Përpjekjet dështuese të dy partive fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit, herë për postin e presidentit e herë për kryeparlamentarin, janë shterur dhe më shumë flitet sa për të thanë diçka, sesa që ka diçka të re, shkruan “Kosovarja”.

Debatet analitike e politike, duke dashur të sqarojnë detajet e marrëveshjes ndërmjet VV-së e LDK-së, si dhe problemet e intrigat ndërmjet këtyre dy partive, më shumë kanë krijuar probleme, sesa kanë zgjidhur diçka…

Në të gjitha programet tona televizioneve publike, me shikueshmërinë kryesore, pas darke në cilindo kanal televiziv gjen vetëm debate po në këtë temë!

Dhe, nëse qeveria e re formohet, më shumë do të gëzohen teleshikuesit sesa partitë fituese.

Pse? Sepse, për teleshikuesit do të përfundojnë debatet monotone!

Në secilin kanal televiziv sa e sa herë është shpjeguar si mund të bëhet koalicioni, çka merr fituesi i parë dhe çka i dyti…

Por, nuk ka debat në të cilin nuk shprehen animet e opinionistëve! Madje, në disa televizione vërehet edhe nga “aeroplani” se luftojnë për VV-në.

Dhe, interpretuesit e Kushtetutës, e që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë, flasin në emër të Kushtetutës, e që besoj as që e kanë pasur në dorë tekstin e saj ndonjëherë!

Ka të tillë që flasin edhe me inate politike se nëpër cilat procese kushtetutshmërie mund të formohet qeveria nga njëra palë apo tjetra dhe nga njëri grup a tjetri…

Sidoqoftë, haptazi shihet se asnjë opinionist nuk është i pavarur në debate. Secili anon kah njëra parti…

E, çka është esenciale, fare pak është arsyetuar LDK-ja. Ajo, edhe pse gati me po të njëjtën hise fituese, është duke u fyer nga propagandat dhe rrymat e ndryshme politike!

Mirëpo, LDK-ja e ka vetëm një gabim! Pse nuk tërhiqet kur po e sheh se e ka vështirë të bëjë koalicion me VV-në?!

Sidoqoftë, të rralla janë rastet kur dy parti me vizione të ndryshme duan të qeverisin bashkë…

Në anën tjetër, nuk e kuptoj VV-në pse dëshiron të ketë koalicion vetëm me LDK-në, kurse nuk ia jep hisen qeverisëse që i takon?!

E, edhe nëse arrihet i shumëprituri koalicion ndërmjet këtyre dy partive, do të jetë fare pa shije. Do të jetë koalicion i zorit, që nuk kanë pasur zgjidhje tjetër… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË