Rizgjedhja e Isa Mustafës edhe për një mandat të ri katërvjeçarë në LDK, realisht është shpëtim i unitetit të LDK-së, shkruan “Kosovarja”.

Por, ky unitet llogaritet fals apo i përkohshëm. Isa Mustafa ka arritur ta ruajë LDK-në në kuvendin zgjedhor, madje është meritë e tij që ai e ka shmangur një përçarje të mundshme në këtë parti, e që pritej nga shumë parti të tjera.

Me një shëndet jo të mirë, Isa Mustafa, megjithatë, ka arritur t’i shuajë pritjet e disa partive për një përçarje të re të LDK-së në pjesën finale të kandidaturave për kryetar partie.

Mirëpo, rizgjedhja e Isa Mustafës për kryetar të LDK-së i ka edhe efektet pozitive, si një lojtar i shkathtë për koalicione.

Dhe, ndonëse nuk u ka pëlqyer shumicës politike jashtë e brenda LDK-së, Isa Mustafa mund të quhet shpëtimtari i kësaj partie, të paktën, tash për tash.

E, ana negative e kësaj rizgjedhjeje aklamative, megjithatë është tregues i saktë se në LDK ka krizë.

Pamundësia shëndetësore e kryetarit aktual që të gjendet kudo që i duhet partisë, aq më shumë para zgjedhjeve që pritet të ndodhin së shpejti, është një dëm i pariparueshëm partiak dhe elektoral.

Sidoqoftë, tash për tash LDK-ja ka bërë zgjedhjen më të duhur të mundshme, por strukturat partiake në të gjitha nivelet duhet të punojnë në përafrimin e dallimeve fragmentare, duke i liberalizuar më shumë vlerat e partisë, sesa të njerëzve dhe grupeve në këtë parti.

LDK-ja, megjithatë, duhet të jetë më pak e ndjeshme ndaj klanit të vjetër dhe ta ofrojë ngatë vetes brezin e ri, e që disa sish do të sjellin rivalitet ndërpartiak për konkurrencë kualitative.

Me disa fytyra që i njehë opinioni, e që më shumë njihen si fytyra të inateve politike sesa të vlerave, LDK-ja do të jetë humbëse, apo nuk do të arrijë kuotën votuese të synimit.

Ndonëse shpëtim fals, LDK-ja me Isa Musfatën e posa rizgjedhur, realisht ka ruajtur më së miri trendin konkurrent për zgjedhjet e ardhshme, duke e ruajtur fytyrën për elektorat gjatë fushatës zgjedhore.

Megjithatë, stabiliteti i LDK-së i duhet Republikës së Kosovës. Sepse, me një LDK stabile, pa dyshim, do të kemi stabilitet më të mirë politik në Kosovë. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË