeve të tilla ndërshtetërore, për çka pritet të jetë një luftë e ashpër mes dy shteteve.

I dërguari special i presidentit amerikan, Grenell, e ka këshilluar ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiçin, të heqë dorë nga lufta për çnjohjen e Kosovës.

Prandaj, formimi i qeverisë së re po pritet me ankth në qarqet e diplomacisë euro-amerikane.

Fillimi i dialogut, sipas Albin Kurtit, nuk do nisë shpejt, sepse ai dhe pjesëtarët e ekipit negociues do i rishikojnë 33 marrëveshjet e arritura me Beogradin në Bruksel.

Qeveria e re e Kurtit po pritet me shqetësim, por edhe me entuziazëm edhe në Serbi, ku kundërshtarët e presidentit serb, Vuçiçit, kanë mbajtur të shtunën javën e 49 kundër tij!

Andaj, dimri që po vjen pritet të jetë një hapësirë kohore për bisedimet Prishtinë-Beograd, ndërsa pranvera mund të jetë shkëputje e bisedimeve nëse Serbia mban zgjedhje të reja.

Sidoqoftë, pritet që Albin Kurti të sjellë frymë të re në qeverisjen e Kosovës, sa në masa socio-ekonomike, po aq në politikën e dialogut me Serbinë.

Por, ajo që pritet më së shumti është një skenë e nxehtë politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërmjet qeverisë Kurti, PDK-së e AAK-së, ku këto dy të fundit llogaritet të jenë opozitë. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË