Çdokush shkruan libër sot! Çdokush bëhet poet! Çdokush bën debat politik! Ka shumë budallenj që mendojnë se arti është lindur me ta, se politika është lindur me ta! Kjo i bie sikur ai që puth së pari dhe mendon se deri në atë moment askush nuk ka puthur në botë!
Çdokush nxjerr album! Çdokush shkruan poezi! Çdokush bën çka të dojë, sepse nuk ka kritere, nuk ka institucione që e kontrollojnë artin, e as librat që botohen…

Poezia shqipe sot, në tërësi, e ka humbur zhvillimin e saj artistik. Poezia shqipe e viteve 70 ka sjell revolucion përmes rrugëtimit në rrugën e saj revolucionare për unifikim dhe hegjemonizim gjithëkombëtar të kombit. Qoftë edhe një mbrëmje letrare që mbahej diku në ndonjë fshat të thellë të Kosovës, tubonte shkrimtarë, poetë, gazetarë, njerëz të kulturës së shkruar artistike dhe ishte një benifit shpirtëror në këtë art, e që magjepste publikun kur ndonjë emër mërrolej tek recitonte poezi, sepse ashtu më shumë pandehej për patriot që s’e kishte shoqin.

Nga ky kënd e thashë se është pozitive kjo rënie e zhvillimit poetik për faktin se Kosova tashmë është Republikë, është shtet dhe kjo tregon se ato poezi, për çka edhe i janë kushtuar, e kanë arritur qëllimin. Arsyet për të shkruar në atë frymë, që dominonte në vitet 70, kanë pushuar së ekzistuari, sepse është arritur qëllimi. Për një këngë të vetme patriotike apo me frymë nga Shqipëria, në sallat e sporteve ku mbaheshin koncerte, të pranishmit ndiznin shallin në shenjë gëzimi se diçka e Shqipërisë ka arritur edhe në Kosovë, qoftë edhe kur ishte një këngë për kooperativën, që tani krahasohet me diçka si krim. Pastaj, kënga, poezia, libri, romani, qoftë edhe një tregim që mund të asocionte në diçka patriotike me ndonjë simbolikë krahasuese, kërkohej për t’u lexuar. Dhe, nga ana patriotike, posa i dilte zëri filan autorit, e kapte UDB-a, sepse me pak diçka të shkruar çdokush mund të shpallej patriot që po bën diçka për kombin.

Dhe, falë kësaj kulture revolucionare, në vitin 1978 erdhi një frymë patriotike, e që u përshkua me arreste të shumta. Më pas, në vitin 1981, u zbraz dufi mbi shqiptarët, e që ishte akumuluar thuajse një shekull, duke reflektuar kundër Jugosllavisë.

Më vonë, erdhën valët e protestave dhe grevave shqiptare dhe erdhi edhe segregacioni ekonomik, politik, social e kulturor në Kosovë, me çka Kosova, de fakto, hyri në luftë me Serbinë, duke e lindur edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që e bëri të veten për ta kthyer tërë botën demokratike kah vetja, kah Kosova.

Pra, kjo ishte poezia dikur, kjo ishte kënga dikur, kjo ishte kultura dikur, që reflektoi një fitore të madhe me vetë faktin se Kosova u bë shtet.

Megjithatë, ishte diçka me kritere. Dihej si botohej libri, dihej si botohej qoftë edhe një poezi, dihej si editohej një këngë apo një album…

Tash kush boton dhe si botohet libri?

Tashmë kanë ndryshuar raportet. Libër boton kush të dojë. Vetëm a ke para dhe boto çka të duash… Kanë dal një numër autorësh të pamerituar që kanë bërë libra dhe shtiren si të dijshëm. Kanë dalë një numër i madh këngëtarësh që nuk dinë çka është të kënduarit dhe kënga e kanë bërë albume! Kanë dal shumë autorë me përmbledhje poezish, e që nuk dinë ende se ç’është vargu dhe mëtojnë se janë poetë!

Ka një numër të madh njerëzish që mëtojnë të jenë njohës të kulturës dhe artit, e, në fakt, nuk dinë nuk marrin gjë vesh nga krijimtaria artistike!

Për ilustrim, marr një shembull: Një djalë kishte për qëllim të dilte jashtë Kosovës për të jetuar, konkretisht të shkonte në Londër. I kishte thënë, me gjasë, dikush se po të kishte libër të botuar do të kishte përparësi atje. Djaloshi në atë turr i kishte shkruar nja 30 poezi dhe, duke pasur bindje se dinte të bënte krijime poetike, e kishte botuar me to një përmbledhje. E kishte marr taksinë dhe e kishte ngarkuar bagazhin dhe i kishte zbarkuar në stacionin e autobusëve në Ferizaj.

E takova. Dhe, si një njeri që më njihte, ma dha një përmbledhje dhe më tha: “Po ta jap gratis ty se e kupton poezinë dhe nuk po të fus në listën e blerësve”.

Mbante shpresën se kishte bërë alamet punë dhe se do ta shiste tërë tirazhin brenda javës. Ishte djersitur nga entuziazmi se ishte bërë autor i një libri…

“A ke botuar ti diçka apo ende jo?”, më pyeti.

“Jo, nuk më ka ardhur rendi akoma”, ia ktheva.

“Të vjen rendi edhe ty…”, më tha, duke treguar se ai shpejt ishte bërë emër me atë libër.

Ishte tërësisht në aut. Nuk kishte haber se çka është libri, se kush janë poetët. Mendonte se do të bëhej menjëherë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Mendonte se posa të bëhej anëtar i kësaj shoqate do të zinte vend në Londër apo diku tjetër në ndonjë kryeqytet evropian…

Më nuk di se çfarë ka bërë ai me atë libër, por di se sa çifti i tij kanë bërë libër… Pasi edhe ai nxori libër, nuk di se kush nuk mund të bëhet sot autor libri…

Secili më i mençur se tjetri!

“Rrugë të mbarë e shpatë të mprehtë!”. Ky urim kishte qenë në kohën e Turqisë së vjetër sunduese. E tash është në modë: “Qofsh me të fortin!”.

Ne, e që patëm përkrahje nga SHBA-ja, e bëmë shtetin. Na përkrahu i forti dhe e ruajtëm ekzistencën në mesin e sllavëve në Ballkan. Sot ne po forcohemi, kurse ata po hyjnë në rrugën e mundimshme të ruajtjes eventuale të Serbisë apo të zhbërjes së saj.

E përcolla një emisionin debatues në RTK dhe mbeta i befasuar si shumë herë të tjera: Kush po merr pjesë në debate? Sot çdo kush debaton!

Secili është më i mençur se tjetri!

E, kjo është e keqja e popullit tonë…

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË