Sipas një studimi të ri pacientët e sëmurë me koronavirus mund të jenë infektivë deri në pesë javë pas diagnostikimit të parë. Studiuesit nga Kina zbuluan se virusi mund të jetonte në traktet e frymëmarrjes së njerëzve deri në 37 ditë. Kjo është 2.5 herë më e gjatë se periudha e detyrueshme e izolimit dyjavësh që kërkohet nga shumica e ekspertëve të kujdesit shëndetësor.

Organizata Botërore e Shëndetit e ka shpallur të mërkurën këtë shpërthim një pandemi botërore.

Për realizimin e studimit, i cili u botua në The Lancet, u studiuan 191 pacientë nga dy spitale në Wuhan – epiqendra e shpërthimit të koronavirusit. Ekipi përdori regjistrime elektronike mjekësore për të mbledhur të dhëna demografike, si dhe të dhëna laboratorike.

Studiuesit zbuluan ARN-në e virusit – i cili mbart informacionin gjenetik – në mostrat e frymëmarrjes së pacientëve për një mesatare prej 20 ditësh pasi ata u diagnostikuan. Nga rezultatet doli se koha më e shkurtër që dikush ishte infektiv ishte tetë ditë dhe koha më e gjatë ishte 37 ditë.

‘Koha e zgjatur virale tregon nevojën për një strategji të izolimit të pacientëve të infektuar dhe ndërhyrjeve optimale antivirale në të ardhmen,’ shkruajnë autorët. “Kjo ka implikime të rëndësishme si për marrjen e vendimeve për izolimin e pacientit ashtu edhe për udhëzimet për gjatësinë e trajtimit antiviral.”

Ky studim i fundit tregon që virusi mund të mbijetojë shumë më gjatë sesa imagjinohej më parë. Një studim i kryer nga qeveria amerikane dhe shkencëtarët e tjerë zbuloi se virusi mund të mbijetojë në ajër për tre orë dhe mund të jetojë në sipërfaqe deri në tre ditë. Testet treguan se virusi mund të mbijetonte në bakër për katër orë, në karton për një ditë dhe deri në 72 orë në plastikë dhe çelik.

Nga ana tjetër një studim gjerman zbuloi se pacientët e infektuar shpërndajnë sasi të mëdha të virusit përpara se të shfaqin simptomat. Kjo do të thotë që kur njerëzit shfaqin simptoma të vogla, siç janë lodhja ose kolla, vazhdon të jetë e lehtë përhapja e virusit te të tjerët.

Në të gjithë botën, janë infektuar më shumë se 128,000 njerëz dhe më kanë vdekur shumë se 4,700 njerëz. Në SH.B.A., ka më shumë se 1.500 raste të konfirmuara në të paktën 46 shtete dhe 39 njerëz kanë vdekur.

MUND TË JU PËLQEJNË