Partia Demokratike e Kosovës (PDK) doli e treta në zgjedhjet e datës 6 tetor, por llogaritet si partia me kuadrat më profesionale që janë përfshirë dhe shpërndarë në të gjitha institucionet më të rëndësishme të Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Cilat janë shkaqet që e quan në opozitë këtë parti?
Gjatë mandatit të fundit qeverisës, PDK-ja është përfshirë në disa skandale, brenda skenës politike të shtetit.

Por, edhe në politikën e jashtme, gjithashtu, janë shumë arsye që e kanë quar në komprometim këtë parti.

Brenda Kosovës, jo vetëm gjatë mandatit me PAN-in, disa figura të larta të PDK-së kanë qenë shënjestra më e preferuar mediatike për prodhimin e lajmeve bombastike në kuptimin më negativ.

Skandali që më së shumti e ka goditur PDK-në është “Afera Pronto”, në të cilën përfshihen anëtarët e PDK-së: Adem Grabovci, Besim Beqaj, Sami Lushtaku, Zenun Pajaziti, e shumë të tjerë.

Në “Afera Pronto” janë prekur shumë tema dhe njerëz, e që, përveç shpërfaqjes së të dhënave për punësime të pista, korruptive dhe nepotike e klienteliste, i kanë demaskuar edhe marrëdhëniet e këqija ndërmjet Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt, në njërën anë, e Hashim Thaçit e Sami Lushtakut, në anën tjetër.

Raportet e brendshme partiake që e kanë fraksionuar PDK-në, llogariten si grushti më i rëndë fillestar që kjo parti i dha vetvetes.

“Afera Pronto” për punësimet, “rehatimet” e partiakëve, që i bënte Adem Grabovci, në cilësinë e shefit të grupit parlamentar të PDK-së, duke i pasur totalisht frerët të lirë, i dhanë opinionit pamjen e parë se cila ishte fytyra e vërtetë e kësaj partie.

Kur kësaj i shtohet edhe skandali me djemtë e tij, kundër pjesëtarëve të sigurimit publik, del se Adem Grabovci i ka sjellë shumë dëme PDK-së, duke qenë aq sovran në ndërhyrje institucionale, si i toleruari i Thaçit!

Skema e emërimit të njerëzve pa asnjë kredibilitet moralo-politik në institucionet e Republikës së Kosovës, gjithashtu, është njëri ndër grushtet e fortë që i dha kjo parti vetvetes.

Raportimi i bizneseve të paligjshme, korrupsioni i përditshëm, emërimi i kryeprokurorit, duke e shtyrë me zor Hashim Thaçi, dha një skandal që la shije të keqe për qytetarët, por edhe për elektoratin e vet PDK-së.

Gjithashtu, njëra ndër arsyet pse kishte rënë besimi në PDK, ishte edhe emërimi i Kadri Veselit në krye të kësaj partie, madje pa kundërkandidat dhe lënia jashtë politikës e Bajram Rexhepit (tashmë i ndjerë), i cili pat thënë: “Kadri Veseli është e keqja e PDK-së!”.

Në fakt, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, është paraqitur si një figurë shumë kredibile gjatë mandatit si kryetar i Kuvendi të Kosovës.

Por, përfolja e së kaluarës së tij, edhe pa pasur prova, e ka dëmtuar imazhin e PDK-së para qytetarëve të vendit.

Sa e dëmtoi PDK-në Hashim Thaçi?
Në anën tjetër, deklaratat e Thaçit për ndryshim kufijsh e degraduan përtokë besimin qytetar ndaj tij!

Hashim Thaçi, si president i Kosovës, me hapjen e temës së kufijve, e ka humbur besimin te qytetarët dhe, sado që ai është munduar më vonë ta fshehë gabimin e bërë, besimi i tij te qytetarët ka rënë dukshëm.

Andaj, Hashim Thaçi më nuk shihet si lider i besueshëm në raport me Serbinë!

Duke qenë, gjithashtu, mik i Edi Ramës, Hashim Thaçi, nga një lider i quajtur “ Xhorxh Vashingtoni i Kosovës”, ka rënë në vlerën më të ulët personale!

Një tjetër anë negative e punës së tij në krye të shtetit, shihet nga bashkëpunimi tepër i ngushtë me Behxhet Pacollin dhe Pacollët tjerë të kompanive të sigurimeve.

Kështu, një reflektim tepër i dobët i Behxhet Pacollit në politikën e jashtme të shtetit, pasojat e të cilit po shihen që tash, kanë bërë që PDK-ja ta humbë edhe më shumë besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, PDK-në e kanë dëmtuar edhe ngjarjet me “Gylenistët”, arrestimi i të cilëve e tregoi të dobët shtetin e Republikës së Kosovës në raportet ndërkombëtare, ku u kritikua Hashim Thaçi, si njeri i Erdoganit…

Dhe, rasti i arrestimit të Gylenistëve në Kosovë, është skandal që shtetit të Kosovës do t’i kushtojë herë do kur…

Rast tjetër që e ka dëmtuar PDK-së është edhe ai i Flora Brovinës, e cila me “fotografinë e njohur” të publikuar, pat shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare dhe njollosi edhe imazhin e UÇK-së!

Por, edhe rasti i Shpend Maxhunit, si dhe vjedhja e dhomës së dëshmive pa asnjë therë në këmbë për asnjë zyrtar shtetëror e policor, ka ndikuar në imazhin e PDK-së.

Andaj, epoka e Hashim Thaçit është në përfundim e sipër dhe partnerët e koalicionit VV-LDK, ka gjasa të kërkojnë në Kuvendin e Kosovës deklarimin e mosbesimit ndaj presidentit të vendit.

Apo, edhe nëse nuk e bëjnë këtë, e lënë ta mbarojë mandatin, e që nuk i ka mbetur edhe aq shumë…

Megjithatë, janë të rralla rastet kur njeriu që e ka ngritur një parti, konkretisht PDK-në, ta shkatërrojë vetë, duke lejuar skandale edhe kur vetë ishte kryeministër, e edhe tash kur është president i vendit!

Sidoqoftë, PDK-ja mbetët partia më domethënëse në Kosovë, e identifikuar me krahun e luftës. Dhe, për ta kthyer primatin e dikurshëm, ajo duhet të rikonstruohet dhe të profilizohet brenda saj… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË