Për ditën e nesërme e kisha lënë takimin për kafenë e mëngjesit, me atë që e kisha pritur më shumë se dhjetë vjet. Vinte nga larg, në Prishtinë, dhe doja ta shihja me sy, meqë kishim shkruar gjatë e gjatë, me vite e vite.

Nata po vinte, bëra një dush në banjë dhe bëra shumëçka që për nesër të dukem sa më bukur.

Më doli gjumi dy orë para mesnate dhe u befasova për të parën herë në jetë se si nuk më doli asgjë këtë natë të ma prish të nesërmen. As nuk vdiq askush, as nuk u sëmurë askush, as nuk lëvizi ndokush…

Fqinja e parë vdiq para dhjetë ditësh dhe nuk do të kem pengesa për nesër. Uh, jetë o jetë, sa bukur kur nuk të prishet e nesërmja, sa mirë kur të thyhen parandjenjat e liga…

Dal në ballkon dhe krejt çka ka me shpirt jashtë është një mace e fqinjëve që loz mbi barin e oborrit, duke u ngjitur në blirin para shtëpisë.

Më heton, ndalet e më shikon. Më shikon ajo, por e shikoj edhe unë, më duket sikur më thotë: “Ende nuk është për “morgen”, njeri, kthehu fle akoma, mos më shiko mua!”.

E mbylli derën e tarracës dhe kthehem në shtrat, i gëzuar që erdhi gati agu dhe dita nuk më ishte prishur me asgjë.

Duhet të ketë qenë ora 6 e mëngjesit kur hajnat ma kishin thyer veturën. Isha diku në Zagreb. Pesë vetë sillen rreth veturës sime.

“Ej, çka bëni këtu, o burra?!”.

“A është kjo jotja?”.

“Kush u ka thënë ta hapni veturën? Jeni hajna ju apo njerëz të shtetit?”.

“Jemi si në mes diçka…”, më thotë njëri.

“Kjo veturë sikur nuk është e jotja”, më thotë një tjetër.

“Unë i kam letrat në veturë që të bindeni ju se është imja”.

“Të besojmë ne, të besojmë…”, më thotë tjetri.

“T’më kishit besuar, me siguri, nuk do ta hapnit, por unë dua që të verifikoj kush jeni ju. Nuk i hipi veturës pa ditur se kush jeni ju dhe nëse keni marrë diçka apo keni lënë në veturë. Gjatë rrugës mund t’më ndaloj ndokush dhe t’më kërkoj kontroll e ta paguaj shtrenjtë atë që keni bërë ju”.

“Jo ore, mos shko larg!”, më thotë njëri.

“Dua të shkoj larg, sepse kështu ma keni bërë punën”.

Dhe, më shkon në mendje ta rrah njërin, por çka do u bëj katër të tjerëve. Eh, sikur ta kisha trupin e xha Ajetit, që ka vdekur para pesëdhjetë vjetësh! Ka qenë i madh me trup. E kishte dorën sa një tigan dhe i gjatë mbi dy metra…

Para se të vdiste, njëri e pyeti:

“Si je, he burrë? Mos u dorëzo! Gjithnjë ke qenë i fuqishëm dhe durimtar… Si të kemi tash?”.

“Keq. Keq shumë. Nuk më ka mbetur fuqi as për dy vetë! Nuk jam ai që isha, si kam qenë. Vdekja po më troket te dera, shpejt do të shkoj.

Më pas u komentua se, vërtet, ishte para vdekjes, sepse fuqia e tij kishte rënë. Nuk ishte më ai që rrihte njerëz.

Edhe unë të kisha qenë si xha Ajeti dhe t’i kisha rrahur ata pesë veta, por nuk më mbushet mendja se mundem t’i rrah, prandaj duhet të merrem vesh me ta me të mirë, aq sa mundem. Me të fortin kur nuk duhesh të bësh kompromis. Diçka si mes Kosovës dhe Serbisë, që nuk po merren vesh ndërmjet veti, por po ua presin teshat ata në Bruksel. Asnjërit nuk po ia kënda, por tjetër reagim e mundësi nuk po duket në

sipërfaqe.

“Çka të bëj?”, pyes veten.

Më mirë ta thërras ndonjë polic e t’i verifikojnë këta njerëz që flasin herë shqip, herë serbisht. Por, në rrugë nuk lëviz asnjë njeri me uniformë policie. Më në fund ata tërhiqen dhe shkojnë, e pasi ata largohen më vijnë shumë ide.

Si nuk ua bëra nga një foto me telefon celular?! Dhe, derisa i bëj vetes këtë pyetje, kalojnë disa policë dhe njëri prej tyre më pyet:

“A të duhet gjë?”.

“Një hamam Hyre!”, i them.

“Kush është ajo Hyrë?”, pyeti polici.

“Lëre tani se shumë jeni vonuar, e ku t’i gjej tash ata që e kishin hapur veturën time… E shihni se si e kanë hallakatur veturën time!”.

“A ke pasur gjë në të?”.

“Jo, nuk kisha. Më e mira që sot nuk e kisha me vete as gruan, se mund t’ma kishin rrëmbyer!”.

Zgjohem nga shtrati i shokuar nga ëndrra e mëngjesit. Ëndrrat e mëngjesit qenkan më të trishtuara se ato të natës. Andaj, shpresoj të mos më përsëritet më kjo ditë dhe kjo ëndërr. Shpresoj në ditë të bukur, por cili është, a thua, kuptimi i ëndrrës. Me siguri, një gjë e di: Një ditë do të jetë më bukur dhe më mirë. Kam dëgjuar se kur sheh uniforma, ëndrra është e mirë dhe po e lë me kaq.

E hedh kokën në jastëk pak i qetësuar dhe sërish ëndrra tjetër. Një fallxhi shkon tatëpjetë lëndinës dhe një fqinj imi i del para dhe e ndalë. Ia ofron shuplakën dhe i thotë:

“Më shiko, he burrë, a kam sivjet jetë më të mirë? A do të kem shumë bereqet se e kam në mend ta mbjell arën me shalqi dhe ta thyej krizën që më ka kapluar?”.

Fallxhiu e merr shuplakën e tij dhe e shikon kujdesshëm. I thotë:

“Sivjet keq. Shumë zi po del. Keq shumë… Nuk të kisha thënë ta mbjellësh arën fare sivjet”.

“Po, shiko, he burrë, atëherë, vitin tjetër çka do të bëhet?”, i thotë ai dhe ia jep dorën tjetër.

“Njëjtë, he burrë. Keq shumë po të del, përsëri. S’ka bereqet fare!”.

“Pa shiko, pra, pas tre vjetësh, a po ndryshon gjë?”.

“Pas tre vjetësh më mirë po del. Po bëhet mirë”.

Kjo bëri që ai tash të merr frymë thellë, në shenjë të qetësimit shpirtëror.

“Eh, më në fund, e kapi! E dija se diku duhet ta rrok puna, se Zoti ka thënë: “Punëtori ma merr me zor!”, foli ai.

“Nuk po del më mirë, por mësohesh me varfëri dhe të vjen sikur me pasur pasuri!”, ia kthen ai.

Në ato çaste më doli gjumi.

Sërish keq. Nuk di pse kanë mbetur këto ëndrra, nuk di kush i ka lënë, por Zoti ka mundur të mos i lërë ëndrrat fare.

E, për çudi, gruaja ime nuk sheh kurrë ëndrra. Më së miri e ka: ja fut gjumë dhe kur e pyes se a e ka ndie erën e fortë që ka fry natën, thotë:

“Jo more, çfarë ere, a ëndërr je a?!”. As nuk sheh ëndërr, as nuk e prishë gjumin, as nuk e prishë të nesërmen.

“Heu, po mirë”, them me vete, tek fle ajo me një gërhisje që ndihet ndoshta edhe te fqinji që sapo e pash ëndërr.

Lavdet e Hashim Thaçit

Kohë e keqe. Hashimi a këtu e sa atje… Sa në Bruksel e sa në Amerikë…

Epo, kështu duhet të jetë politikani: Ngre e mos këput! Kështu thotë edhe populli.

Ngre popull, ngre! Nuk ka çka të bëjë tjetër populli, pos të ngre. Punë nuk ka, rroga jo, shtrenjtë sa të duash, fatura të fryra për çdo ditë. E, ec e mos ngre… Mirë tha edhe Veton Surroi në televizionin e tij: “Sa t’i durojë populli të zgjedhurit e votës së kriminalizuar, le të bëjnë çka të duan politikanët!”. Kështu ishte përgjigja e tij kur e pyeti moderatori se deri kur do të jetë kjo gjendje në Kosovë…

Kur qeni e han të zotin!

Nëse e shpjegoj pak një gjendje në të cilën është bërë diçka që mund të bjerë shteti, po e zë në gojë Gadimen e Lipjanit, fshat tashmë pa pronë shoqërore. Nuk ka më pronë, sepse ajo u tret! Dy kodra të saj, që dikur ishin për piknik të nxënësve të shkollave të kësaj ane, tashmë janë bërë sikur kodra e Gërdecit në Shqipëri, sepse në to çdo ditë ka detonime me dinamit për thyerjen e gurëve. Telat gjemborë e kanë zënë tërë pasurinë pronësore të fshatit më të madh në Kosovë. Janë pesë gurëthyes, e që pas lufte edhe kanë shkëmbyer armë zjarri se cili të merr gurë në këto kodra… Dhe, mezi i ka ndarë KFOR-i.

Tash njëra kodër është shitur e blerës është një shtetas i Maqedonisë, që mbi kulm të shtëpisë mban dy flamuj: një amerikan dhe një shqiptar. Ndërkaq, kodra tjetër është bërë rrëmujë nga eksplodimet për nxjerrjen e gurëve… Dhe, vendi më i bukur që ishte vlerësuar dikur për spital të mushkërive është shitur pa ditur askush dhe pa e pyetur askënd në fshat.

Dhe, si bie shteti ndryshe? U bëmë horë e dheut, duke vjedhur e shitur pasuri të Kosovës, për të cilën gjoja është luftuar dhe pikërisht këta, luftëtarët, tani e shesin ose e vjedhin…

E, çka të thuhet për fund?

Duhet të dal sërish te Veton Surroi, që po pushon në politikë në vend se të jetë aktiv, të paktën, në politikë të jashtme, ku është një “tata-mata” i Kosovës.

“Le të jetë kështu sa të durojë populli!”, ishin fjalët e tij që i përmendëm edhe më lart. Shumë me vend. Jemi i vetmi shtet në të cilin ende populli voton për ram të murit, e jo për bukë të gojës. Votojnë për ata që tregojnë përralla të bukura për kohën e shkuar e jo për përditshmërinë tonë, për hallet dhe brengat e ditëve tona, për skamjen që e ka kapluar popullin tonë, e që, sipas një analize amerikane,

Kosova radhitet e nënta në ranglistën e shteteve që ka bota për varfëri.

Por, edhe ky është lajm i mirë, sepse në botë qenkan 8 shtete më të varfra se Kosova!

Pra, nuk qenkemi të fundit…

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË