Përplasjet e fundit VV-LDK, rreth marrëveshjes për një koalicion qeverisës, nuk janë të rastit, por janë të vizionit dhe koncepteve të ndryshme të dy partive, e që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, shkruan “Kosovarja”.

Koalicioni ndërmjet këtyre dy partive duhet të arrihet me çdo kusht, meqë asnjë parti tjetër politike nuk është në lojë.

Koalicioni qeverisës nuk është vetëm interes partiak, por edhe interes gjithë-popullor. Partitë fituese nuk kanë të drejtë të luajnë me votën e sovranit, sepse një shkuarje eventuale në zgjedhje të reja, ka mundësi të jep rezultate të tjera zgjedhore…

Lutfi Haziri, realisht, është duke ndikuar negativisht te arritja finale e koalicionit. Nuk kalon Albin Kurti nëpër zyrat e LDK-së, siç thotë Luta, por Albin Kurti kalon nëpër votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke qenë më i votuari.

Tjetër gjë është nëse Luta dëshiron të thotë se Albin Kurti nuk mund të bëjë qeveri pa LDK-në. Do të thotë, Kurtit ia ka zënë bishtin me derë LDK-ja, e tani do ta zvarrisë marrëveshjen me VV, për përfitime sa më të shumta.

Premtimet e Albin Kurtit gjatë fushatës, janë një projekt në vete. I formuluar, apo i pa formuluar, ky projekt substancialisht dallon nga qeverisjet e kaluara.

E, sa do i realizohen është diçka tjetër… Megjithatë,

Albin Kurti ka guxim t’i japë fund hajnisë qeveritare, e që është bërë dukuri në Kosovë dhe ta ndryshojë historinë e të qeverisurit, duke qeverisur me nder.

Por, nëse nuk e bënë këtë, Albin Kurti shpejt do të zbresë nga “kali i bardhë”!

Populli e dha votën. E, nga kanë të drejtë disa individë të luajnë me votën e popullit?

Nuk kanë të drejtë paritë fituese të tallen me sovranin, por duhet ta ndjejnë votën si përgjegjësi, nëse veç duan që LDK-ja të jetë pjesë e projektit Kurti.

LDK-ja është humbëse në raport me VV-në dhe ajo duhet të pajtohet me projektin qeverisës të Albin Kurtit, për t’i pasur në dorë ministritë që mund të sjellin ndryshime.

Dy gjëra janë kruciale për Albin Kurtin, që të jetë kryeministër reformator:

Një, ta mbajë të drejtën për bashkëpunim dhe shkarkim të çdo ministri të kabinetit qeveritar;

Dy, ta mbajë për projektin e vet ministrinë e drejtësisë, të punëve të brendshme dhe të financave.

Këto janë tri institucionet adekuate për ta rregulluar shtetin e së drejtës, institucionin e sigurisë së brendshme dhe publike, përmes spastrimit të disa resorëve ku interferojnë zyrtarë të lidhur me politikën dhe krimin njerëzor e financiar korruptiv.

Në Kosovë kanë ndodhur disa gjëra të natyrës kriminale, e që kanë nevojë të hetohen edhe më thellë, si vrasja e Astrit Deharit e ajo e Dino Asanajt, si dhe e rasteve të tjera, për t’i vënë kapak krimit monstruoz, hajnisë enigmatike të drogës dhe arit të vjedhur…

Prandaj, që kjo të ndodhë, duhet vullnet dhe guxim, por edhe mekanizma. E, mekanizëm është Ministria e Drejtësisë.

Dhe, t’i kthemi edhe një herë LDK-së. Janë do elemente në LDK që, duke thënë “jemi këndej e andej”, kanë dëshirë të mos e shohin koalicionin funksional me VV, se i kanë do jaranë në partitë tjera, e besa i kanë edhe do hajni të përbashkëta në qeveritë e kaluara dhe tash frikësohen se del dikush dhe i nxjerrë në shesh të gjitha marifetet e tyre…

Sidoqoftë, Albin Kurti duhet ta bëjë një qeveri që duhet t’i përgjigjet profilit të projektit premtues, që ka premtuar gjatë fushatës.

Dy fusha prej nga do të varet jeta e shtetit e presin Kurtin posa ta bëjë qeverinë:

Lufta brenda shtetit dhe puna e jashtme, që nuk do të jetë më pak se një luftë në vete me Serbinë!

Kosova ka shumë armiq brenda këtyre dy fushave, andaj problemi është shumë serioz dhe për njerëzit e përgjegjshëm nuk ka kohë e as vend të kërkojnë komoditet dhe përfitim, nëse duan ta ndryshojnë gjendjen për mirë. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË