ÇIFTARËT

Ju që nuk përtoni ta përlyeni diellin,

në duar do t’i keni frerët e lirisë…

Ju që festë shpirtërore e keni 1 prillin,

ngjituni këtu përreth “kolltukut të lavdisë”!

 

Ridrejtoni shigjetat që njerëzit të reagojnë,

të shthuren, të përplasen në mënyrën më të pahijshme,

njohuritë e themelta kurrë të mos i kuptojnë,

problemet kryesore të jenë të parëndësishme.

 

Shoqëria ka nevojë për shumë e shumë gënjeshtra,

si gjithmonë të vërtetat enden me pakicë,

rrenat paketoni me gjëra të thjeshta,

pastaj nis shpërblimi për çdo sakrificë.

 

Ndaj kulturës e shkencës mbrehni fort shigjetat,

përdhosni kryelartët sikur miza të ngordhura,

të mposhtet rezistenca, të mos u bëzajnë trumbetat,

të mos zgjohet ndërgjegjja për gjërat e ndodhura.

 

Për gjërat e mëdha flisni me gjuhën e fëmijëve,

mendimi kritik le të këputet te e panisura,

mekanizmi sugjestiv dhe moda e të rinjve

të denden shfrenuar me afshe të molisura.

 

Impulset emocionale, zemërimi dhe frika

le të shkaktojnë tensione të shkurtra e të gjata,

qasje të pandërgjegjshme le të shfryjë psikika

të mos u dalë mjaftueshëm as dita, as nata.

 

Ndasitë në mes të besimeve thelloni ndjeshëm,

deformoni porositë e mendimtarëve gjigantë,

iku kohë e tyre, s’ka më të përndritshëm,

modë është të jesh vulgar – dykrenç, injorant.

 

Të gjithë të pamerituarit le të gëzojnë merita,

mirënjohje, medalje dhe dekorata,

ndërsa të merituarve kurrë të mos u vijë dita,

ta hedhin qoftë një hap në shkallët e larta.

 

S’ka pse flitet gjuha ashtu siç është shkruar,

le të shprehen njerëzit ashtu siç duan vetë,

gjithçka para nesh paskësh qenë gabuar,

le të tremben njerëzit nga ajo që i pret.

 

Fshijeni përmbajtësoren nga artet e bukura,

s’na duhen rrëqethjet, teatrot sikur dje,

ato të qenësishmet le të mbesin të strukura,

se ç’muzikë dëgjojmë, ata jemi ne.

 

Të diturit duhet ta kenë ndjenjën e fajësisë

dhe të heqin dorë nga kërkimi i shkakut,

rebelimin të mos guxojë askush ta shpupurisë

askund dhe asnjëherë, asnjë hap tej pragut.

 

Le të turpërohen nënat si edukatore të këqija,

sakaq me mësuesit nxënësit le të tallen,

le të ngrihen dyshime deri te pleqtë me thinja,

të gjithë të vërtetët të pavlerë të shpallen.

 

Ta pranojnë mesataren, mundësisht dhe poshtë saj,

shtresat popullore s’kanë pse të mësojnë gjithçka,

ashtu të përulur dhe me shumë uzdajë

të besojnë se prore ne punojmë për ta.

 

Të mos keni frikë nga ndëshkimi i ligjit,

në grusht kemi futur gjykatës e prokurorë,

kurdisni të pamundurën, nxirreni prej hiçit,

patjetër të pafajshmit t’i bëni fajtorë!

 

Neoplatonistëve që shpurdhin qirinj le tu ndizen,

melodrama e kësaj kohe s’ka pse u shkon përshtat,

të shthuren përkryekreje, kryeshtruar të përngjizen

me heshtjen madhështore, që ngre duart lart.

 

Nga një lugë e kësaj çorbe përditë nga një shujtë,

është e pahetueshme në tempin e ndryshimeve

dhe si për pasojë s’i bie ndër mend askujt

se çfarë është përmbajtja nën petkun e parimeve.

 

Prapa mendimit të gjërave të sotme e të djeshme

zhvendosja e vëmendjes e tymtë çdo fërkém,

askush s’i dorëzohet mençurisë së ndjeshme,

elitë kombpërçarëse që krijon sistem.

 

Arkivole të hapura për të papërkulurit,

çiftarët kanë qenë e do të jenë përherë,

përkohshmëria marrake e të pamerituarit

është ngritur harlisshëm, turpshëm do të bjerë.

 

Ilir SHAQIRI

MUND TË JU PËLQEJNË