Se çdo kualitet socio-shoqëror rrjedh nga arsimi, kjo nuk do koment. Aty ku mësohet dhe lexohet libri ka vlera.

Por, në Kosovë e ka humbur shumëçka kuptimin dhe nëse gjendet vlerësimi, ai shihet në rrugët e kryeqytetit. Rrugët të mbushura me lypës, të krisur e të devijuar psikikë, shkruan “Kosovarja”.

Por, t’i ktheheni titullit të këtij shkrimi. Ka disa vjet që në debate televizive vijnë njerëz të porositur të politikës, e që nga moderatorët quhen “analistë politikë”.

Në fakt, ata nuk janë analistë, por janë në rrugë për diku tjetër, në një karrierë pa kriter, që nesër i qon në poste publike, sepse në politikë e kanë dikë që ua jep krahun.

Mund të krahasohet një analist i tillë me tenderomaninë, kur kryetari i një komune, në të vërtetë të shuma komunave, i jep tender një firme të regjistruar pothuajse dje, e që e nisë punën e zhvatjes së parasë publike me një karrocë, rreth së cilës sillen disa punëtorë, që duhet ta kryejnë të njëjtën punë!

Dhe, ata pas një viti më nuk janë punëtorë të një firme të një karroce, por të një firme me miliona, që kanë në pronësi eskavatorë, kamionë dhe makina të tjera infrastrukturore!

Edhe analistët që sot i shohim në televizionet tona, sikur dalin shpejt si kërpudhat. Posa e hapë gojën prezantohet si analist politik, e kurrë si ka shkruar as dy fjalë analize në ndonjë gazetë!

Po ashtu, prezantohet një zëdhënës ministrie, kurse kurrë nuk është marrë me zëdhënie e as nuk i njehë problemet elementare të kulturës së të qenit zë që përfaqëson dinjitetshëm një institucion!

Andaj, në Kosovë asgjë nuk bëhet konform kritereve. Është një batutë që i përgjigjet realitetit kosovar për nivelin e arsimimit.

Takohen dy vetë. Njëri i thotë tjetrit sa shumë të rinj po e kryejnë masterin, madje edhe doktoraturën dhe po bëhen të mëdhenj. Çdo i dyti tash është me master!

Ai që e dëgjonte i thotë: “Demek ti ke master, a ?”. Ai ia pohon me kokë “po”, por i thotë se ku e dinte.

“Nëse çdo i dyti në Kosovë ka master, atëherë, meqë unë nuk e kam, del se ti je me master!”.

Andaj, edhe analistët i kanë kapur debatet, duke i sjellë në opinione të njëjtat gjëra dhe pas një viti të tillët i shihni se u takojnë bastioneve politike dhe partiake, sikur po ndodh shpesh në Kosovë.

Një herë flasin si të pavarur, kurse më pas i sheh si pjesë të partive të ndryshme! E, në fakt, ata nuk janë aty si analistë, por si përfaqësues të partive politike, të cilët i qojnë në debate për të përfaqësuar interesin e caktuar! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË