Në lindje të Indonezisë ka zona ku pothuajse të gjitha nënat e reja kanë shkuar jashtë vendit për të punuar.

Indonezianët këto vende i quajnë “fshatrat pa nëna”.

Ely Susiawati i kishte 11 vjet kur nëna e saj e la nën kujdesin e gjyshes. Prindërit e saj sapo ishin ndarë dhe nëna, Martia, u detyrua që t’i siguronte të ardhurat përmes ushtrimit të punës si ndihmëse shtëpiake në Arabi Saudite.

Kur gazetarja e BBC-së e takoi për herë të parë Elyn, ajo ishte në vitin e fundit në shkollë. Ajo tregon se sa vështirë ka qenë për të pasi u largua nëna e saj dhe është e qartë se ndarja ende po i shkakton dhimbje.

“Kur i shoh shoqet me prindër në shkollë, ndihem shumë keq. Vuaj që nëna ime të vijë këtu. Nuk dua që nëna ime të punojë jashtë. Dua që ajo të jetë në shtëpi dhe të kujdeset për të afërmit”, tha ajo.

Në fshatin e Elyt banorët e pranojnë faktin që puna jashtë vendit është diçka që nënat e reja duhet ta bëjnë për të siguruar jetë më të mirë për fëmijët e tyre.

Shumica e burrave në këtë rajon punojnë si bujq ose punëtorë krahu dhe fitojnë shumë më pak në krahasim me pagat e nënave që punojnë jashtë vendit.

Kur nënat largohen, anëtarët e familjes së gjerë dhe baballarët duhet të përkujdesen për fëmijët dhe të gjithë angazhohen në këtë punë. Megjithatë, është e dhimbshme për secilin fëmijë që t’i thotë “mirupafshim” prindit, shkruan “BBC”.

MUND TË JU PËLQEJNË