Bota demokratike i ka vlerësuar lart zgjedhjet nacionale të datës 6 tetor në Kosovë. Sipas ndërkombëtarëve populli i Kosovës ka treguar se di të votojë pa incidente dhe për ndryshime politike, shkruan “Kosovarja”.

Imazhi pozitiv i zgjedhjeve të datës 6 tetor është kah prishet nga vetë KQZ-ja, duke u bërë bajat me rinumërime të kutive të caktuara!

Dhe, diçka e çuditshme po ndodhë me KQZ-në, e cila nëse për një ditë ka mundur të dalë me rezultate konkrete nga numërimi i votave totale, tash po i duhet një muaj për një rinumërim, e që, ndoshta, është i panevojshëm!

Populli po e di se diçka po pështillet në KQZ me rinumërimin e votave dhe ky rinumërim po shihet se nuk është për parim, por për ta ndryshuar me zor gjendjen ekzistuese!

Kanë ndodhur disa gjëra në kuadër të procesit të rinumërimit të votave, si helmimi i rrejshëm, propaganda e të cilit nuk jehoi siç e kanë pritur, zvarritja e certifikimit, duke rinumëruar votë pas vote dhe duke dal në publik me votimin e gabuar të disa listave votuese, ku ka munguar emri i një partie, duke mos marrë askush përgjegjësinë!

Mirëpo, dihet se KQZ-ja është mekanizmi i përgjegjësive, në rastet kur lëshohen gabime të tilla të materialit votues.

Andaj, pse ka ndodhur e si ka ndodhur ky gabim, duhet gjetur arsyet.

Sidoqoftë, KQZ-ja duhet ta certifikojë sa më parë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Përndryshe, me një pengim të tillë certifikues, KQZ-ja duhet të marrë përgjegjësi, sepse po bëhen gati tri javë nga zgjedhjet dhe ende nuk ka shifra konkrete!

Në popull më nuk ka dilema për fituesin, por dilemat janë pse KQZ-ja po i zvarritë rezultatet dhe për kë punon Valdete Daka, e cila thuajse është e përjetshme në funksionin që ka. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË