Deklarata e kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit mund të mos ndodhë deri në dhjetor, të jep të kuptosh se sivjet Kosova nuk do të ketë qeveri, shkruan “Kosovarja”.

Kështu kishte thënë edhe presidenti i Serbisë se nuk pret qeveri të Kosovës në vitin 2019!

Kryetarja e KQZ-së, zonja Valdete Daka, i ka dhënë arsyet pse mund të ndodhë rinumërimi total i votave të 6 tetorit.

Por, opinioni këtë rinumërim eventual po e komenton si urdhër të presidentit Hashim Thaçi, dhënë KQZ-së se procesi duhet të shkojë në rinumërim…

A do të shkohet në rinumërim apo jo, nuk dihet, por pasqyrimi i rezultateve nuk është në përputhje me deklaratat e subjekteve politike, të cilat kanë ankesa të shumta rreth votave të transferuara prej njërit subjekt te subjekti tjetër dhe prej një kandidati te kandidati tjetër.

Sllobodan Petroviqi, i Partisë Liberale Serbe në Kosovë, është ankuar për vjedhje të votave të subjektit të tij nga “Lista Serbe”. Ai argumenton me fakte për transferimin e votave masive të subjektit të tij te “Lista Serbe”…

Ankesë ka bërë edhe “Nisma Socialdemokrate”, e cila kontestohet për kalueshmëri të pragut prej 5% të votave.

Gjithashtu, LVV e Albin Kurtit ka kërkuar që të numërohen edhe mbi 4600 fletëvotimeve nga Diaspora, e që Gjykata Supreme e Kosovës e përkrahu.

Zyrtarisht e jozyrtarisht ka shumë ankesa për vjedhje votash të kandidatëve që nuk morën mjaftueshëm vota për deputet, pasi të njëjtëve u janë vjedhur votat, duke ua transferuar kandidatëve të caktuar me lidhje më të besueshme me subjektet politike!

Pra, është një situatë e rëndë akuzash direkte dhe verbale, publike dhe okulare, e që, përkthyer në gjendjen faktike, mund të ndryshojë shumëçka në rezultatin final, e që duhet certifikuar për t’i dhënë dritën e gjelbër Albin Kurtit ta formojë qeverinë me LDK-në.

Por, paralajmërimi i Valdete Dakës po vjen pas takimit me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, në zyrën e këtij të fundit para dy ditësh.

Andaj, nëse shkohet në rinumërim total të votave, ka gjasa të ndryshojë gjendja momentale, apo, të paktën, këto janë disa prej dilemave që dalin nga kërkesa për rinumërim:

A po synohet që të nxirret fitues ai që, vërtet, ka marrë më së shumti vota?

A po synohet të gjenden edhe aq vota sa ta sjellin NISMA-n në parlament?

A po kërkohen dallaveret e komisionerëve serbë me votat e transferuara nga subjektet politike serbe të Kosovës te “Lista Serbe” e Beogradit?

Dhe, a po kërkohen vjedhjet e votave brenda partive të disa kandidatëve për deputetë te një kandidat tjetër?

Realisht, terreni për hulumtim është i hapur, por me kusht që të evitohen votat e vjedhura dhe të kontestuara.

Përndryshe, çdo hulumtim tjetër, i caktuar për të ndryshuar me zor gjendjen që ka prodhuar 6 tetori, është shkelje e Kushtetutës. Safet Krivaça /Kosovarja/

 

MUND TË JU PËLQEJNË