Prezantueset, Dojna Mema, Kiara Tito dhe modelja Arbenita Ismajli kanë ndjekur të njëjtën strategji me të dashurit e tyre këngëtarë, duke u bërë protagoniste në klipet e tyre.

Të treja vajzat, të cilat ende nuk kanë folur gjerë e gjatë për lidhjet me djemtë e famshëm, kanë menduar “t’i privatizojnë” partnerët këngëtarë, duke komentuar kështu historinë e dashurisë me një këngë me fabul e skena si në filma.

Dojna Meman një prej moderatoreve më të reja dhe protagoniste në ekran, të cilën e pamë këtë sezon në rolin e moderatores së “The voice Kids”, ishte ajo që u shfaq e veshur me të bardha si një engjëll fatsjellës në klipin “Copëzat” të Vlashent Satës.

Pasi ka moderuar emisione të ndryshme televizive dhe radiofonike, Dojnën e pamë si protagoniste në një videoklip muzikor, një dedikim dashurie i njëjtë me atë që po ndodh mes saj dhe muzikantit plot stil ,që jeton në Paris, Vlashent Satës.

Në skenat e klipit, Dojna shihet e shtrirë në krevat e veshur me mëndafsh.

Kujtojmë se thashethemet e para për një lidhje të mundshme mes tyre nisën të qarkullonin në muajin mars.

Aludimet nisën nga postimet e tyre në “Instagram”, teksa nga Stambolli postonin foto nga i njëjti lokacion në vetëm 2 ditë diferencë postimesh në rrjet.

Dojna e pranoi që ishin bashkë në Stamboll, ku dhe mund të kenë xhiruar disa skena nga klipi.

Me një të kaluar si pianiste dhe e diplomuar në Regji Filmi, Dojna Mema është një prej moderatoreve më energjike në ekran, që kur nisi të shfaqej në ekran në vitin 2012 si pjesë e stafit të “Top Albania Radio”.

Ndërsa muzikanti i “pop” Sata njihet për stilin e veçantë, ndërkohë nuk ka munguar me dedikimet plot dashuri për Dojnën, shoqëruar me “copëzat” e saj nga klipi.

E dyta që vendos të lërë gjurmë të historisë së saj të dashurisë me një këngëtar është Kiara Tito.

Prezantuesja e një “reality show” me personazhe që bëjnë ndërhyrje estetike në prani të kamerave, prej kohësh është në një marrëdhënie të komplikuar me këngëtarin Butrint Imeri.

E kur të gjithë mendonin se lidhja kishte marrë fund, artisti bëri një postim në “Instagram”, ku çifti shfaqej në një fushë golfi, gati për lojë.

Në fillim u komentua si moment nga koha e tyre e argëtimit, por shumë shpejt u njoftua se kjo ishte një nga skenat e klipit.

Çifti do të jetë bashkë në klipin e ri të këngëtarit me titull ‘Hajt, hajt’.

E treta që pranon ftesën e të dashurit për t’u bërë pjesë e projektit të tij është modelja që jeton në Londër, Arbenita Ismajli.

Por nëse për Dojnën dhe Kiarën kjo është hera e parë, Arbenita e ka bërë edhe herë të tjera, si modele që është. Në vitin 2015, ajo u shfaq në krah të këngëtarit të njohur “2Ton” në klipin e tij “Ani nasht”.

E pas katër viitesh do e shohim në klipin e të dashurit të saj Fero, një nga talentet më të rinj të Kosovës.

Prej disa ditësh, Fero dhe Arbenita Ismajli kanë nisur pushimet në Greqi e gjatë qëndrimit në ishullin e Kretës, Fero dha lajmin se së shpejti do të publikohej kënga e tij më e re me titull ‘Ride or Die’.

Në videon e publikuar, reperi kishte etiketuar dhe partneren e tij, duke ngritur dyshime se Arbenita është protagonistja.

Këtë lajm e vërtetoi vetë modelja nëpërmjet një videoje në ‘Instastory’, ku shkruante se kishin filluar xhirimet për një projekt, të cilin vendosi ta mbante sekret për momentin.

Mesa duket, Fero dhe Arbenita nuk po bëjnë vetëm pushime në Greqi, por së shpejti do të sjellin dhe projektin më të ri bashkë, që, me siguri, do të jetë hit.

MUND TË JU PËLQEJNË