Koalicioni politik PAN nuk është formuar për shkak të frikës nga LDK-ja, por për ta bërë qeverinë e Republikës së Kosovës, ashtu sikur do ta bënte edhe LDK-ja, po të ishte e shkathtë për matematikë përfundimtare, shkruan “Kosovarja”.

Tjetër gjë është nëse thuhet se qeveria e PAN-it nuk ka qenë e zonja për ta quar shtetin përpara. Nëse del e thotë dikush kështu, ky do të ishte konstatim korrekt.

Dihen kualitetet e qeverisë PAN, dihen emrat, dihen numrat e zyrtarëve qeveritarë, shpenzimet dhe të gjitha këto mund të vlerësohen me një notë jo kalimtare!

Duke i dëgjuar konstatimet se PAN-i është formuar për shkak të frikës nga LDK-ja, mund t’i shtohet se kësaj partie, pra LDK-së, sot nuk ka arsye t’i frikësohet askush, apo asnjë parti politike në Kosovë.

As PDK-së nuk ka arsye t’i frikësohet ndonjë subjekt politik. Këto dy parti, pra LDK-ja dhe PDK-ja, mbështeten në dy hunj, relativisht të dobësuar, si një gardh i dëmtuar që dikur kishte fuqinë dhe besimin.

LDK-ja është parti që ende lufton të bëjë një strofull mbi aftësitë historike të Dr. Ibrahim Rugovës dhe traditën partiake, ndërsa PDK-ja është parti që do të sigurojë vota nga klientelizmi.

PDK-ja në mandatin e Thaçit ka punësuar aq shumë njerëz, sa të punësuarit e japin një shifër solide votimi kur i duhet kësaj partie. PDK-ja posedon klientelizëm domethënës në të gjithë sektorët e shtetit, të cilët edhe pse duhet të jenë apolitikë nga parimi, janë zemra e PDK-së!

Skena politike e Kosovës nuk posedon sot parti në të cilën bazohet elektorati shumicë popullor ku shihet shteti. Republika e Kosovës nuk ka sot parti që identifikohet me zhvillimin e shtetit. Ka parti të interesave personale dhe klanore.

Kosova paraqet një shembull tipik të krimit dhe korrupsionit të koncentruar nëpër parti politike që llogariten parapolitika korruptive, për çka sot është privilegj të jesh në rrethet e larta të partive.

Njëzet vjet pas lufte në Kosovë nuk ka risi, vizion as ide të ndonjë grupimi politik për ta filluar procesin e shtetit ligjor, apo shtetit të dinjitetshëm, sepse nuk duhet përjashtuar disa dështime shtetërore që vijnë nga bllokadat e Serbisë!

Ky është edhe problemi pse në Kosovë nuk mobilizohet i gjithë elektorati për të votuar, madje edhe për interesa të larta në zgjedhje nacionale.

Që kjo të ndodhë, partitë duhet të jenë të sinqerta, të flasin për dobësitë që e kanë shkatërruar shtetin, e jo ta gjejnë fajtorin vetëm te pala tjetër.

Populli e di se këto parti që i kemi sot, janë një brumë i njëjtë për nga struktura, por disa janë simite, disa bukë më të gjata, e disa më të shkurta. E, kur i hanë, asnjëra nuk të lë shije të mirë! Safet Krivaça/Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË