Albin Kurti ka premtuar gjatë fushatës se Ministria e Brendshme dhe e Drejtësisë nuk do të vihen në diskutim”, shkruan “Kosovarja”.

Kur ai i ka përmendur këto dy ministri, nënteksti i aludimit ka rënë mbi reformat në drejtësi dhe në shpërbërjen institucionale të SHIK-ut.

Kurti ka arsye të mos i besojë një ministrie me përkatësi LDK-iste, gatishmëri për pastrimin e elementeve nga sistemi 20-vjeçar i qeverisjes, ku ka marrë pjesë edhe partia e Isa Mustafës, e edhe të tjerëve para tij, që ishin në dorën e Hashim Thaçit.

Ka shumë gjëra për të cilat sot po kjo LDK po flet sikur të mos ketë qenë ajo partia që e ka qeverisur Kosovën, duke pasur edhe kryeministër të vetin në krye të pushtetit, e edhe presidentin e vet, në mandate të qeverisjes me PDK-në.

LDK-ja i ka arsyet e veta pse ajo do i mbajë në dorën e vet ministritë qeveritare dhe këto këmbëngulësi nuk janë të rastit, as pilot-arsye, por rrjedhin nga mëkatet e njëjta të PDK-së, me një dallim të vetëm se ata janë privuar nga qeverisja aktuale, e këta e kanë qëlluar një bingo me Kurtin.

Duke kërkuar atë që nuk u takon, partia e Isa Mustafës më shumë mund të shihet se dikastere. Ku ka nevojë të reformohet institucioni shtetëror, do i merr për hatër të PDK-së, për ta mbajtur mëkatin me status quo të ngrirë.

Megjithatë, Albin Kurti nuk do të mund të bëjë reformë pa, të paktën, këto dy ministri.

Pra, janë dy ministri, prej të cilave do të varet direkt suksesi i qeverisë. Dhe, nëse nuk do e shtrijë dorën e ndikimit Kurti në këto dy institucione, do ta hapë vetë portën e rrëzimit të qeverisë së tij.

Numrat e bllokut politik në koalicion qeveritar, nuk janë shumë larg njëri-tjetrit. Janë shumë afër mundësive për ta përmbysur qeverinë Kurti në çdo dështim që shmanget nga premtimi i tij gjatë fushatës.

Blloku i komandantëve, që me gjasë do jenë opozitë, mund ta përmbysë Kurtin e 62 votave qeveritare, vetëm duke ia bindur dy votues të bllokut qeveritar!

Hashim Thaçi i ka të hapura do dyer alternative te LDK-ja dhe partitë minore. Heshtja e Thaçit dhe e PDK-së për krejt këto procese Kurti-Mustafa, rreth formimit të qeverisë, nuk është flamur i bardhë në duart e Thaçit.

Hashim Thaçi ende e ka kohën para vetes për politikë të ndryshimeve, ndërsa koha për Isa Mustafën është pak më tjetër.

Prandaj, PDK-ja, e që e ka paralajmëruar veten për opozitë të fuqishme, i ka të gjitha mundësitë ta bëjë një gjë të tillë dhe kjo do të ndodhë në çdo dështim të Albin Kurtit.

Gjasat që Kurti t’i jetësojë qind për qind premtimet janë fare të vogla, sepse ka politika të proklamuara që praktikisht nuk mund të zbatohen në asnjë diskurs politik të Kurtit, kur është në pyetje Brukseli, e që i ka të hapura të gjitha opsionet për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

BE, me përjashtim të dy-tri shteteve të forta evropiane, nuk janë kundër ndonjë “kompromisi të dhembshëm”. E, dhembja i takon Kosovës, sepse për Serbinë, çka do që do të ishte në frymën e dhimbjes, do të ishte përfitim millosheviqian.

Andaj, Albin Kurti nuk duhet të bëjë ledhatime me LDK-në për hir të kolltukut. Si një lider që i ka fituar një të katërtën e votuesve, nuk guxon t’i lejojë LDK-së kompromis për postin e kryeministrit, sepse qysh pa hyrë në zgjedhje janë kuptuar se posti i mandatarit të qeverisë i takon pa kushte atij që i fiton votat.

Çka tash?

Po duket se Kurti do e fusë në pazar postin si kompensimin të kryeministrit!

E, Albin Kurti e ka fuqinë të mos devijojë nga kursi i premtimeve. LDK-ja e di që, nëse shkohet në zgjedhje të reja, më kurrë nuk do e ketë rastin të jetë parti qeveritare.

Sepse, besohet se nëse shkohet në zgjedhje të reja, Albin Kurti do fitojë ta bëjë vetë qeverinë, me një mazhorancë solide. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË