Në përvjetorin e 35-të, të themelimit të Ansamblit folklorik “Drenica”, që funksiononte në kuadër të SHKA “Drenica”, bashkë me Grupin dramatik të qytetit, këngëtari dhe letrari i mirënjohur Ilir Shaqiri ka thurur një poezi orferike, përmes së cilës thotë se uron përzemërsisht të gjithë anëtarët e Ansamblit, duke iu kujtuar ditën kur morën vendim, që çiftelive t’ua shtonin gjysmë-notat, shkruan “Kosovarja”.

PARANDJENJË E PASTËR

Dy perde më shumë në qafën e çiftelisë,

për hatër të një kënge që s’këndohej ndryshe,

fundshekulli i shpërfilljes, apo i risisë,

Zeusi mungonte, Hadi me mëdyshje.

 

S’ na duhen ndërmjetëzat, asgjë tjetër shtesë,

këngëve të mallëngjyeshme s’iu magjor,

dërdëllisnin trutharët, zëshëm, papendesë,

Ministrat e Ferrit dhe ca shërbëtorë.

 

Edhe Prometeu shpërfillur na shihte,

rebelimin tonë nuk e miratonte,

përveç Apollonit që me zell na ndiqte,

derisa kënga bëri krahë të fluturonte.

 

Sa e depërtueshme vinte kjo muzikë

nga dy nota të reja në një degë qershie,

në buzët tona të qara këngë dhe pak frikë

parandjenjë e pastër – drithërimë dashurie!

 

Risi e fundshekullit muza jonë re,

sikur një lugë ajkë në korën e bukës,

kundraorfeianët me britma pa fre,

këto gjera i zgjidh vetëm hyu i luftës.

 

Janë trille artistësh këto ndërmjetëza shtojcë.

Mendojnë s’e kanë gjetur ilaçin e zemrës,

me dy krane të këputura nga një rrëmojcë

s’ngjallet e pangjallshmja me jehun e këngës?!

 

Atje, vet liria kotej përtejvarrit,

priste një koncert falas për të vdekurit,

melodi e pamundur vinte në veshët e Hadit,

me ritmin e plasur sikur n’drrasë të vekut.

 

Cerberët e tij duhet të ishin fjetur,

i pashmangshëm pakti për udhën e nisur,

ringjallës të asgjësë, psherëtinte mekur,

kush guxon të panjohurën duhet t’jetë pak i krisur.

 

Lëreni lë të çmallën, tu djersitën ballët,

lë tu mbes veç kënga ajo që i mburrë,

se edhe e vdekura një çast mund të ngjallet

me kusht që me të, të mos shihen kurrë.

 

E pafituara regëtinte si një dritë e zbehtë,

kur skena u hap, zhurma u fashit,

afsh i papërmbajtur, frymëmarrje e fshehtë,

derisa e qenësishmja u përplot me dritë.

 

Në mbretërinë e të vdekurave nuk kishte flutura,

dyesi Euridika, ndoshta e mosqenë,

po kush se kthen kokën një çast nga e bukura,

nga e ajo e ndritshmja që na shëmbëllen?!

 

Përndritja e të fituarës, përjetësimi i saj

në një degë qershie plot perde e gjysmënota,

shkalla e tretë e gëzueshme mbeti e pa faj,

plotnim dashurie me tingujt që i ka bota.

 

S’ka më të përhumbur, dashnorë, si dikur,

nga thirrjet e hijeve s’kthehet koka pas,

në Mbretërinë e Hadit fle shekulli i sëmur,

Liri o këngë diellore të zura e s’të humbas!

Ilir SHAQIRI

MUND TË JU PËLQEJNË