Tashmë që plani i Serbisë për një “katastrofë humanitare” në veri të Kosovës u zbulua, për të cilin KosovaPress-i kishte raportuar ditë më parë, nëpër dyqanet e veriut të Mitrovicës vërehet mungesë e shumë artikujve me prejardhje nga Serbia.

Mungon qumështi dhe pothuajse të gjitha produktet e tij, e deri tek llojet e ndryshme të detergjenteve të Serbisë.

KosovaPress mëson se nga dita e enjte në veri do të mbyllen dyqanet ushqimore, vetëm me qëllim që në prag të festës së Vidovdanit, më 28 qershor, kur shumë qytetarë nga Serbia vijnë në veri dhe Gazimestan, të pasqyrohet “gjendje e rëndë humanitare” e serbëve të veriut.

Se situata dhe gjithçka tjetër po sajohet, dëshmon edhe një dokument që po qarkullon në komunat veriore nga dita e martë, ku bëhet apel tek qytetarët që përkundër mungesave të artikujve, për asnjë çmim të mos blejnë mallra nga jugu dhe nga shqiptarët.

Dokumentin që e ka siguruar KosovaPress është i shkruar në alfabetin cirilik dhe mban firmën e të ashtuquajturës “Shoqata e Afaristëve të Kosovës dhe Metohisë”.

Burime të KosovaPressit bëjnë të ditur se pjesëtarë të organizatës “Civilna zastita” do të qëndrojnë këto ditë afër urave të Ibrit për të vëzhguar nga afër situatën nëse dikush nga qytetarët serbë po sjellë mallra nga jugu në veri të Mitrovicës dhe më gjerë.

MUND TË JU PËLQEJNË