“Gjysh, pse e gënjeve njeriun në telefon se nuk je në shtëpi?!”, e pyet nipi gjyshin. “Ti nuk i di do sende, e kur të rritesh e kupton se duhet të gënjesh, përndryshe…”, ia kthen gjyshi nipit, shkruan “Kosovarja”.

A jemi popull belaxhi?
Paj, jemi. Nuk shkon ditë e të mos vritet dikush prej dikujt dhe nuk ka ditë të mos theret ndokush me thikë, ashtu që edhe nuk ka ditë të mos rrahet ndokush me ndokënd.

Andaj, rrahjet në Kosovë janë si buka e djathi, demek nuk të kënaqë shumë buka po nuk pate djathë.

E mbaj mend xha Ajetin kur isha fëmijë. I kishte shumë djem dhe çdo ditë i sillnin nga një bela në shtëpi. Kur bënin bela të lehta, shembull kur kishin rrahje, nuk kishte nevojë t’i tregonin fare, sepse nuk i llogariste si gjëra të rënda, kurse kur ndodhnin plagosjet thoshte: “Për hajër koftë!”.

“O mixha Jetë”, i thoshin: “Djemtë tu janë plagu. A nite a jo?”.
“Për hajër koftë çka koftë!”, përgjigjej ai.

Edhe neve, po na lusin me u pajtua me Serbinë dhe mendoj me vete se çka do të bëjmë, ore burrë, nëse pajtohemi?

Do të shuhet një bela e madhe, një front i luftës e i biznesit. Do të shuhen shumë rrugë zinxhirore të shvercit. Kur është fronti i hapur, blejnë dhe shesin, punon tregtia e zezë, punon shverci e kontrabanda…

Krejt këto në emër të patriotizmit, siç thoshte i ndjeri Baftiu, në konferencat e fshatit. Mbanim mbledhje për asfaltimin e rrugës gjashtë kilometra dhe flisnin burra e burra…

“Ju doni me bë asfalt, jam kah e di, por ju po mendoni se jemi çliruar nga Serbia! Por, ende nuk ka mbaruar lufta!

Mos mendoni se ka përfunduar konflikti! Duhet ta kujtoni se Serbia është Serbi! Edhe qesh e bënë luftë! Lëreni asfaltin, por mendoni luftën, sepse shpejt ka me kërcit!”, thoshte Baftiu.

E, pas fjalëve të tij ndërroi tërë muhabeti në lokalet e shkollës së fshatit…

Dhe, lëre më që nuk mbaronim punë rreth asfaltit, por përhapej në popull se do të kriste lufta së shpejti e nuk ishte reni i asfaltit…

Andaj, çka do të bëjmë kur të arrihet marrëveshja paqësore me Serbinë? Ende kemi shumë “patriotë” dhe e kanë vështirë të jetojnë pa luftë!

Kusha im flet vetëm për rrahje!
Kusha im punon taksist. Besa, kohëve të fundit as që po punon, se e ka kapluar sëmundja.

Por, tërë kohën kur ka punuar e ka quar duke u rrahur me taksist të tjerë. Qysh tregon edhe vetë, cilido që ia ka prishur rendin, i ka dhënë dajak.

Ia bëra kështu një burri… e rraha një tjetër… ja theva kokën atij… shkuam në polici dhe u thashë kështu e ashtu…

Kështu, pra, i ka shkuar jeta kushës tim, sepse rrahjen e ka ushqim të shpirtit. Bukën mund ta lë, ama grushtin jo!

E, shqiptari, edhe kur e ngritë dorën për të stopuar ndonjë automjet, posa ta ngritë dorën ia dhuron një sharje: “Ndale bre, nënën ta lujsha!”.

Dhe, këtë nuk e bëjnë vetëm katundarët, siç thoshim dikur, por edhe të arsimuarit, intelektualët, këngëtarët…

Njëri prej këtyre intelektualëve, që po e kursej të mos ia përmendi emrin se e njehë i madh e i vogël, e le telefonin mbi tavolinë dhe vetë hyn në banjë.

Ndërkohë, telefoni cingëron. I thotë menaxherit:
“Shih, bre, kush është!”.
“Qenka Izeti”, ia kthen menaxheri.

“Uh, bre, ku më gjeti bash tash ai bërllok! Hape telefonin dhe rreje diçka! Thuaj se jam diku… Kudo qoftë!”, i flet nga banja.

Dhe, pasi menaxheri ia thotë Izetit fjalët e intelektualit, ai e kupton se po e gënjen. Izeti pyet në sportel të hotelit se në cilën dhomë ndodhet ai, demek intelektuali…

Dhe, ia mësynë dhomës së intelektualit… Pasi troket në derë, një njeri e hapë derën.

Izeti i thotë se ishte ai që e kërkoi pak më parë në telefon intelektualin…

Burri afrohet te banja dhe i thotë se erdhi ai që të kërkoi pak më parë në telefon.

E, kur intelektuali e hapë derën e banjës dhe e sheh Izetin, i bërtet menaxherit:

“Pse nuk më the se ishte Izeti, jarani jem! Mendova se është Izeti i Preshevës, e atë nuk e kam në huj hiç, bre mahluk!” dhe i afrohet menaxherit t’ia ngrehë veshin…

Por, ai, intelektuali, siç e kishte zakon të rrejë, rrenën nuk mund ta largonte nga vetja. Një ditë vjen nga Zvicra një mik i tij dhe e thërret në telefon.

I thotë se ka ardhur nga Zvicra dhe dëshiron ta takojë…
E, ai i përgjigjet me një qeshje të gjatë…

“Po, mirë që paske ardhur në Kosovë, por unë jam në Tiranë. Besa edhe gruaja nuk është në shtëpi. Ka tri ditë që është në Stamboll. Unë kthehem nesër nga Tirana, kurse gruaja pas një jave dhe shihemi”, i thotë intelektuali.

Por, nipi, i cili ndodhej afër gjyshit dhe e kishte dëgjuar bisedën e zhvilluar, i thotë:

“Gjysh, pse e rrejte që nuk je në shtëpi?!”.
“Shuaj! Pasha gjyshin ti s’e di pse duhet me rrejtur! Je ende i ri e mendon që nuk duhesh gënjyer, por kur të bëhesh sa gjyshi mësohesh edhe ti”, ia kthen ai.

Bota është lodhur me ne!
Janë lodhur me ne! Bota po lëngon prej neve, shqiptarëve!

Ka disa ditë që Spanja, shteti më armiqësor i Kosovës, po shfaqë storje, e që i kanë kapur shqiptarët në aksione të hajnisë nëpër Spanjë, ku hajnitë kryesore kanë ndodhur në shtëpitë luksoze të futbollistëve të “Real Madridit”, “Atletiko Madridit”, si dhe “Barcelonës”.

Pamje me shqiptarë të aksioneve të hajnisë, si në filmat më të tmerrshëm, po i mbushin urrejtje edhe më të madhe spanjollët dhe po u japin mesazhe të ruhen nga shqiptarët, si dhe nëse i shohin nëpër qytete të lajmërojnë…

A jemi popull hajn?
Prandaj, merreni me mend në çfarë pozite kemi rënë?!

Nga populli i viktimizuar, e që na shpëtuan vendet mike, sot jemi bërë horë e botës, duke u shfaqur nëpër ekrane televizive dhe portale e gazeta të huaja prestigjioze, si popull që e ka në shpirt hajninë!

Sa shumë na ka rënë imazhi i viktimizuesit! Sa shumë i kanë rënë pishman që na kanë shpëtuar!

Kush e ka shqisën e dëgjimit mirë, më duket se i dëgjon kah na shajnë e kah thonë se qysh i shpëtuam këta hajna…

Kështu, pra, bota është lodhur me ne, duke ndërmjetësuar, madje, jo vetëm me Serbinë. Por, sa herë kemi pasur zgjedhje, po të mos ishin në Kosovë ambasadorët e miqve tanë, nuk do të kishim bërë kurrë qeveri!

Në zgjedhjet e mëparshme gjashtë muaj nuk kemi mundur ta bëjmë qeverinë?!

Siç shihet, as tash, në zgjedhjet e para do ditëve, vështirë të arrihet një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re edhe një kohë të gjatë, sepse KQZ-ja sa mundi e zvarriti punën e certifikimit të rezultateve të datës 6 tetor…

E copëtofshi njëri-tjetrin!
Kështu, bota është lodhur me ne. E, si ilustrim po e përdori një batutë:

Ishin zënë me fjalë dy shqiptarë në një barakë në Slloveni, e që kishin shkuar të punonin, për të siguruar kafshatën e gojës.

Përlaheshin për emrin e një veture dhe situata acarohet aq sa edhe përleshen ndërmjet veti dhe ndërhyjnë të tjerët që t’i ndajnë…

Një shqiptar tjetër mundohet t’i pajtojë…
I thotë njërit:
“Fale bre burrë se keni ardhur për bukë goje, e jo për luftë këtu! Po na bëni horë në mes të Sllovenisë!”.

Shkon te tjetri dhe ia thotë po të njëjtat fjalë…
Por, kur sheh se nuk po mund t’i pajtojë, të dyve u thotë:
“More, copa u bëfshi! Kapni revolet e mbyteni njëri- tjetrin sa më shpejt!”.

Andaj, do të lodhen një ditë edhe të huajt me ne dhe do na e bëjnë si pajtuesi në Slloveni…

Në modë është me e rrahur babën!
Ka ardhur një modë e re te brezi i ri. Lajme tronditëse lexojmë çdo ditë në gazeta e në portale: “Djali rrahu nënën!”, “Djali rrahu babën dhe e bëri për spital!”, “Nënë e vajzë rrahin nusen!”, “Nuse e burrë e rrahën nënën!” etj.

Pra, çka s’po ndodhë te ne! Andaj, edhe nuk është habi pse tokën e Kosovës e quajnë tokë të nemun, siç quhen edhe Bjeshkët e Nemuna.

Po, kush na paskësh nemun, ej? Vetëm ne të nemur, kurse të tjerët bëjnë jetë të lumtur?! Ndoshta jemi të nemun, sepse nuk punojmë për shtetin, nuk punojmë për progresin, siç punojnë të tjerët për shtetin e tyre…

Ne nuk mundohemi të kemi një shtet të fuqishëm, sepse ëndërrojmë të vjedhim sa më shumë… Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË