Të bombarduar nga informacionet mediatike, shqiptarët, me të drejtë, i ka përfshirë paniku i përhapjes së epidemisë së fundit të gripit kinez.

Asnjëherë më parë ata nuk kishin pasur një informacion kaq të hollësishëm, kaq të plotë dhe kaq të përditësuar për një rrezik që ka të bëjë me vetë ekzistencën e tyre biologjike.

Kanë të drejtë! Mjekët, epidemiologët apo specialistë të tjerë, nuk janë të sigurt dhe nuk japin garanci të plota, pasi ata nuk e kanë hasur e trajtuar më parë këtë sëmundje.

Por, ka gjithsesi një lajm të mirë. Nëse zhysim vështrimin në thellësi të së shkuarës, për të lexuar ndonjë informacion shpresëdhënës, statistikat shfaqen optimiste, pasi nuk flasin për humbje të rëndësishme jetësh njerëzore.

Pra, edhe pse historia njeh një numër të madh epidemish e pandemish të kaluara përmes trojeve tona, humbjet njerëzore në asnjë rast të njohur nuk kanë qenë të përmasave të konsiderueshme.

Të vendosur kryesisht në fshatra të shkëputur nga njëri-tjetri, apo qoftë në lagje të vogla e kulla krejt të veçuara, dhe pa kontakte të shpeshta me njëri-tjetrin, shqiptarët duket kanë qenë një popull me fat për sa i përket përballjes historike me epidemitë apo qoftë pandemitë botërore.

Në këtë mënyrë ata i kanë shpëtuar me pak pasoja edhe pandemisë së murtajës, të viteve 1346-1353, e cila me shifrën 75-200 milionë të vdekur i shkaktoi botës humbjen më të madhe njerëzore të të gjitha kohërave.

Të njëjtat rrethana i kanë ndihmuar shqiptarët që ti shpëtojnë me pak pasoja edhe epidemive të kolerës, por edhe atyre të gripit.

Por kohët kanë ndryshuar. Tashmë të zbritur e grumbulluar në qytete të mëdha dhe fare pranë qytetarëve dhe qytetërimeve të tjera të Botës, shqiptarët nuk e kanë më atë guaskën mbrojtëse të dikurshme, të garantuar, qoftë nga mënyra e jetesës, qoftë nga gjeografia, qoftë nga sistemi i mbyllur politik komunist.

Tashmë ata, ashtu si e gjithë bota, duhet të përballen me të njëjtën frekuencë të përhapjes së viruseve dhe me të njëjtin risk të humbjes së jetës së tyre apo të të afërmve.

MUND TË JU PËLQEJNË