Kështu duhet të thuhet, pra, kur është fjala për punësime familjare dhe duhet të gjendet një shpjegim për ta shpërlarë punësimin, shkruan “Kosovarja”.

Ramushi e nisi mirë qeverisjen, i bëri shumë gjëra të mira dhe mbolli do shpresa se do të ndryshojë diçka…

Por, tash, e që po dalin punësimet partiake dhe familjare në shesh, është kah e degradon popullaritetin kryeministri!

Hije të keqe punës së kryeministrit nga AAK-ja i kanë bërë edhe do prononcime dhe deklarata të zyrtarëve të tij, që vijnë nga më të besuarit e tij, si Pal Leka, pak a shumë edhe nga Ardian Gjini që qeverisë Gjakovën.

Disa deklarata të zyrtarëve të AAK-së rreth punësimeve partiake-familjare, janë duke e rrënuar punën e mirë të Ramush Haradinajt.

Por, nëse flasim kah del shpirti, siç thuhet në popull, Ramushin po bindemi se nuk mund ta rrëzojë Amerika, por madhështinë e tij e rrëzojnë do burra që sot janë në këmbë, duke u mbajtur për Ramush Haradinajn.

Qytetarët e Kosovës e dinë se meriton të punësohet kunata e Ramushit, sepse ne e dimë sakrificën e familjes së tij dhe me këtë solidarizohemi. Ama, jo i madh e i vogël nga kjo parti dhe nga do parti të tjera, ku ministritë janë vërshuar me punësime!

Populli nuk ka çka i bën Ramushit se është kryeministër, nuk ka çka i bën as Hashimit se është president i vendit, nuk ka çka i bën as Kadri Veselit se është ky që është, por secilit do i vjen radha sërish të votohet…

A e dini pse po ikë rinia?
Sepse, i kanë humbur shpresat e punësimit! Kemi të rinj me master, por edhe doktorë shkencash, e që janë të papunë! Kemi rini të depresionuar, që kanë kryer fakultete dhe absurde është që kur shpallen konkurset kërkohen punonjës me shkolla të mesme!

Çudi e Zotit, a?! Por, përsëri nuk është çudi, sepse ato janë konkurse të porositura!

Është mirë që kryeministri të jetë i informuar për punësimet familjare, sepse nuk është kryeministër për të mos ditur çka po ndodhë dhe nuk mjafton as të thotë kryeministri se “nuk është mirë kjo qasje”!

E kemi për zemër si njeri të drejtë dhe që nuk e do bukën vetëm për vete, por edhe për fukarenjtë e shkretë.

Sidoqoftë, a do të ketë kryeministër që do e kthejë shpresën e popullit, të del në terren dhe t’i kërkojë popullit djem e vajza për punësim?

Në Dukagjin burrat i kanë dhënë Ramushit mijëra djem për luftë, ia kanë besuar atij djemtë e vet dhe atij i kanë shkuar pas në frontin e luftës.

Mirë do të ishte që edhe tash, në këtë gjysmë-liri, Ramushi t’i punësojë do djem të rinj, e t’ua prishë ëndrrat se jetë ka vetëm jashtë vendit!

Rininë, zaten, e ndalë vetëm punësimi dhe trajtimi i drejtë! Por, kryeministrin që e kemi, duhet ta ruajnë edhe bashkëpunëtorët dhe partiakët e vet, e jo ta shfrytëzojnë sinqeritetin e tij për qëllime familjare! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË