Është mbushur shteti me arusha. Sa në Prizren, sa në Kabash, arushat na e futën tmerrin. Por, janë do “arusha” në Parlamentin e Kosovës që nuk krahasohen me asnjë arushë të Sharrit, shkruan “Kosovarja”.

Kur flasim për integrimin e Kosovës në BE, shtetit i dalin përpara dy arusha. Ariu që njihet si “Arusha e Prizrenit” dhe arusha e Avdyl Ramë Gegës, nga Korisha e Prizrenit.

Merreni me mend institucionalitetin e shtetit të Republikës së Kosovës se në çfarë niveli qëndron sot, kur nuk mund të gjendet një përgjigje adekuate se çka duhet të bëhet me “ariun e Prizrenit”, që po mbytë dele në lokacionet periferike të Prizrenit, e që lidhen me malet e Sharrit.

Do njerëz, që kinse i përfaqësojnë shoqatat e faunës, akuzojnë palën tjetër se kanë dhënë propozimin për vrasjen e ariut. E, ata, si më të moderuar, kanë bërë një zgjidhje më të mirë, duke sjell nga Kroacia një ekspert të arinjve për të treguar se çka të bëhet me këtë farë arushe që po i mbytë delet…

Ndaluni pak! Logjikoni! Mendoni! Analizoni!
Çudi e Zotit, a?! Të sjellim ekspert nga Kroacia që të tregojë si të veprojë shteti ndaj një arushe, e cila dihet ku jeton dhe që po i mbytë delet, kurse nuk duhet të vritet!

E, pse të merremi me këtë problem, kur thjesht arusha ose duhet të zihet dhe të sillet në “Fshatin e arinjve” afër Mramorit të Prishtinës ose të vritet.

Dhe, shihni se në ç’hall ndodhet shteti dhe nuk di çka duhet të bëjë me një arushë, e që një ditë mund t’i sulmojë edhe njerëzit.
Pra, shtet se jo mahi!

Po në kohën kur doli në skenë arusha, e që u hiperbolizua në figurë kuçedre, u rikthye një temë e vitit 2007, kur një burrë nga Korisha e Prizrenit, me emrin Avdyl Rama, e që në fshat njihet si Avdyl Ramë Gega, të del në televizor dhe të tregojë si e kishte vrarë një ari në përpjekje për të shpëtuar djalin e tij, Ylberin.

Malet e Sharrit kanë pasur gjithmonë arinj, por kurrë nuk ka ra në dilemë shteti se çka të bëjë me ta kur kanë bërë dëm…

Cilat janë “arushat” e Prishtinës?
Arushat e Prishtinës janë në Parlamentin e Kosovës. Madje, karshi tyre, arushat e Sharrit dhe të Prizrenit janë si miza!

Janë do arusha që duan ta ndajnë Kosovën, do duan ta mbrojnë, e disave nuk u intereson fare shteti dhe hyjnë e dalin nëpër parlament dhe e mjelin Kosovën.

Të tillët i kanë zënë pozitat dhe nuk lejojnë ndryshime dhe e mbajnë popullin në izolim, pa liri lëvizjeje.

Fëmijët e luftëtarëve të vërtetë s’kanë gjë pos shpirtit!
Serbia e bëri një dokumentar për luftën në Koshare, për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, kufi që konsiderohej si më i tmerrshmi në botë, ku faktori njeri i dha kahun e duhur fitores.

Për këtë luftë, më kishte folur menjëherë pas mbarimit të luftës më 1999, një luftëtar që kishte luftuar atje.

Më tregoi në detaje edhe për vrasjen e një hoxhe nga fshati Skifteraj i Vitisë, e që hoxha me bomba në dorë kishte hipur mbi një bunker ushtarësh serbë, duke i vrarë ata dhe duke e vrarë edhe veten.

Ai aso kohe veç sa kishte filluar punën si imam i xhamisë në fshatin e tij…

Nejse, po e lidhi një storie të këtij tregimi me një storie fetare, e që bën pjesë në mrekullitë e profetit Muhamd. Profeti i kishte parë për Bajram një tubë fëmijësh që luanin të lumtur.

Por, në mesin e tyre sheh një fëmijë që ishte strukur e nuk luante me askënd.

“Po ti, pse nuk luan me fëmijë?”, e pyet profeti.
“Mua më është vrarë babai në luftën e Bedrit, nëna është martuar, kurse burri i saj më ka përzënë nga shtëpia dhe nuk kam ngrënë as pirë, nuk kam as tesha për këtë ditë të shenjtë!”, ia kthen fëmija.

“A pranon të vish me mua dhe të bëhesh djali im dhe i gruas sime Ajshes dhe vëlla i Ihsanit e Hysenit?”, i thotë.

Djali i thotë po, me shumë kënaqësi, sidomos kur e kuptoi se fliste me të dërguarin e Zotit. Profeti e mori dhe e veshi djalin mirë. Fëmijët e panë të lumtur dhe i thanë:

“Çka ndodhi me ty? Deri para pak çastesh qaje, e tash dukesh më i lumtur se ne?!”.

Djali i dëshmorit u tregoi se ç’kishte ndodhur, e fëmijët i thanë: “Qysh nuk janë vrarë edhe baballarët tanë, që ne të bëheshim djemtë e profetit!”.

Pas lufte disa luftëtarë të Koshares kishin respekt shumë të madh në popull. Por, me kalimin e kohës, duke u varfëruar e duke mos pasur, ata binin përditë e më shumë përtokë, aq sa nuk tregojnë as sa kanë vuajtur…

Pse?
Sepse, t’i thuash tash dikujt se jam filan komandanti, njerëzit ikin prej teje. Ikin duke menduar se ke të bësh me një dallaverexhi, fajdexhi…

Pse politikanët tanë nuk japin dorëheqje e të shpëtojë populli?
Çfarë shteti jemi duke bërë? A di kush të sqarojë se kah po e qojmë shtetin apo do ta shohim këtë situatë vetëm kur shteti të bjerë në humnerë?

Paria e shtetit duket se është në udhë pa krye. Në emër të shtetit bëhen pazare e manipulime!

A janë politikanët tanë të vetëdijshëm se çka po bëjnë? Pse nuk japin dorëheqje e të shpëtojë populli?

Fotografia qesharake…
Ata që e njohin strukturën e Parlamentit të Kosovës, nuk janë shokuar me foton që tregoi deputetja e PDK-së, Flora Brovina.

Nuk ka mundur të zgjidhet moment më i keq për atë foto sesa ajo ditë kur ndodhi ngjarja. Njerëzit u shokuan nga pamja në fotografi, duke e marrë shumë afër shpirtit…

Tashmë e gjithë bota e di se çfarë jemi ne…
I madh e i vogël e përkrahëm atë foto, e cila tek pas disa orëve doli të jetë fals!

Një plak i fshatit tim, kur më pa në rrugë, më ndali para dhe më tha:

“More bre, çka ka ndodhur sot në Prishtinë?!”.
“Asgjë, xha Fehmi, asgjë”, ia kthej unë.

“Si more asgjë?!”, ma ktheu ai.
“Ndoshta e ke fjalën për një fotografi që ka dalë në Parlament”, i them unë.

“Po de, mu ajo fotografi e ka qu peshë televizorin!”, më thotë ai.

“Nuk di, xha Femi, por e shohim se ku do i del tymi asaj pune!”, i them sa për ta mbyllur atë muhabet. Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË