Fitorja e kombëtares së futbollit ndaj Çekisë, disi amortizoi lajmet e zeza për një çast, por kur të kalojë krejt kjo, në podium do jenë pasojat e tragjedive!
A nuk mjaftojnë vetëm ngjarjet e tri ditëve që ndodhën dhe e tronditën Kosovën ?
Populli ynë e ka humbur rrugën në oborr!Ata që janë normal, po befasohen me ngjarjet e rënda që po ndodhin anekënd Kosovës!

A jemi kaq të mallkuar?

Lufta ka përfunduar, ne jemi zotët e vetes! Jemi kolektivitet jo i madh nacional që kemi një atdhe të pasur me çdo gjë që nuk e shohim, por e dimë që e kemi! Pak a shumë diçka që i përngjan ekzistencës së Zotit!
Shpjegonte dikur një profesor në një amfiteatër tonin. Ishin ato batuta apo të vërteta, por kështu thoshte para studentëve:

”Ne besojmë në atë që e shohim. E kemi kozmosin para nesh dhe rreth nesh dhe, e dimë se duhet besuar atë që është e prekshme, sa për Zotin, nuk po e shohim dhe unë iu rekomandoj të mos e besojmë…” thoshte kështu profa!
Një student derisa e dëgjonte me kujdes, u ngritë, e mori fjalën dhe u tha kolegëve të vet:

“Kolegë të dashur, mos e besoni fjalën e profës! Ai ka kokë, ka tru, por ne nuk po ia shohim çka ka ai brenda kokës. Por, po besojmë se ka mendje në kokë, prandaj nuk është se duhet besuar vetëm në atë që e shohim, se po të jetë ashtu, do të themi se profa nuk ka fije truri në kokë. Prandaj besoni që ai po gabon, por ka mendje edhe që nuk po e shohim brenda kokës së tij”!

A vritet njeriu për një metër beton, a vritet njeriu për një karrocë?

Tokë e mallkuar!

Shkojnë dy vëllezër për të punuar dikur në kohën e legjendave. Rruga ishte e gjatë, një muaj udhëtim. Njerëzit u besonin ëndrrave dhe orakujt e kishin fjalën vendimtare në parashikimet, se çka po ndodhte rreth tyre! Dy vëllezërit punojnë 18 vjet dhe njëri e sheh një ëndërr se I kishte vdekur nëna .Tjetri sheh ëndërr, se i martohej gruaja. E lutën padronin t’i lejonte të ktheheshin në shtëpi, se ëndrrat që i kishin parë ishin shumë mortore. Kthehen në shtëpi dhe pushojnë , e në kthim e sipër vendosin ta marrin një gjysëm thesi tokë vendlindjeje dhe ta mbajnë në dhomë për çmallje.

Me ta vendosur dheun në dhomën e fjetjes, nisin përlarjet e përnatshme mes tyre. I zoti i shtëpisë u mërzit shumë që ata nuk flenin asnjë natë pa u bërë copë mes vetes. Shkon te një fallxhi , të cilit ia tregon problemin. Fallxhiu ia kthen: Ata e paskan sjell një thes dheu të vendlindjes …Po më del , se ajo qenka tokë e mallkuar dhe për sa ta kenë brenda do të bëhen copash çdo ditë…

Padroni, mori dheun e tyre dhe hoqi nga dhoma, ndërsa e mbushi me një tokë dheu të tij dhe menjëherë pushuan përlarjet mes vëllezërve!
Tek kisha vënë kokën në jastëk dhe këmbët i kisha vënë më lart për të ikur gjaku nga këmbët e lodhura, shoh tre veta mbi mua! Njëri me thikë në dorë, tjetri me pistoletë dhe njëri me një shkop !

Të vish me ne, më thanë.
Ku më qoni ore, çfarë ka ndodhur, çka jam unë fajtor?
Leri pyetjet, por eja me ne! – më kërcënuan.
Më morën me vete dhe më dërgojnë në varrezat e lëndinës , një lokacion i ri varrezash që ishte nisur pas luftës, kur shtetin e nisëm mbrapsht nëpër pronësi të uzurpuara!

I hapin kanatet e kamionetës së kuqe dhe më urdhërojnë të zbres në tokë!
Shpejtë,shpejtë!- më bërtitën.
Zbrita nën komandën e tyre ,duke menduar se do më vrasin dhe të më varrosin këtu! Kush janë këta burra e pyes veten, por as unë nuk po di se kush jam në këto varreza?

Ta hapësh këtë varr- më urdhërojnë! Duhet ta hapësh deri të del kufoma dhe skeleti i këtij varri!

E dija se cili ishte i varrosuri. Ai ka punuar në Gjermani. Ka qenë një pasanik i madh, por kishte pësuar aksident. Gjatë mjekimit, i kishin vendosur shufra ari në të dy këmbët dhe në korriz, poashtu edhe dhëmbët i kishte prej ari!
Nisa ta hap varrin dhe kur arrij te skeleti shoh, se si i janë palosur flokët. A është grua kjo apo burrë mendoj unë, pasi ai ka pasur flokë të shkurtër!

A mos e keni ngatërruar varrin – i pyes?
Vetëm hape ti – më thonë mua.
Kur e hapi tërësisht dhe del skeleti, ata më urdhërojnë ta kap arin, t’i marrë këmbët e tij me shufrat e arit që i kishte…
Posa e zgjas dorën në gojën e kufomës, më del gjumi duke kërcyer nga shtrati!
Gruaja ime, e cila pinte çajin e mëngjesit, gati sa nuk i ra caji në këmbë dhe ta përvëlonte.

U zgjua e tërë shtëpia të më ndihmonin që ta kaloja këtë ankth, duke m’ u afruar që të më qetësonin
Çfarë ke, çfarë ke?- më pyetnin .
Asgjë, a nuk jam në varre, – i pyes?

Jo, jo , në shtëpi je. Ke rënë të pushosh… qe ku jemi. Mos ke dert. Zgjohu freskoji sytë …
Ngrihem ngadalë, i lodhur e dërrmuar si kurrë më parë!

Në këtë tokë të mallkuar, që ka pasur aq shumë luftëra,e masakra, aq shumë gjak e kufoma, them me vete: çfarë mund të pres më mirë?
Lajme të përditshme të vrasjeve të familjarëve mes vetes dhe të komshive që kanë jetuar për dhjetëra vite si një familje!

A mos po dua unë të shoh në këtë tokë të mallkuar lule a?

Droj se, do të shoh tërë jetën ëndrra të tilla, sepse lajmet e përditshme lidhen me vrasjet, hajnitë, dhunën, gënjeshtrat e çka jo tjetër!
Rroftë kombëtarja e futbollit, them me vete! Safet Krivaça / Kosovarja /

MUND TË JU PËLQEJNË