Tregu evropian kurrë më shumë se sot nuk i ka hapur dyert për punëtorë të rinj. Dyert e shteteve të BE-së janë hapur, kryesisht, për të rinjtë shqiptarë nga Kosova, shtet i cili po ballafaqohet me papunësi të madhe, shkruan “Kosovarja”.

Tashmë të gjitha shtetet e BE-së e kanë të qartë se në Kosovë ka vende pune vetëm për fëmijët dhe
familjarët e klasës politike, që ndodhen në qeveri dhe rreth saj.

Familjarizmi egoist nuk u mundëson punësim edhe shtresës së mesme, e të mos flasim shtresës së varfër, pa marrë parasysh përgatitjen shkollore të të rinjve të diplomuar, madje edhe me master.

Javën që lamë pas, ekspertë të proceseve të lirisë së lëvizjes në Serbi, pohuan kundërshtimin e tyre ndaj BE-së për, siç thanë ata, bllokimin e Kosovës nga liria e lëvizjes.

Ata kërkojnë heqjen e vizave për Kosovën, meqë llogarisin se Kosova, me heqjen e vizave, pa dyshim, do të zbrazet nga rinia…

Në Serbi presin që Kosova, me heqjen e vizave, të përfshihet në proceset e migrimeve sociale.

Këtë brengë e shprehu edhe i pari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Statistikat e migrimeve të shqiptarëve nga Kosova për në shtetet e BE-së janë të tmerrshme. Një numër i madh të rinjsh shqiptarë nga Kamenica ka kohë që kanë shkuar me dokumente të rregullta në Kroaci, teksa Kroacia kërkon 65 mijë punëtorë dhe se destinacion e ka tregun e rinisë shqiptare nga Kosova.

Familje të tëra kosovare përditë e braktisin Kosovën në shtetet e BE-së, e më së shumti në Francë, ku shpresat për qëndrim të rregullt atje janë më të theksuara.

Edhe mijëra të rinj të tjerë nga Prizreni (flitet për braktisjen e shkollimit të 2 mijë të rinjve në këtë komunë), pastaj nga Ferizaj, Lipjani e Prishtina, janë në pritje të pajisjes me viza për në Kroaci e Slloveni dhe për pak ditë pritet që në formë fluksi ta braktisin Kosovën.

Sidoqoftë, Kosova qysh tash është pa fuqi punëtore. Ata që punojnë në sektorin privat nuk mbrohen nga ligji, e gjithashtu edhe paga mujore është shumë e ulët karshi asaj në sektorin shtetëror.

Është për keqardhje se asnjë qeveri e Kosovës nuk është marrë me temën e punësimit të të rinjve për të krijuar hapësirë jete për brezat e perspektivës së shtetit.

Prandaj, nuk është befasuese pse rinia ikë nga Kosova.

Në të gjitha fushatat zgjedhore të partive politike është deklaruar prioritet punësimi, por ka qenë vetëm premtim dhe hiçgjë më shumë.
Keq, a?! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË