Një grua serbe 62-vjeçare nga Dobratini i Lipjanit është diagnostifikuar me virusin korona dhe meqë serbët nuk i njohin institucionet shëndetësore të Kosovës, ajo është dërguar në spitalin e Nishit në Serbisë. Paviçeviq: Të gjithë serbët që prekën nga coronavirusi dërgohen në Serbi për trajtim të mëtutjeshëm.

Mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, duke iu referuar një deklarate të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe të një njoftimi të drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kanë bërë të ditur për rastin e parë të coronavirusit në mjediset me popullatë serbe në Kosovë. Gjuriq ka thenë se një persona është prekur me virusin corona dhe bëhet fjalë për një grua 62-vjeçare në Dobratin të Lipjanit.

“Ajo fillimisht është pranuar në Qendrën Spitalore të Prishtinës në Graçanicë e pastaj është transportuar në Spitalin e Nishit. Familjes së saj menjëherë i është kërkuar vetizolimi nën mbikëqyrje të stafit medicinal, i cili do të jetë në kontakt të përhershëm familjen e personit të infektuar”, ka thenë Gjuriq.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili u është drejtuar popullit të Serbisë të premtën në orët e mbrëmjes, ka shprehur shqetësimin e tij për rastin e infektimit me coronavirus në Dobratin të Lipjanit. Dhe meqenëse serbët nuk i njohin institucionet shëndetësore dhe duke qenë se nga Serbia kanë marrë urdhërin që për ta të kujdesen institucionet shëndetësore që funksionojnë me sistemin e Serbisë, vetë presidenti serb u ka rekomanduar atyre që për shëndetin e të gjithë serbëve do të përkujdeset shteti i Serbisë. Në këtë mënyrë edhe 62-vjeçarja e prekur me coronavirus është dërguar në Nish të Serbisë, shkruan “Zëri.info”.

Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thenë të shtunën se janë siguruar dhe pompa për dezinfektim për komunat serbe në jug, si dhe 832 pak me mjete higjenike për banorët me gjendje sociale në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq. Ai ka shtuar se edhe murgeshave në Manastirin e Deviçit ne Llaushë të Skenderaj u janë dërguar pako ushqimore.

Në anën tjetër, oficeri për lidhje i Serbisë në Prishtinë, Dejan Paviçeviq, i cili ka vizituar enklavat në Osojan të Istogut dhe Gorazhdevc të Pejës, ka thenë se për të gjithë personat që eventualisht prekën me coronavirus do të ketë përkujdesje shtetërore. “Ajo çka mund të them është se ekziston protokoli për përkujdesje të të gjithë të sëmurëve dhe se askush nuk do të anashkalohet. Njerëzit do të kenë përkujdesje maksimale në kuadër të rekomandimeve. Njerëzit që kanë ardhur për të na ndihmuar kanë përvojë të madhe, aty janë ekspertët kinezë që kanë ardhur, kemi rekomandimet e tyre. Kemi epidemiolog të shquar që janë pjesë e Shtabit të Krizës së Republikës së Serbisë, ne vetëm duhet t’i zbatojmë rekomandimet e tyre”, ka thenë Paviçeviq.

E ndërkaq në veri të Mitrovicës ka vazhduar dezinfektimi i hyrjeve në banesa dhe institucione publike, i rrugëve dhe i të gjitha hapësirave, ndërkaq Shtabi i Krizës në very edhe mëtutje ka siguruar se nuk ka asnjë rast të prekur me COVID-19 në komunat veriore të Kosovës.

MUND TË JU PËLQEJNË