E kemi ëndërruar shumë Shqipërinë, sa edhe kemi hëngër burg e dajak sa herë e kemi përmendur. Dhe, shyqyr Zotit, tash shkojmë lirshëm, por kjo nuk na mjafton, sepse ne duam për inati të të tjerëve të bëhemi zyrtarisht bashkë. Pra, jemi popull tepër patriotik, por nuk po nxjerrim gjë në dritë, shkruan “Kosovarja”.

E kishim lënë të merreshim vesh me një letër. Duhej ta lija te varri i babait, nëse ai do të vdiste para se të bëhej Kosova shtet. E kishte në shpirt “Ballin Kombëtar”, babai im, ndjesë pastë, dhe atë e donte vetëm pse ishte partia që i donte të gjithë shqiptarët bashkë, nën një çati politike.

Dy herë e kishin dërguar në ushtrinë e Jugosllavisë. Ishte dërguar që të vritej në Tivarin e përgjakshëm, pas një udhëtimi këmbë nëpër Shqipëri, por fati kishte qenë në anën e tij dhe ishte kthyer gjallë, shkruan “Kosovarja”.

Edhe në këtë tradhti, e që kishte pasur gisht, pa dyshim, Shqipëria, nuk e kishte braktisur nga mendja idenë se Kosova duhej t’i bashkohej Shqipërisë.

Mbaj mend një polemikë mes tij dhe një serbi, që kishte dal në gjueti. Kishte ardhur serbi me dy zagarë gjahu dhe ishte futur në arën tonë. Babai e mori qenin, Sharkun, dhe doli para tij.

“Këtu nuk bëhet gjuetia!”, i tha babai, aq më shumë kur e njohu se kush ishte.

Ai i tha se nuk e dinte se e kujt ishte ara, por babai ia kujtoi se këndej janë ara private dhe nuk bëhet gjahu në to.

“Jemi një, bre shok, jetojmë në një shtet, në një vend dhe duhet të kemi mirëkuptim, se tash jetojmë në vëllazërim-bashkim”, i tha serbi babait tim.

Por, ende pa e mbaruar ai fjalën, babai ia ktheu:
“Nuk jemi unë dhe ti një, as nuk kemi qenë kurrë. Po të ishim një, ti nuk do të flisje serbisht, por do të flisje shqip.

Ajo që na ndanë me kuptim është se unë flas shqip e ti serbisht dhe këto dy gjuhë nuk kanë bash asgjë të përbashkët mes vete, prandaj edhe i kemi historitë ndryshe!”.

Pas këtyre fjalëve të ashpra i tha që të largohej sa më shpejt nga ara jonë dhe të mos e shoh më në këto anë…

Pas kësaj babai u dergj një kohë dhe vdiq në mars të vitit 1999, më 19 mars, ditë e shtunë, herët në mëngjes. Kurse, Kosova u çlirua në qershor të atij viti.

Dy ditë para se të vdiste më tha t’i tregoja qoftë edhe te varri për gjërat që do të ndodhnin në Kosovë…

Ka ndryshuar shumëçka prej atëherë në Kosovë dhe kjo letër për në botën tjetër kisha dashur të mos mbetej vetëm për babanë, por edhe për të tjerët që mund të kishin pasur kërkesa të ngjashme, sepse as ai nuk ishte më shqiptar se shumë e shumë të tjerë që kishin rënë në prita, në luftëra, në përballje, në burgje…

Partia e tij më nuk ndihet gjallë!
Partia që ti i thoshe “Balli Kombëtar” më nuk ndihet gjallë dhe në Kosovë ajo është një relikt delikat.

Ka ardhur në Kosovë fuqia ushtarake e NATO-s dhe ëndrrat kanë ndryshuar. Njerëzit u kanë rënë pishman shumë ëndrrave dhe gjërat kanë shkuar deri aty sa njerëzit ta qortojnë edhe vetveten për veprimet e bëra…

Njëfarë Nazim Bllaca që moti i ka rënë pishman që ka luftuar dhe ka akuzuar vetveten për gjërat e idilit, që ka bërë gjatë dhe pas luftës.

Por, nuk është vetëm ai farë Nazimi, por edhe shumë të tjerë…

Dhe, e ka mirë apo nuk e ka e di ai, por nuk paskësh qenë çdo gjë sikur e shpjegoje ti, apo mund të shoh një natë ëndërr edhe unë se predikimet tuaja për luftën dhe idealet kanë qenë të fryra.

Ne e shkelim tani Shqipërinë pa asnjë frikë, por sërish jemi të quar peshë, sepse kërkojmë bashkim zyrtarisht. Duam që kjo gjë të zyrtarizohet me akte, ligje, kushtetutë dhe që njëherë e përgjithmonë ta zgjidhim çështjen e Kosovës, por edhe t’ia plasim zemrën Serbisë…

Nuk dimë tash cila është skena politike, nuk dimë kush kujt i përket dhe nuk dimë kujt t’i besojmë.

Dua të jem sërish vetëm ai fëmija i vogël pranë teje: Ta dua Shqipërinë sikur e doje ti dhe të qaja për të; dua të di se kush është kush, sepse kemi bërë shumë parti kuqezi në këto troje, por nuk dimë kush çka përfaqëson…

Se është kështu, e kemi rastin me Maqedoninë. Shqiptarët e përçarë atje kanë kandiduar me 3 shqiptarë për kryetar të Maqedonisë, në vend se të jenë unikë dhe ta kandidojnë vetëm një kandidat!

Kemi liderë politikë që e duan më shumë rrugën se Parlamentin
I dashuri baba, kemi shumë liderë politikë nga bota e re shqiptare dhe politike. Kemi parti, kreu i të cilave dëshiron të fle në rrugë për të proklamuar një ide kuqezi, kurse nuk tubojnë më shumë se 100 vetë!

Ka njerëz që i shohim rrugës me plis dhe sjellin shumë romantizëm politik nga ana e jashtme, por nuk i njohim se çfarë kanë në brendi!

Ka edhe në Parlament që herë flasin kështu e herë ashtu… Ka edhe të atillë që nuk e duan Kosovën e Hashimit, por e duan një Kosovë tjetër. Bërtasin në Parlament të mos shkohet në bisedime me Serbinë dhe të mos hiqet taksa që i është vënë Serbisë me asnjë kusht!

Shkurt e shqip, nuk dinë as vetë se çfarë Kosove duan!

Nuk ka më komunistë, por tash disa janë edhe më të këqij se komunistët!
Babë, Kosova ka ndryshuar shumë, sa përshkrimi është i pamundur. Krejt çka është plotësuar nga dëshirat tua është se kanë rënë komunistët nga froni, por e keqja ishte se as ata nuk kishte qenë mirë të binin.

Ua panë hajrin komunistëve disa ish-republika të Jugosllavisë, sepse popujt e tyre bën shtetin që nuk e hëngri luftën, si Maqedonia e Mali i Zi.

Nuk kishte qenë çdo gjë në rregull as në atë Shqipërinë tënde! Gati janë disa që ta shpallin veten si Nazimi ynë në Kosovë dhe të tregojnë se kujt i përkasin dhe çka ka ndryshuar në ëndrrën e tyre.

Kemi edhe politikanë që ndahen nga partia bazë dhe formojnë parti te re. Ata dhe disa të tjerë nuk po zgjedhin metoda e as mënyra si të vihet te pushteti.

Secili njeri do pushtet këtu, duke menduar se është më i mençuri! Nuk e kishe pasur idenë të mirë se shqiptarët janë më të mirët në botë…

Sepse, po të kishim qenë më të mirët, do ta kishim shtetin në rregull si të tjerët! Jemi në pozitë që të mos e njehë qeni të zotin…

Nuk ka shkolla, nuk ka klinika, nuk ka teatër…
Shkolla ka, por nuk ka kualitet mësimi, baba, i dashuri im, e që pushon në botën tjetër…

Nuk ka dikush te i cili mund të shpresoj se do bëhet ky apo ai njeriu i së ardhmes, se do bëhet dikush që do të ketë vlerë në jetën politike në të cilën sot dominon, për shembull, Hashimi Thaçi, i cili për kundërshtarët politikë është vetëm HASHIMI!

Jemi shumë parti, gati edhe sa ka njerëz! Secila parti është më patriotike se tjetra… Nuk do askush të shikojë se ku janë problemet me të cilat po merremi realisht.

Po merremi me lumturinë tonë të paqenë!
Kemi probleme që na kanë verbëruar, sepse i kemi para hundëve dhe nuk i shohim, meqë po merremi me lumturinë tonë të paqenë, ndërkohë që lirinë e mendojmë se na ka rrethuar!

Jemi duke jetuar në shtetin e gjobave të fukarenjve, ndërkohë që fabrikat, sikur thoshe ti, nuk punojnë dhe Kosova nuk shfrytëzohet nga nëntoka.

E keqja po ndodhë çdo ditë: pasurohen zyrtarët, varfërohet populli!

E, ku ka të shkojë më keq, a?! Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË