“Vitin që e lash pas nuk kam pasur shumë fat me vajza, sepse vetëm njërës prej tyre ia mora mëndtë një herë. Më duhet të pranoj se edhe ajo ishte prishtinase, sepse vajzave të katundit është vështirë t’u afrohesh, sepse janë bërë më kullerka se këto të qytetit”, thotë Egzoni, 25 vjeç, i cili punon një kafiç në Lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, shkruan “Kosovarja”.

“Vajzat e sodit, po nuk pate para, as që të shikojnë!”, thotë Egzoni në vazhdim të rrëfimit të tij.
“S’kam momentalisht femër, edhe pse në lokalin tim ku punoj kamerier thuajse më shumë mysafirë janë femra sesa meshkuj.

Por, për të pasur femër më duhet pas pune të rrimë bashkë, të hamë e të pimë bashkë dhe të dalim, ndoshta, edhe diku më larg sesa në Prishtinë.

E, krejt rroga që marrë si kamerier nuk do më dilte… E, ku janë shpenzimet që presin prej meje në shtëpi, meqë jam më i madhi fëmijë dhe të gjithë të tjerët presin prej meje?!

E kam vështirë të gjej të dashur, por pa e gjetur një vend të mirë pune, as që do të provoj më”, thotë tutje Egzoni.

Vajzat po na ngucin vetë…
Në tavolinën përballë nesh ndodhen tre të rinj, të cilët, pasi na dëgjuan se për çka flasim, nga tavolina e tyre njëri, paksa më i moshuari, ndërhynë:

“Vajzat po na ngucin vetë! Nuk po kemi nevojë t’i ngucim ne të parët, sepse ato sikur janë të gatshme të vijnë dhe të bisedojnë me ne, të pinë kafe, madje edhe të dalim jashtë në shëtitje”, thotë djaloshi, 30 vjeç, Mensuri, i cili, nëse e thotë të vërtetën, ende nuk është i martuar.

Por, fill pas këtyre fjalëve, ai shikimin nuk e heqë dot nga njëra që i ndodhet përballë…

Me dashuri i kam punët katastrofë!
“Veç për dashuri mos më pyetni, se i kam punët katastrofë!”, flet, po ashtu, nga tavolina që gjendet afër nesh, i riu që thotë se quhet Meni.

“Pse katastrofë?”, i them paksa me tallje.

“Katastrofë se jo mahi!”, ma kthen ai.

“Por, ti nuk po e thua arsyen pse…”, insistoj unë.

“E kam dashur njërën shumë, aq sa ajo filloi të luajë me ndjenjat e mia. Thënë të drejtën, kjo gjë më nevrikoste. Më bënte të mendoja se më tradhtonte… se nuk më donte… se i isha bërë bajat… se…

Por, tek pas gjashtë muaj bashkë, kuptova se asaj më shumë i pëlqen jeta luks sesa dashuria. E, kushte luksi unë nuk mund t’i afroja, ani pse punoj dhe nuk mund të ankohem me rrogën që marrë. Por, edhe pse kisha rrogë të mirë, nuk doja paratë t’i harxhoja së koti…

Dhe, kur ajo pa se isha bukur i shtrydhtë, dalëngadalë filloi të largohej prej meje dhe gjeti tjetrin, i cili, sipas saj, nuk kursen asgjë që ajo të jetojë e lumtur dhe të shëtisë aty ku i shkon edhe mendja…

Thënë shkurt, ajo më dha mend se duhet gjetur femrën që të do e jo femrën që do luksin”, shprehet i zhgënjyer, katastrofë, si ç’thotë edhe vetë, Meni, nga Lagjja “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Pra, femra ka boll në Prishtinë, si dhe në Kosovë kudo, por edhe të tilla që duan të të shfrytëzojnë ka sa të duash… Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË