Isa Mustafa, me faktorët vendimmarrës të LDK-së, duhet të marrin vendim për bashkëqeverisje me VV-në apo t’i thuhet jo dhe pikë, shkruan “Kosovarja”.

LDK-ja, pa humbur kohë, duhet t’i thotë po ose jo Albin Kurtit. Të dy partitë fituese nuk mund të presin pafundësisht se cila do lëshojë pe për kryeparlamentarin!

LDK-ja duhet të flet me një gjuhë, e jo të kthehet se çfarë ka ndodhur më 26 dhjetor, kur u zgjodh Glauk Konjufca kryeparlamentar.

Nuk është e dobishme për këtë parti që Isa Mustafa të kërkojë postin e kryeparlamentarit, që nënkupton shkarkimin e Konjucës, kurse Vjosa Osmani të kërkojë mos-shkarkimin e tij!

Andaj, pa e paragjykuar vendimin që do merr LDK-ja, është koha e fundit që kjo parti të reflektojë me një qëndrim publik: Ta pranojë bashkëqeverisjen, apo ta refuzojë atë!

Në këtë mënyrë, do të hapet rruga që ta formojë qeverinë e re ai që i ka numrat, apo të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, pa e shfrytëzuar fare legjislaturën e këtij kuvendi.

Në rast se këto dy parti presin se kush po heqë dorë nga kërkesat dhe parimet, koalicioni më nuk është i besueshëm as te populli e as mes partnerëve qeverisës.

Mënyra e bisedimeve për ta bërë qeverinë bashkë, ka qenë një test i mirë për këto dy parti.

Por, kështu siç po shkojnë gjërat, nuk pritet që këto dy parti ta bartin bajrakun e fitores as në Bruksel, në dialogun me Serbinë, e që pritet të jetë barra kryesore e shtetit të Kosovës.

Në anën tjetër, Albin Kurti e ka zor ta shkarkojë Glauk Konjucën, kurse Isa Mustafa e ka zor ta pranojë partneritetin pa u kthyer posti i kryeparlamentarit.

Sidoqoftë, zgjidhja nuk do të vjen nga qielli, por njëra palë duhet të lëshojë pe ose duhet burrërisht ta refuzojë koalicionin, duke ua lëshuar rrugën të tjerëve… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË