Tashmë e kemi shtetin tonë, të pavarur, sovran. Jemi shtet e jetojmë në shtet demokratik. Por, ja se ç’del nga bisedat, dialogët, ndejat me qytetarë të rëndomtë:

Në cilin sistem demokratik të botës punëtorit i shitet fabrika dhe ai hidhet në rrugë pa kurrfarë përkujdesje institucionale, duke u këshilluar që të kërkojë mëshirë prej Zotit?!

Në cilin sistem demokratik të botës qytetari, siç ndodhë te ne, i nacionalitet tjetër, përkatësisht shqiptari, pengohet të shkojë në shtëpinë e tij, në pronën e stërgjyshërve, duke u përdorë si pretekst se gjoja qytetarit të nacionalitetit serb po i shkaktuaka hidhërim po qe se shqiptari po rrika i lirë në shtëpinë e vet, në oborrin e vet, ku është rritur e ka krijuar pasurinë?!

Në cilin shtet demokratik të një vendi në botë, spitali shtetëror shndërrohet në objekt korrupsioni dhe qytetari i sëmurë, kur shkon për shërim, duhet t’i jep mjekut “haraç”, e pastaj t’i jepet diagnoza?!

Në cilin sistem demokratik të botës kërkohet nga qytetari, i cili nuk mund të mbijetojë me pagën a pensionin, t’i paguajë obligimet komunale: tatimin, rrymën, ujin e të tjera?!

Në cilin shtet demokratik të një vendi në botë i ndalet qytetarit paga sociale prej 75 euro, shkaku i borxhit tatimor?!

Në cilin shtet demokratik të një vendi në botë vidhet dhoma e hetimeve në objektin policor dhe s’jep askush përgjegjësi, e lëre më të japin dorëheqje, së paku, morale?!

Në cilin shtet demokratik bëhen vrasjet (paslufte) dhe tash e njëzet vjet nuk zbardhen kryesit e veprave?!

E, raste e raste të tjera… Nga të gjitha këto, këto padrejtësi e keqpërdorime që po bëhen në vendin tonë, në shtetin tonë të ri, qytetarët ka filluar t’i kapë depresioni psikik, i cili depresion po u sjellë raste të palakmueshme në familje, siç janë: zënkat ndërmjet veti e deri te rrahjet, tentim-vrasjet, vrasjet, vetëvrasjet…

Madje, vetëvriten edhe ushtarët e lirisë! Vetëvriten edhe fëmijët e moshave 13 e 16 vjeç!

Këto dukuri, në shoqërinë kosovare, kanë qenë të panjohura një kohë, por tash kanë dalë në sipërfaqe.
E, aq më keq, s’merret kush me to…

Nga viti në vit, që nga paslufta, po shihen thuajse të njëjtat probleme të pazgjidhura për qytetarin tonë.

Shihen të njëjtit individë në organet shtetërore, si rrahagjokës tek thonë – ne jemi shpëtimtarët e këtij vendi, të këtij populli.

E bash ata, shpëtimtarët e këtij vendi e populli, që ishin e erdhën në pushtet, vazhdimisht janë duke instaluar frymën e familjarizimit, keqpërdorimit të pozitave zyrtare.

Kjo dëshmohet në secilën kompani publike, sepse mu në to i gjen gratë e tyre, dhëndurët, kunatat, baxhanakët, fëmijët e shokët e fëmijëve…

E, çka të thuhet më, bre?!

Çka?!

Flisni edhe ju, o popull! Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË