Takimi i Brdo-Briunit, i mbajtur në Tiranë para pak ditësh, edhe një herë shpërfaqi fëmijaqët e politikës serbo-shqiptare, shkruan “Kosovarja”.

Nuk pajtohet Edi Rama me Ramush Haradinajn, nuk pajtohet Hashim Thaçi me Ramushin, nuk pajtohet Ramushi me Vuçiçin…

Dhe, së fundi, për t’i dhënë shtytje procesit të ndarjes së Kosovës, doli edhe diçka interesante: Hashim Thaçi e ka përmendur Ibrahim Rugovën, si kreatorin e idesë së ndarjes së Kosovës!

Dhe, në kërkim të ithtarëve politikë dhe popullorë, do ta shtyjë ndarjen reale, për hatër të ish-presidentit Ibrahim Rugova!

E, le të del kush e ta vërtetojë nëse, vërtet, ka thënë Rugova se Kosova duhet të ndahet?! Dhe, nëse e ka thënë ndokund, dikur, duhet të kihet parasysh koha dhe statusi i Kosovës së atëhershme.

Dikur, kur Ibrahim Rugova ishte në qendër të politikës, Kosova ishte nën okupim dhe krejt kjo i përket kohës së viteve nëntëdhjetë, pra para 30 vjetësh.

E, prej atëherë, Kosova ka kaluar luftëra e sfida, mbështetje ndërkombëtare dhe pavarësi shtetërore, njohje nga 115 shtete të botës së civilizuar.

Kosova, ndërkohë, ka kaluar dhe nëpër sitën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, me kërkesën e Serbisë nëse pavarësia e shpallur e Republikës së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe gjykata e dha përgjigjen se Kosova ka vepruar drejt.

E, tash, Hashim Thaçi e sfidon shtetin e Kosovës me Ibrahim Rugovën, e që nuk është në jetë!

Sidoqoftë, politika shqiptare, serbe dhe kosovare, është vërshuar nga fëmijaqët politikë!

Vuçiçi nuk do fotografi me presidentët e republikave të ish-Jugosllavisë!

Hashim Thaçi nuk do zgjatje duarsh me Millorad Dodikun, të cilit dikush i ka bërë ftesë të fluturojë në Tiranë!

Edi Rama e quan budalla Ramush Haradinajn, e Ramushi e quan vëlla Edi Ramën!

E, si e ke vëlla dikë që do të ta ndajë shtetin? Sepse, ideja e Thaçit, e mbështetur nga Edi Rama për ndarjen e Kosovës, ende nuk ka vdekur!

Mashtrohen ata që po deklarohen se në Samitin e Parisit është varrosur ideja për ndarjen e Kosovës! Nuk ka vdekur ideja për ndarje dhe rreziku për formimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive për serbët gjithmonë paraqet rrezik!

Hashim Thaçi flet gjithmonë duke iu përshtatur ambientit a auditoriumit. Kur flet në TV i përshtatet vendit, e kur flet në samite, ka kërkesa të tjera!

Kur flet për Ramën ka tjetër gjuhë, e kur flet për marrëveshjet me Serbinë, herë e jep idenë e ndarjes e herë jo!

Dhe, çuditërisht, këta fëmijaqë të politikës, kanë sjellë huti për qytetarët!

Kështu, në Beograd mbahen protesta, në Kosovë populli fle, kurse në Tiranë dihet se si është situata…

E, një gjë është për t’u diskutuar: A mund të kuptojnë Rama, Thaçi dhe ithtarët e tyre se bën edhe të mos kërkohet marrëveshje me Serbinë?

Nuk e kemi me patjetër të merremi vesh me dikë që nuk do marrëveshje!

Sepse, nëse marrëveshja i duhet Kosovës, Serbisë i duhet edhe më shumë, meqë i ka hapur kapitujt për në BE!

Sidoqoftë, Kosova i ka kufijtë e vet dhe ata duhet t’i mbrojë, sepse në ata kufij është njohur si shtet dhe është antikushtetuese apo shkelje dhe cenim i Kushtetutës nëse flitet për ndarje të shtetit!

E, një gjë dihet, askush nuk e ka autorizuar askënd për të folur për ndarje të shtetit të Republikës së Kosovës! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË