Grupi i tifozëve “Plisat” ka falënderuar qytetarët e vendit për ndihmat që kanë ofruar për të prekurit në zonat e tërmetit në Shqipëri, Ata kanë njoftuar se do ta vazhdojnë aksionin e tyre, derisa kanë njoftuar se të gjitha ndihmat e grumbulluara deri tani i kanë dorëzuar në Prizren.

Përmes një postimi në Facebook, “Plisat” kanë bërë me dije se do të vazhdojnë aksionin në të gjitha format që u kërkohet, në koordinim me autoritetet shtetërore.

“Nuk kemi fjale ta shprehim falënderimin që e kemi për qytetarët e Prishtinës e tërë Kosovës për menyrën si janë përgjigjur ndaj kërkesës sonë për ndihmë. Perveç tragjedisë qe na ka kapur të gjithëve, jemi tejet të emocionuar me afërsinë që e kemi ndjere ne si grup me të gjithë juve”, thuhet në postim.

Ndryshe, Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë vendosur që ndihmat nga qytetarët dhe bizneset të grumbullohen në Kazermën e FSK-së në Prizren, të cilat pastaj do t’u dërgohen autoriteteve shqiptare përmes ushtrisë.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

“Meqenëse interesimi i juaj për të ndihmuar bashkatdhetarët në Shqipëri është i jashtëzakonshëm, Qeveria dhe institucionet e Kosovës, kanë vendosur që ndihmat nga qytetarët dhe bizneset të grumbullohen në Kazermën e FSK-së në Prizren, të cilat pastaj ushtria jonë do t’ua përcjellë autoriteteve shqiptare për t’i shpërndarë në rajonet e prekura nga tërmeti”, kishte deklaruar Haradinaj. /Gazeta Express

MUND TË JU PËLQEJNË